Komiteti i Veteranëve të LANÇ: Luftën Antifashiste nuk e përdhosin dot bashkëpunetorët e Hitlerit

283

Institucioni i Presidencës i ka shpallur fushatën më të turpshme luftë vlerave
të Nacionalçlirimtares me dekorimin e tradhtarëve

 

Lufta Nacionalçlirimtare,
luftë e lavdishme dhe jo luftë civile

 

(Letër e Hapur Drejtuar: Kuvendit të Republikës së Shqipërisë)

 

Ne, Komiteti i
Veteranëve të LANC dhe Organizata e Familjeve të Dëshmorëve të Rrethit Kukës
jemi tepër të indinjuar për zhvillimin e ngjarjeve në këto vite të tejzgjatura
të tranzicionit që në disa drejtime e kanë çuar vendin prapa dhe shoqërinë
shqiptare në depresion. Jemi shumë të indinjuar dhe të zhgënjyer nga
indiferenca e theksuar e Kuvendit për përpjekjet dhe sulmet e shumë
institucioneve Tuaja për deformimin e historisë të popullit tonë e në veçanti
atë të luftës së lavdishme nacional çlirimtare për ta denigruar atë dhe
paraqitur si një “luftë civile” dhe antikombëtare!

Bazuar mbi këtë
strategji afat gjatë, synohet hapur rehabilitimi i plotë i të gjithë kriminelëve,
bashkëpunëtorëve e kolaboracionistëve të nazi-fashizmit, diversantëve terrorist
dhe strehuesve të tyre që u financuan dhe vazhdojnë të paguhen nga qarqet anti
shqiptare. Për fatin e keq të Shqipërisë, sot janë bashkuar me ta disa
politikanë, drejtues institucionesh shtetërore e në veçanti Institucioni i
Presidencës i cili ka shpallur fushatën më të turpshme për dekorimin me
dekorata më të larta nderi të gjithë këtij llumi historik. Shqipëria në vitet e
këtij  tranzicioni, krahas disa arritjeve
të pa mohueshme për demokratizimin e jetës shoqërore, për lirinë e shprehjes
dhe lëvizjes për zhvillimin e pronës dhe biznesit etj, ka hapur edhe shumë
problematika të reja dhe fenomene negative që kanë zaptuar shoqërinë shqiptare
duke njollosu emrin e nderuar të vendit tonë, duke shpërfillur dhe poshtëruar
zakonet dhe traditat tona Kombëtare dhe duke i përcjellë botës imazhin e keq të
një vendi që nuk mund të vetëqeveriset sepse ka një ‘”popullsi të egër dhe
primitive” !

 

Kundër së keqes

Në të gjitha këto
vite, shoqëria shqiptare është bërë skena ku luhet drama e së keqes Ka
degjeneruar familja shqiptare, e cila ka qenë shtylla e vitalitetit dhe qëndrueshmërisë
së identitetit kombëtar. Sot si në asnjë vend të botës, janë masivizuar
shfaqjet kur i biri vret babën apo nënën, burri vret gruan e anasjelltas, vëllai
vret vëllanë, babai përdhunon të bijën, etj. Femra shqiptare shitet,
poshtërohet, përdhunohet në mes të rrugës, masakrohet e vritet. Krimi në shoqërinë
shqiptare është bërë ritual i zakonshëm, sulmohen, grabiten e vriten biznesmen,
familjar, shitës ambulant, udhëtar e hallexhinj. Është ringjallur hakmarrja dhe
gjakmarrja. Ethet tuaja për të mbajtur apo rimarrë pushtetin e kanë politizuar
shoqërinë shqiptare duke nxitur deri vëllavrasjen në interes të politikave
tuaja personale/ farefisnore e klanore. Janë të pa falshme veprimet tuja në
rekrutimet që keni bërë për modelimin dhe ndërtimin e Administratës publike, një
administratë e pa aftë profesionalisht, militante dhe partiake, e korruptuar
dhe e pa moralshme, e aftë vetëm për të lodhur dhe mërzitur qytetarët. Ndërkohë
keni bërë krimin më të madh shtetëror duke larguar dhe mos pranuar në
administratë të gjithë intelektualët dhe specialistët më të aftë, më të
kualifikuar e të provuar në praktikën shumë vjeçare të punës. Ju këta nuk i
doni sepse këta bij dhe bija të denja të popullit, nuk do t’ju lejonin të
veproni siç po veproni, në kundërshtim me interesat dhe vlerat e çmuara kombëtare.
Ata kurrë nuk do të pajtohen me praktikat korruptive dhe shitjen e pasurive
tona kombëtare. Sjelljet tuja të pa përgjegjshme, kanë gjymtuar të ardhmen e
Shqipërisë. Shqipëria, me një shoqëri të rënë në depresion, me një rini pa
shpresë dhe pa motiv, me një ekonomi që nuk gjeneron zhvillim dhe prodhim
vendas, me burimet natyrore dhe pasuritë kombëtare të vëna nën protektoratin e
kapitalit të huaj, ju keni vrarë shpresën e shqiptarëve.

 

Me veprimet dhe mos
veprimet tuja

Zotërinj
deputetë! Me veprimet dhe mos veprimet tuja në krijimin e kësaj  situate, Ju dhe vetëm ju, jeni përgjegjësit
kryesorë për të cilën duhet të ndëshkoheni dhe mos kujtoni se do t’i shpëtoni votës
popullore dhe organeve të drejtësisë. Në këtë votë për të drejtën do të prijnë
të rinjtë dhe të rejat që ju, u humbët shpresën e jetës dhe dashurinë për atdheun
duke i lënë pa punë, në mëshirën e drogës, alkoolit dhe prostitucionit. Kundra
jush janë të gjithë intelektualet e vërtetë, specialistët e të gjitha fushave që
ju i flakët rrugëve. Ju mallkojnë gratë dhe nënat shqiptare, jo vetëm sot e në
26 vitet që kaluan, pasi u krijuat ndjenjën e ankthit, pasigurisë e pesimizmit
në jetën e tyre. Shohim me keqardhje, se por humbet dinjiteti, krenaria dhe
kodi moral i paprekshmërisë së femrës shqiptare. Në luftë nervash me ju, është
e gjithë shoqëria shqiptare kur ju zhvilloni seancat plenare dhe sallën e Kuvendit
e keni kthyer në arenë gladiatorësh, duke na shitur trimëri dhe paraqiteni
sikur jeni të djegur e përvëluar për interesat e popullit. Në të vërtetë në këto
ditë, urrejtja kolektive qytetare ndaj jush është gati në pikën e vlimit.

 

Institucionet e
qëndisura dhe bojatisura në formë

Institucionet
Tuaja të qëndisura dhe bojatisura në formë, janë  të përdala në përmbajtje dhe janë kthyer në
shkelës të vërtetë të detyrimeve kushtetuese. Në krye të moszbatimit të
detyrimeve kushtetuese qëndron vetë Presidenti i Republike zoti Bujar Nishani,
i cili në asnjë rast nuk është vënë re të ndërhyjë apo të reagoje për malin e
madh të problemeve që parashtruam më lart. Ai si një nxënës i zellshëm dhe bir
në shpirt i Sali Berishës, ka braktisur detyrën funksionale dhe është vënë në
shërbim të veprës së turpshme të deformimit të historisë dhe rehabilitimit të
gjithë forcave tradhtare e anti-kombëtare. Si kryetar Shteti dhe i Këshillit të
Lartë të Drejtësisë, me zgjedhjet dhe përzgjedhjet e tij në drejtësi, e çoi
vendin tonë në një kaos për dhënien e drejtësisë qytetarëve shqiptarë. Me
sistemin e drejtësisë që kultivoi, Shqipëria u bë vendi më i korruptuar, me lulëzim
krimi, droge e prostitucioni. Qëndrimi i tij i hapur për të penguar edhe reformën
në drejtësi, tregoi se sa e madhe është papërgjegjësia e tije në shpërfytyrimin
dhe politizimin e drejtësisë. Ne veteranët e LANC dhe familjet e dëshmorëve të
rrethit të Kukësit nuk pajtohemi kurrë me veprimet dhe sjelljet tuaja zoti
President, për vlerësimin e figurës së Mbretit Zog dhe të Muharrem Bajraktarit!
I pari duhet gjykuar si bashkëpunëtor i Serbisë (armiku shekullor i Shqiptarëve],
i ardhur në pushtet pas rrëzimit me dhunë të Fan Nolit dhe me ndihmën e Serbisë.
Si mund të emërtohet figurë e madhe patriotike kombëtare Muharrem Bajraktari
kur ai nuk ka shkrehur asnjë pushkë kundra pushtuesve nazi-fashist, por përkundrazi
u lidh e  bashkëpunoi ngushtë me ta
kundra Luftës Nacional-çlirimtare?

 

    Komiteti i Veteranëve të LANÇ,   Kukës