Kostandin Basho pronari i truallit, ku ngrihet kulla “Alban Tower”, kërkon ndërhyrjen e Kryeministrit Z. Edi Rama, për zhvlerësimin që po i bëhet lejes së dhënë prej tij, nga Alban Xhaferri, ndërtuesi i kullës “Alban Tower” dhe “ortaku” i tij, ish-kryebashkiaku e Tiranës

Ja kallëzimi i plotë që pronari i truallit dhe avokatët e tij, i kanë drejtuar prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë :

“I nderuar Z. Prokuror! Unë Kostandin Basho, po paraqes këtë kallëzim penal ndaj të Akuzuarve Shoqëria “AL&GI” Shpk, Z. Alban Xhaferri dhe Personave përgjegjës pranë strukturës së IMT-së së Bashkisë Tiranë, për veprat penale që më rezultojnë të jenë konsumuar prej secilit prej të akuzuarve, siç janë parashtruar në objekt të këtij kallëzimi penal dhe siç do të shpjegohen gjerësisht edhe më poshtë:”

Sigal

                            Faktet

Unë, Kostandin Basho jam pronar i sipërfaqes së truallit mbi të cilin është ngritur objekti ndërtimor i njohur si “Alban Tower”, prej Shoqërisë “Al&GI” Shpk dhe me projekt të z. Marco Casamonti. I Kallëzuari, Shoqëria “Al&GI” Shpk është një person Juridik, i regjistruar si një shoqëri tregtare me përgjegjësi të kufizuar, e identifikuar me NUIS J82020004P, e cila paraqitet në cilësinë e Shoqërisë Ndërtuese të godinës “Alban Tower”.

Të Kallëzuarë janë: Alban Xhaferri paraqitet në cilësinë e personit që përfaqëson ligjërisht Shoqërinë “AL&GI” Shpk, duke qenë Administrator i saj përgjatë periudhave kohore në të cilat janë realizuar veprimet e paligjshme dhe Marco Casamonti, është një shtetas në dijeninë time Italian, i cili paraqitet në këtë kallëzim për shkak të cilësisë së tij si Projektues i godinës “Alban Tower”. …Objekti Ndërtimor në fjalë është ndërtuar, fillimisht mbi lejen e ndërtimit të lëshuar rreth 20 vite më parë (Në vitin 2007), ku po prej kaq shumë vitesh kam qenë në pritje që nga ana e Shoqërisë të realizohej ndërtimi i objektit dhe tani që është përfunduar edhe dorëzimin e pjesës sime takuese. Gjatë kohëve të fundit, në cilësinë e pronarit të truallit, kam qenë duke negociuar pjesën time takuese me përfaqësues të Shoqërisë “AL&GI” Shpk, proces gjatë të cilit kam rënë në dijeni të fakteve kriminale objekt i këtij kallëzimi penal.

Më konkretisht, kam konstatuar se në këtë objekt ndërtimor, nga ana e Shoqërisë ndërtuese dhe përfaqësuesit të saj ligjor, janë realizuar sipërfaqe ndërtimore shtesë, si anësore ashtu edhe në lartësi (1 apo 2 kate shtesë), duke e bërë kësisoj objektin të paregjistrueshëm në ASHK. Konstatohet qartësisht se veprimet e paligjshme në objektin ndërtimor kanë passjellë edhe mungesën e një kolaudimi teknik, marrjen e një leje shfrytëzimi dhe/apo regjistrimin e saj rregullisht në regjistrat e pasurive të paluajtshme, duke qenë në kushtet e konsumimit të elementëve të veprës penale të “Ndërtimit të paligjshëm” të parashikuar nga paragrafi i dytë dhe i tretë i Nenit 199/a të Kodit Penal.

Gjithashtu, kam konstatuar se nga ana e Shoqërisë ndërtuese dhe përfaqësuesit të saj ligjor është tejkaluar edhe në gjerësi shtrirja e objektit ndërtimor, duke u futur në thellësi të pronës kufitare, përgjatë gjithë shtrirjes së objektit ndërtimor. Konkretisht, bëhet fjalë për shtesën anësore në veri të pronës, e cila rezulton e realizuar mbi një truall jashtë atij të vendosur në dispozicion nga ana ime, duke u futur në një thellësi mbi 2 metra në pronën kufitare, duke konsumuar kësisoj edhe elementët e veprës penale të “Pushtimit të tokës” parashikuar nga Neni 200 i Kodit Penal. Pavarësisht se projekti i këtij objekti ndërtimor mban emrin e një prej Arkitektëve më në zë aktualisht, pra të z. Casamonti, në fakt edhe ky i fundit është përgjegjës për kryerjen e veprës penale të “Projektimi, mbikqyrja, zbatimi ose kolaudimi i paligjshëm i ndërtimeve”, parashikuar nga Neni 199/b i Kodit Penal. Një situatë e tillë paligjshmërie, nuk ka se si të ndodhë në mungesë të dijenisë edhe të personave të ngarkuar nga ligji, nën varësinë e inspektoriateve, të cilët me veprime konkrete, apo në rastin më të mirë të tyre me mosveprime dhe/apo nga pakujdesia kanë lejuar shkeljen e lejes së ndërtimit të miratuar dhe realizimin e sipërfaqeve shtesë pa leje si në lartësi ashtu edhe anësore nga të gjitha anët e horizontit, duke konsumuar në mënyrë flagrante dhe në rrethana rënduese edhe elementët e veprës penale të “Ndërtimit të paligjshëm” të parashikuar nga paragrafi i dytë dhe i tretë i Nenit 199/a të Kodit Penal. Pra, duke u nisur nga disa prej premisave të vendit dhe mënyrës së kryerjes së veprave penale të ndërtimit të paligjshëm dhe pushtimit të tokës, krijohen dyshime të arsyeshme se edhe zyrtarët e inspektoriateve që kanë shpërdoruar detyrën, duke mos konstatuar punimet e paligjshme, si në tejkalim të lejes për shtesat ashtu edhe të pushtimit të tokës, në kuptim të Nenit 248 “Shpërdorimi i detyrës” të Kodit Penal.

Argumentim rreth fakteve të kallëzuara dhe elementëve të veprave penale

Duke respektuar juridiksionin hetimor dhe të drejtën e Prokurorisë për cilësimin e saktë ligjor të veprimeve penale të dënueshme të të kallëzuarve, apo për hetimin e zbulimin e fakteve të tjera kriminale, vlerësojmë se në këtë rast minimalisht janë konsumuar plotësisht elementët e veprave penale të: “Ndërtim i Paligjshëm”, parashikuar nga Neni 199/a i Kodit Penal, “Projektimi, mbikqyrja, zbatimi ose kolaudimi i paligjshëm i ndërtimeve”, parashikuar nga Neni 199/b i Kodit Penal, nga i Kallëzuari Z. Marco Casamonti dhe “Shpërdorim i Detyrës”, parashikuar nga Neni 248 i Kodit Penal, nga ana e personave përgjegjës pranë strukturave të inspektoriatit.

 Sa i përket të Akuzuarve Shoqëria “AL&GI” Shpk dhe z. Alban Xhaferri:

Nga ana e përfaqësuesit të Shoqërisë “AL&GI” Shpk, pra Administratorit të saj Alban Xhaferri, janë realizuar veprime të drejtpërdrejta, të cilat konsistojnë në:

-Realizimin e sipërfaqeve ndërtimore shtesë, si anësore ashtu edhe në lartësi (1 apo 2 katë shtesë), në tejkalim të lejes së ndërtimit, duke e bërë kësisoj objektin të pa regjistrueshëm në ASHK; Shtrirjen e objektit ndërtimor në gjerësi, në tejkalim të truallit mbi të cilin është dhënë leja e ndërtimit, duke u futur rreth 2 metra në thellësi të pronës kufitare, përgjatë gjithë shtrirjes së objektit ndërtimor. Veprimet e tejkalimit të lejes së ndërtimit, që rezultojnë në shtesa anësore dhe në lartësi, plotësojnë të gjitha elementet e veprës penale të “Ndërtim i Paligjshëm”, parashikuar nga Neni 199/a i Kodit Penal, në rrethanat e cilësuara të paragrafit të tretë dhe të katërt.

Po kështu, shtrirja e objektit ndërtimor, duke u futur në thellësi të pronës kufitare, në shtesën anësore në veri të pronës, duke u futur në një thellësi mbi 2 metra në pronën kufitare, përbën konsumimin edhe të elementëve të veprës penale “Pushtimit të tokës” parashikuar nga Neni 200 i Kodit Penal.

Nga ana objektive, të dyja veprat penale janë konsumuar me anë të veprimeve direkte, të administratorit të Shoqërisë “AL&GI” Shpk, të Kallëzuarit Alban Xhaferri, i cili në bazë të Nenit 95 të Ligjit Nr.9901 Dt.14.04.2008 “Për Shoqëritë Tregtare” ka përgjëgjësinë ligjore e kompetenca funksionale të administrimit dhe të përfaqësimit të Shoqërisë dhe njëkohësisht edhe të zbatimit të legjislacionit në fuqi në çdo veprim ligjor të Shoqërisë tregtare. Vlen për t’u theksuar si element i anës objektive edhe se ndërtimi i paligjshëm është realizuar në tokën e tjetrit, duke qenë kësisoj në kushtet e cilësuara nga paragrafi i tretë i Nenit 199/a të Kodit Penal. Qartësisht veprimet kriminale, për të dyja veprat penale, janë bërë me qëllimin e posaçëm të fitimit, nëpërmjet shtimit të volumeve të ndërtimit tej atyre të parashikuara nga Leja e Ndërtimit. Të gjitha veprimet kriminale nga ana e të Kallëzuarit Alban Xhaferri, janë realizuar në emër të Shoqërisë Ndërtuese, pra të Kallëzuarit Shoqëria “AL&GI” Shpk, duke sjellë kësisoj edhe përgjegjësinë juridike penale të kësaj Shoqërie, në kuptim të Nenit 3 “Përgjegjësia e personit juridik për kryerjen e veprës penale” të Ligjit Nr. 9754 datë 14.6.2007 “Për përgjegjësinë penale të personave juridikë”.

Pra, në rastin konkret, nëpërmjet mosushtrimit të detyrave të veta funksionale, zyrtarët e inspektoriateve kanë favorizuar të kallëzuarit e tjerë Shoqëria “Al&GI” Shpk dhe Alban Xhaferri, duke u sjellë së paku këtyre të fundit përfitime materiale të padrejta e të paligjshme, nëpërmjet shtimit të volumit ndërtimor në objektin e ndërtuar në tejkalim të lejes së ndërtimit dhe në pushtim të tokës private të të tretëve.