Komunikata / Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë distancohet nga skandalet e abuzimeve financiare

438
Sigal

Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë ka lëshuar një komunikim ku i drejtohet publikut në lidhje me theksimin e distancimit të saj institucional nga disa modele përmbaruesish të cilët janë përfshirë në abuzime financiare.

 

Ja komunikimi i plotë :

Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë, ka ndjekur në një media kombëtare emisionin: “Zhvatje përmes kredisë”– Zbulohet abuzimi më i madh financiar në Shqipëri – Top Story”:

https://youtu.be/xYHLnyoJFWg (emisioni 1)

https://youtu.be/O4H1_L8MeEc (emisioni 2)

Dhoma e Përmbaruesve kërkon nëpërmjet kësaj komunikate, të distancohet fort dhe qartë kundër modelit të “Përmbaruesit STAR”. Ne s’jemi Ata!

Dhoma kërkon t’i komunikojë opinionit publik se, jo vetëm që është në dijeni të “fenomenit” të transmetuar në dy emisionet televizive, por ka qenë ndër vite denoncuesja e vetme e tij në institucione, si Banka e Shqipërisë, Ministria e Drejtësisë, përfshirë Kryeministrin.

Fatkeqësisht “Zhvatja përmes kredisë” vijon të ushtrohet prej vitit 2015, pa asnjë pengesë shtetërore nën “petkun” përmbarimor ose avokator. Ndërkohë që sot, duhet të sigurojmë opinionin publik se ata që ju kanë dhunuar, mashtruar dhe vjedhur pasuritë, duke ju shfaqur si “përmbarues”, “avokatë” apo “mbledhës borxhi”, nuk kanë dhe nuk kanë patur asnjë lidhje me ne dhe as me ligjin.

Ne, kërkojmë të sigurojmë opinionin publik se protagonistët “përmbarues” të shfaqur në emisionin televiziv, nuk mund të identifikohen kurrsesi me anëtarësinë e Dhomës Kombëtare dhe se, të gjithë ne, dënojmë pa asnjë ekuivok modelin e tyre.

Përmbaruesit shqiptarë kanë “mëkatet” e veta ashtu si shumë prej profesionistëve të fushës së drejtësisë në vendin tonë, por ata s’mund të identifikohen kurrë me “fytyrat” e atyre, që kanë lënduar masivisht dhe në formë të organizuar me qindra, mijëra qytetarë.

Shfaqja live e denoncimeve ndaj skemës së mashtrimit financiar, tregoi se sa rëndë është prekur pasuria dhe dinjiteti njerëzor dhe sa gjatë i kanë shpëtuar vëmendjes shtetërore krijuesit dhe protagonistët e saj.

Imazhi dhe kredibiliteti i sistemit bankar është tronditur fort nga shfaqja në dritën e televizionit, të fakteve dhe provave të gjalla, që treguan se si ka funksionuar një skemë e mashtrimit financiar nën “hundën” shtetërore dhe “mbikëqyrjen” e Bankës së Shqipërisë.

Dhoma e konsideron skemën financiare të shitjes së kredive nga bankat tek institucionet financiare jobanka, një mashtrim më të rëndë se ai i “firmave piramidale”.

Nëse në vitet ’92 – ’97 popullata u josh dhe u gënjye duke u përfshirë me vullnet të lirë në skemat piramidale, në skemën aktuale të mashtrimit financiar, mijëra qytetarëve dhe familjeve shqiptare iu imponua me dhunë “shtetërore” dhe instrumente “ligjore” përfshirja pa vullnet në të.

Banka e Shqipërisë nga mbikëqyrëse e aktivitetit bankar, është kthyer për 4-5 vitet e fundit në mbikëqyrëse dhe licencuese e aktivitetit “barbar” të mikrokredisë.

Opinioni publik duhet të informohet me hollësi se si, me mijëra kredi të mijëra qytetarëve shqiptarë, u shitën në vitet 2015 – 2020, nga banka të nivelit të dytë tek minibankat hibride të licencuara nga Banka e Shqipërisë. Këto krijuan dhe problemin publik: zhvatjen e mijëra qytetarëve!

Për gjetjen e një rrugëdaljeje për problemin e “kredive të këqija” në Shqipëri, viti 2016 shënoi gjetjen e një akrobacie ligjore nga Banka e Shqipërisë dhe goditjen e parimeve të kredidhënies me Rregullore dhe jo me Ligj.

Me rregullore, u krijuan minibankat hibride që lulëzojnë ende sot, në Shqipëri.

Me rregullore këto institucione jobanka u licencuan.

Me rregullore u lejuan të blihen e shiten “kreditë me probleme” për një “çapë bukë” dhe, brenda kësaj lirie të përkorë bankare u mashtruan me mijëra qytetarë.

Aktiviteti bankar u trajtua thjesht si një domen tregtar privat që shpërfilli hapur interesin publik.

Por sa kohë paratë janë të publikut dhe kursimet të popullatës, bankat apo minibankat nuk mund të shesin e blejnë kreditë pa asnjë skrupull, mbikëqyrje apo vëmendje shtetërore.

Ndaj, Dhoma i bën thirrje gjithë sistemit shtetëror dhe atij bankar në vend se, “Zhvatja përmes kredisë” është një fenomen i papranueshëm për një shtet demokratik që duhet ndaluar menjëherë dhe gjithë qytetarët që kanë rënë pre e tij duhen vendosur nën kujdesin shtetëror.

Ne, i bëjmë thirrje Kryeministrit të aktivizojë gjithë instrumentet shtetërore për mbrojtjen e interesave të një numri kaq të madh qytetarësh, që kanë rënë pre e mashtrimit financiar.

I bëjmë thirrje ministrit të Drejtësisë të ndërmarrë veprime konkrete dhe mos “flejë gjumë”, duke luftuar korrupsionin me fotografi antikorrupsion. Mijëra qytetarë të mashtruar presin një zgjidhje për hallin e tyre me sytë nga Ministria e Drejtësisë.

I bëjmë thirrje prokurorisë që përveç se të zbardhë dhe të vërtetojë me themel mashtrimin publik, të ndërmarrë pa vonesë, veprime efektive për të ndaluar maskaradën financiare që ka vijuar ndaj mijëra qytetarëve sikur në kohën e Hetimit ashtu dhe në kohën e Pandemisë.

Të bindur se Drejtësia duhet të jetë një e mirë që as nuk shitet dhe as nuk blihet dhe se mbrojtja e dinjitetit dhe të personalitetit njerëzor duhet të jenë shtyllat e ushtrimit të cilitdo profesion në Republikën e Shqipërisë, Dhoma mirëpret denoncimin në vijim të çdo qytetari dhe do të jetë aleat me të deri në zhdukjen e fenomenit të denoncuar nga dy emisionet televizive.

Ne e konsiderojmë për detyrë morale dhe qytetare, të ndihmojmë, orientojmë dhe sqarojmë çdo qytetar për problemin që mund të ketë hasur dhe për rrugën ligjore që duhet të ndjekë nëse ka nevojë të tregojë dhe denoncojë mbi fenomenin “Zhvatja përmes kredisë”.

Mënyrat e mëposhtme të kontaktit dedikuar për këtë ndihmë:

-E-mail: [email protected]
-Facebook: Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë
-Me postë në adresën: rruga “Nikolla Jorga”, ndërtesa 9, kati i 2-të, Tiranë