“Kosova është gjaku ynë që nuk falet kurrë”/ Presidenti vlerëson me “Nderi i Kombit” dy Dëshmorët e UÇK-së

156
Sigal

Në përvjetorin e 14-të të Pavarësisë së Kosovës, Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta vlerësoi sot me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” dy dëshmorët e UÇK-së dhe heronjtë pejanë, të cilët sakrifikuan jetën për lirinë dhe mëvetësinë e Kosovës:

Selman Lajçin (pas vdekjes): “Me nderim dhe respekt të veçantë për jetën, veprën e paharruar dhe kontributet e çmuara atdhetare, si luftëtar i orëve të para për lirinë e Kosovës. Me mirënjohje ndaj sakrificave  për lirinë e vendit dhe shembullit të rrallë e frymëzues për brezat e ardhshëm.

si dhe Besnik Lajçin (pas vdekjes): “Me nderim dhe respekt të veçantë për jetën, veprën e paharruar dhe kontributet e çmuara atdhetare si luftëtar i orëve të para për lirinë e Kosovës. Me mirënjohje ndaj sakrificave  për lirinë e vendit dhe shembullit të rrallë dhe frymëzues për brezat e ardhshëm.

Në fjalën e Tij përshëndetëse, Presidenti i Republikës u shpreh:

“Më lejoni së pari, t’i uroj mbarë kombit shqiptar dhe në mënyrë të veçantë qytetarëve të Kosovës, 17 shkurtin, Ditën e Pavarësisë të Kosovës, që edhe zyrtarisht e vulosi rrugën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran, me perspektivë të sigurt drejt integrimeve euroatlantike.

Për të mbërritur tek kjo ditë e rëndësishme, që ne sot gëzojmë dhe festojmë së bashku, u desh shumë mund, sakrifica, gjak i derdhur lum dhe jetë të dhëna nga bashkëkombësit tanë.

Kosova është gjaku ynë, që nuk falet kurrë!

Të dashur vëllezër dhe motra!

Sot, jemi mbledhur në Institucionin e Presidencës, ku me respektin më të lartë, kujtojmë dhe vlerësojmë, dy figura të shquara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dy heronj, dy dëshmorë, të cilët morën pjesë dhe drejtuan veprime ushtarake kryesisht në zonën e Rugovës dhe pjesë të tjera të Rrafshit të Dukagjinit.

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte një luftë e shenjtë, ishte lufta për të mbrojtur nderin e familjes, pragun e shtëpisë, por edhe për të çliruar njëherë e përgjithmonë vendin nga sundimi dhe tirania serbe.

Djemtë dhe vajzat e Kosovës, që  morën armët në dorë për të luftuar për lirinë e Kosovës dhe  shumë prej tyre, të cilët flijuan edhe jetën, janë emrat më të nderuar të historisë më të re të kombit tonë.

Treva e Rugovës në përgjithësi është shquar gjatë historisë për burra trima e të besës, të mendjes, të penës edhe të pushkës.

Sa herë janë vënë në pikëpyetje fatet e kombit dhe trojet tona, rugovasit kanë qenë në ballë të frontit të luftës, të sakrificave dhe të derdhjes së gjakut.

Edhe në luftën më të fundit, rugovasit u shquan në organizimin, sakrificën, vetëmohimin, por edhe në përballjen me forcat e kundërshtarit të pamëshirshëm.

Në këto beteja historike, e dhanë jetën me armë në dorë edhe dy luftëtarët e shquar të lirisë, Selman dhe Besnik Lajçi, të cilët kam nderin, që në këtë ditë të shënuar për të gjithë ne, t’i vlerësoj me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”.

Të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë e Kosovës,  meritojnë vlerësimin dhe respektin tonë të përjetshëm.

Lavdi Selman dhe Besnik Lajçi, lavdi Adem Jasharit dhe të gjithë heronjve të Kosovës!

Rroftë Kosova e lirë dhe e pavarur!”