Konkurrenca i kërkon ERE-s transparencë në blerjen e energjisë

648
Sigal

Skandali me tenderët e blerjes së energjisë dhe rekomandimet e AK-së

Pas hetimit të skandalit të OSHEE për abuzimet me tenderët e energjisë, Autoriteti i Konkurrencës ka dalë me disa rekomandime, për të rritur konkurrencën në treg. Kështu, Konkurrenca, pas një takim konsultues me Bordin Drejtues të ERE-s, i ka kërkuar këtij të fundit të bëjë transparente rregullat dhe procedurat e procedurat e blerjes së energjisë për mbulimin e humbjeve. Sipas një njoftimi zyrtar të Autoritetit të Konkurrencës, ERE dhe OSHEE duhet të rrisin konkurrencën në tregun e blerjes së energjisë elektrike dhe tashmë që OSHEE është publike, të rishikojnë procedurat e blerjes së energjisë elektrike mujore dhe vjetore për OSHEE.

Rekomandimet e Konkurrencës synojnë: (a)nxitja e pjesëmarrjes në procedurat e blerjes së energjisë, (b)Nxitja e konkurrencës ndërmjet blerësve; (c) sigurimi i trajtimit të barabartë dhe jodiskriminues për të gjithë pjesëmarrësit në procedurën e blerjes së energjisë; dhe (d) sigurimi i integritetit, besimit publik dhe transparencës në procedurat e blerjes së energjisë elektrike dhe kosto sa më të ulëta për këto lloj transaksionesh.

-Më konkretisht, Konkurrenca ka rekomanduar të rishikohet vendimi 30, datë 23.3.2001 i ERE-s “Për miratimin e rregullave dhe procedurave të blerjes nga KESh SH.A….” duke specifikuar që pranimi, vlerësimi dhe negocimi i ofertave të kryhet në prani të ofertuesve duke rritur në këtë mënyrë besueshmërinë e procesit dhe konkurrencën ndërmjet ofruesve dhe duke hapur tregun dhe lejuar të gjithë aktorët e tregut (edhe prodhuesit vendas të energjisë) të marrin pjesë në procedurat e tenderit, duke e bërë në këtë mënyrë më konkurrues procesin.

-Gjithashtu është rekomanduar që mënyra e përcaktimit të ofertës fituese të përshtatet sipas Rregullores së Ministrisë së Financave “Për emetimin e obligacioneve”, “kërkesat konkurruese pranohen si fituese duke filluar nga ato që kanë çmimin më të ulët deri në plotësimin e sasisë së energjisë së kërkuar”.

-Duke marrë në konsideratë faktin që aktualisht në Shqipëri të gjitha procedurat e prokurimit publik janë në formë elektronike dhe realizohen nëpërmjet platformave përkatëse elektronike, Konkurrenca rekomandon që kjo procedurë të parashikohet, edhe në rregullat e blerjes së energjisë elektrike.

 Hetimi i Konkurrencës

Në këtë treg Komisioni i Autoritetit të Konkurrencës ka hapur një procedurë hetimi sipas një ankese se “ofertat e paraqitura nga disa prej operatorëve janë të paarsyeshme dhe mbi çmimin e tregut dhe me diferenca të papërfillshme me njëri-tjetrin, me 5 cent dhe ka koordinim për sasitë e ofertuara dhe se skualifikimi i ofertave me çmime konkurruese ka sjellë humbje për OSHEE-në, buxhetin e shtetit dhe për konsumatorin përfundimtar”.

Segmenti i tregut të energjisë elektrike për blerjen e OSHEE-së për mbulimin e humbjeve sipas Modelit të Tregut të Energjisë Elektrike, miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave me nr.338, datë 18.3.2004, është i vetmi segment i liberalizuar dhe ku mund të zhvillohet konkurrenca, pasi OSSHEE ka të drejtë të prokurojë energjinë nga operatorët e licencuar.

Sipas vendimit të shtatorit 2014, publikuar në faqen zyrtare të Autoritetit, Komisioni i Konkurrencës ka hapur procedurën hetimore për të evidentuar kufizimet e mundshme të konkurrencës nga sjellja e pjesëmarrësve në procedurat e prokurimit të energjisë elektrike për mbulimin e humbjeve nga ana e OSHEE-së, që mund të sjellin pengimin, kufizimin dhe shtrembërimin e konkurrencës në treg, në kuptim të nenit 4 të Ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”. Periudha e hetimit do të jetë Janar – Shtator 2014 dhe duhet të përfundojë deri në mesin e muajit të ardhshëm.

 Vjedhja e BSH-së dhe e OSHEE-së, aq sa abuzimi me energjinë i 220,000 familjeve shqiptare

 Pas superskandalit të vjedhjes së Bankës së Shqipërisë të një shume prej 713 milionë lekë (edhe pse mendohet që vjedhja të jetë më e madhe se kaq), ose 7 milionë dollarë, nuk vonoi të dalë në sipërfaqe vjedhja e radhës (në dëm të Buxhetit të Shtetit), kësaj radhe nga OSHEE me tenderët e blerjes së energjisë në një shumë prej  7 milionë eurosh, ose rreth 10 milionë dollarë. Ndërkohë, që Policia e Shtetit po merret me një aksion “të rëndësishëm”, atë të vjedhjes së energjisë, duke u kthyer tashmë te konsumatorët familjarë. Ndërsa, bëhet e ditur nga ministri i Brendshëm, që abuzuesit do të vihen para drejtësisë. Dakord, le të zbatohet ligji, por le t’i rikthemi shifrave:

Vetëm në 2 megavjedhjet e fundit në institucionet shtetërore të një rëndësie të veçantë (shumë vjedhje nuk janë zbuluar ende) kanë firuar nga Buxheti i Shtetit 17 milionë dollarë (këto shifra janë të përafërta, se mund të rezultojë dhe më e madhe kjo shumë). Nëse marrim një mesatare për djegien mujore të energjisë elektrike nga një konsumator familjar, atëherë vjedhja mujore e një familje shqiptare është një shumë prej 8 000 lekësh (pak e ekzagjeruar), ose 80 dollarësh. Nëse vjedhjen e fundit të 2 institucioneve shtetërore, pra, shumën 17 milionë dollarë do ta pjesëtojmë me 80 dollarë, aq sa i vjedh shtetit konsumatori familjar, atëherë do të na dalin 212,500 familje shqiptare. Pra, dy vjedhjet e fundit të institucioneve shtetërore, të bëra publike, do të ishin të barabarta me abuzimin e 212,500 familjeve shqiptare. Por, sa ka për të thënë, për abuzimet e vetë pushtetarëve me postin, me qëllim përfitimet financiare? A nuk duhet më parë të fillohet nga vetja?