Konstituohet Këshilli i Lartë i Sportit, Kushi: Objektivi i parë Ligji i Sponsorizimeve

159
Sigal

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi organizoi mbledhjen e parë të konstituimit të Këshillit të Lartë të Sportit, organi më i rëndësishëm këshillimor i cili merr pjesë në hartimin dhe zhvillimin e politikave të sportit.

Në këtë takim merrnin pjesë presidentë të federatave sportive në vend, presidenti i KOKSH, rektori i Universitetit të Sporteve, sportistë profesionistë veteranë, Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, etj.

Ministrja Kushi gjatë fjalës së saj u shpreh se tashmë ligji i ri për sportin që reflekton zhvillimet dhe nevojat brenda vendit, është i përafruar më së miri me legjislacionin e vendeve të Bashkimit Evropian.

Znj. Kushi tha se sidomos gjatë muajve të fundit është bërë e mundur plotësimi i të gjitha akteve nënligjore të nevojshme për ta bërë këtë ligj sa më funksional.
“Këtu dua të theksoj sidomos Vendimin e Këshillit të Ministrave për vlerësimin, për trajtimin, për shpërblimin e sportistëve që fitojnë statusin e nivelit të lartë, ashtu sikurse dhe vendimin për masat e sigurisë në aktivitetet sportive, kryesisht për ndeshjet e futbollit,”- u shpreh ministrja.

Për sa i takon buxhetit të sportit, znj. Kushi tha se sidomos dy vitet e fundit të buxheti për sportin është rritur, duke përfshirë këtu edhe buxhetin për federatat sportive, edhe buxhetin për shpërblimin, për vlerësimin e sportistëve elitarë, por po kështu edhe për infrastrukturën sportive.

“Që të gjitha këto i kanë dhënë një tjetër zhvillim sportit dhe janë pikërisht këto investime që kanë bërë pastaj të mundur zhvillimin e aktiviteteve të nivelit ndërkombëtar në Shqipëri” – u shpreh ministrja.

Duke folur për sportin në shkolla, i cili është një prioritet, znj. Kushi tha se krahas rritjes së numrin e orëve të edukimit fizik, numrin e disiplinave, i është kushtuar një vëmendje e veçantë edhe infrastrukturës.
“Çdo projekt i ri sot në shkolla, çdo rikonstruksion shkollash duhet patjetër të plotësojë standardet për terrenet sportive,” – tha ministrja Kushi.

####

Linku i publikimit:
https://www.facebook.com/kushievis/videos/409939351104617/