Kompanitë e naftës dyshohet se kurdisen çmimet, nesër merret vendimi

293
Sigal

Autoriteti Kosovar i Konkurencës ka njoftuar se nesër do ta bëjë publik vendimin përfundimtar për kompanitë që dyshohen që kanë manipuluar me çmimet e naftës në kohën e pandemisë.

AKK do të mbajë konferencën nesër në ora 10:00 në ish-objektin e Bankës së Lubjanës.

“Ju njoftojmë se të premten (08.05.2020), në orën 10, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës do ta shpalosë vendimin përfundimtar lidhur me rastin që ka të bëjë me dyshimet për manipulime me çmime nga kompanitë e derivateve të naftës”, thuhet në njoftim.

Si pasojë e pandemisë së koronavirusit çmimet e karburanteve kanë rënë në nivelin më të ultë në 20 vjetët e fundit. Kjo gjë është mirëpritur nga qytetarët e në veçanti nga bujqit. Por, tregtarët e arit të zi thonë se kjo nuk do të zgjasë shumë.

Kryetari i  Shoqatë së Naftëtarëve, Fadil Berjani ka treguar se çmimi i naftës është rritur nga 7 deri në 10 cent.

Madje, ai paralajmëroi se në vazhdimësi do të ketë rritje të këtij çmimi.

“Vendimi për rritjen e çmimeve nuk është  një gjë e mirë, por përderisa ka reduktim të prodhimit, çmimet do të rriten në mënyrë automatike. Edhe  pse, mund të themi se qytetarët e republikës së Kosovës janë duke u furnizuar me çmimet ma të mira në rajon” ka thënë Berjani.

Por, çmimet janë rritur vetëm me shumicë për shkak të prodhimit.

“Çmimet po sillen nga 85 cent për dizell, ndërsa 84 për benzinë. Çmimet me shumicë janë rritur nga 7  deri në 10 cent. Ndërsa me pakicë nuk ka rritje”.

Ngritjet e çmimeve kanë ardhur pas vendimit të Organizatës Prodhuese të Naftës.

Pasi që Kosova nuk ka rafineri të vetën, operatorët ekonomikë brenda një viti importojnë rreth 700 milionë litra të këtyre derivateve. Derivatet në Kosovë kryesisht importohen nga Serbia, Greqia dhe Bullgaria.

Virusi Korona që u shfaq në Kosovë me 13 mars ka bërë që shumë biznese të mbyllen e disa tjera janë obliguar që të punojnë me staf të reduktuar.