Krijohet Agjencia e Programeve të Veçanta të Shtetësisë / Pasaportë shqiptare për kontribute të veçanta të të huajve

1141
Sigal

Të huajt që kontribuojnë në fusha me interes kombëtar do të mund të përfitojnë shtetësinë shqiptare përmes kushteve preferenciale. Këto kontribute të veçanta do të vlerësohen nga një agjenci e posaçme e cila do të shqyrtojë edhe pastërtinë e figurës së tyre për t’i propozuar më pas Ministrisë përkatëse dhënien e shtetësisë.

Këshilli i Ministrave ka vendosur të krijojë Agjencinë e Hartimit të Programeve të Veçanta të Shtetësisë, e cila do të ketë mission përgatitjen e kritereve teknike të programeve të veçanta me interes kombëtar apo me interes në fushën e arsimit, shkencës, artit, kulturës, ekonomisë e sportit për fitimin e shtetësisë shqiptare nga shtetas të huaj që investojnë në Shqipëri ose kontribuojnë në zhvillimin arsimor, shkencor, artistik-kulturor, ekonomik e sportiv të vendit dhe ia propozon për miratim autoritetit përkatës.

Agjencia do të përgatisë rregulla specifike të kontrollit të veçantë dhe të pastërtisë së figurës në standardet më të larta të kontrollit, ia propozon për miratim autoritetit përkatës, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi, dhe do ndjekë e monitorojë zbatimin e tyre.

Nga ana tjetër, Vendimi i Qeverisë përcakton se Agjencia harton, implementon dhe administron programet e veçanta. Në bazë të procedurave ligjore përkatëse, nënshkruan marrëveshje me entitete të specializuara për hartimin, implementimin, administrimin, promovimin ndërkombëtar të programeve, ndërmjetësimin e aplikimeve, verifikimin e pastërtisë së figurave, si dhe çdo shërbim tjetër në funksion të hartimit dhe implementimit të programeve, bazuar ne eksperiencat më të mira ndërkombëtare.