Konkursi për ishullin e Osumit, Rama: Do transformojmë qytetin e Beratit

533
Kryeministri Edi Rama është ndalur sot në Berat për të çelur konkursin për projektimin e ishullit të Osumit në këtë zonë. Duke u shprehur se për shumë vite ky qytet u la në harresë, kreu i qeverisë premtoi investime dhe transformim të Beratit.
“Ky është një projekt që ka të bëjë jo vetëm me zbukurimin e qytetit, por ka të bëjë me transformimin e Beratit, përmirësimin e infrastrukturës, dhe të nivelit të jetesës së këtij qyteti, pasi transformimi lidhet edhe me ekonominë. Transformimi do të vijojë me intensitet, pasi Berati për shumë vite u la në harresë. Ne në 18 muaj i hapëm rrugë transformimit dhe rilindjes së qyteteve. Qyteti i një e mbi një dritareve u izolua nga pjesa tjetër e vendit për shkak të rrugëve të amortizuara, çka solli dhe rritjen e varfërisë në këtë qytet. Por në 18 muaj qeverisje të majtë Berati ka nisur rrugëtimin e saj drejt rilindjes, drejt transformimit total. Rrugët lidhëse të Beratit me qytetet e tjera janë thuajse të përfunduara. Qendra e Beratit është duke u transformuar dhe ajo që është më e rëndësishmja qeveria ka hedhur fonde për pikat turistike, teksa tashmë çelet dhe konkursi për projektimin e ishullit të Osumit, një burim i jashtëzakonshëm të ardhurash turistike”, nënvizoi Rama.
Duke folur edhe për rëndësinë e zgjedhjeve lokale të 21 Qershorit, Rama tha se “këto zgjedhje janë një mundësi e mirë për qytetarët e Beratit për t’i dhënë vazhdueshmëri projektit për transformimin e qytetit. “Berati pas 21 Qershorit do të jetë një qytet edhe më i madh dhe me më shumë zona rurale e turistike. Qeveria është e projektuar në programin e saj për transformimin e plotë të këtij qyteti, duke përmirësuar në radhë të parë dhe nivelin e jetesës. Në muajt e fundit Berati ka pësuar përmirësime të mëdha në infrastrukturë, duke u përmirësuar nga ana estetike dhe për rrjedhojë duke nxitur dhe përmirësimin ekonomik. Zgjedhjet e 21 Qershorit janë një mundësi e mirë për të vijuar transforimimin e qytetit të Beratit”, shtoi Rama.
Sigal