Konferenca e 43-të Rajonale e Interpolit/ Çako: Shqipëria e angazhuar për të luftuar krimin

588
Ka përfunduar punimet ditwn e djeshme Konferenca e 43-të Rajonale e Interpolit që u zhvillua në Bukuresht nga 19 maj deri më 21.05.2015. Në këtë Konferencë, mori pjesë Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako. Gjatë konferencës së 43 rajonale të Interpol u diskutuan, ritheksuan dhe miratuan prioritetet kyçe të veprimtarisë së Interpolit. U prezantua projekti INTERPOL 2020, ku Lufta Kundër Terrorizmit, Lufta Kundër Krimit Kibernetik dhe Lufta Kundër Krimit të Organizuar janë pjesët thelbësore të këtij projekti.
Në përfundim të konferencës u miratuan të gjitha pikat e përcaktuara në axhendën e konferencës si dhe prioritetet e Interpolit për periudhën 2014- 2016, të tilla si: Miratimi i planit te biznesit të Sekretariatit të Interpolit 2014-2016, në kuadër të prioriteteve të Interpolit. U miratua projekti INTERPOL 2020. U zgjodh Komiteti Europian i Interpol mbi bazën e votës ku vendet e zgjedhura do të jenë: Gjermania, Hollanda, Finlanda, dhe Bosnjë –Herzegovina. U përcaktuan vendet që do të presin dhe zhvillojnë konferencat e ardhshme rajonale Europiane të Interpol, si Republika Çeke në vitin 2016 dhe Austria në vitin 2017.
Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako, para fillimit të punimeve të konferencës, zhvilloi një sërë takimesh dypalëshe, ku në të gjithë këto takime theksi u vu tek bashkëpunimi policor në të gjitha fushat për t’iu përgjigjur në mënyrën e duhur fenomeneve kriminale. Drejtori i Policisë Çako konfirmoi se Shqipëria mbetet e angazhuar maksimalisht në këtë drejtim dhe se organizatat ndërkombëtare si SEPCA, Interpoli, Europoli, SELEC, PCC SEE janë pjesë e projektit të Policisë së Shtetit për të arritur objektivin madhor të sigurisë së qytetarëve në të gjithë rajonin dhe më tej.
Sigal