Kompanitë e huaja nxorën jashtë Shqipërisë 561 milionë Euro gjatë pandemisë

93
Sigal

Kompanitë e huaja që operojnë në Shqipëri kanë dërguar jashtë 141 milionë Euro fitime gjatë tre muajve të parë të këtij viti, duke shënuar rekordin më të lartë të regjistruar në këtë periudhë në dekadën e fundit. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, gjatë periudhës së pandemisë, ndërmarrjet e huaja kanë rritur transferimin e fitimeve në kompanitë mëma, duke çuar në total 561 milionë Euro nga Prilli i vitit 2020 deri në Mars të këtij viti.

Vetëm gjatë vitit të shkuar, sipas mediave, vlera e fitimeve të gjeneruara në ekonominë shqiptare, por e dërguar në shtete të tjera, zë 5% të prodhimit kombëtar të vendit. Edhe pse kufizimet e pandemisë së Covid-19 përmbysën bilancet e shumë bizneseve duke shkaktuar humbje për një pjesë të konsiderueshme të tyre, shumica e sipërmarrjeve të huaja janë detyruar të dërgojnë një pjesë të kapitalit të tyre jashtë për shkak të vështirësive që kanë patur firmat mëmë në vendet ku operojnë.

Transferimet e fitimeve janë rritur me 15% në Janar-Marsin e këtij viti kundrejt të njëjtës periudhë të vitit që shkoi. Të dhënat zyrtare tregojnë se në total kompanitë kanë riinvestuar 22 milionë euro nga fitimet e gjeneruara në këtë periudhë, ndërsa 85% të fitimit e kanë dërguar jashtë.