Komisionieri për Mbrojtjen nga Diskriminimi: Rasti i Prokurores Elisabeta Imeraj, skandaloz që paragjykohet nga krahina

297
Sigal

Elisabeta Imeraj po bën betejën e jetës së saj, por edhe për dhjetra prokurorë e gjyqtarë. Ajo po sulmohet nga Vettingu se është nga Veriu, çka është e dënueshme ligjerisht dhe moralisht.

Nëse shikon me vëmendje KPK ka larguar me shumicë prokurorë dhe gjyqtarë që kanë prejardhjen nga Veriu i Shqipërisë.

Skandali në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku prokurorja Elisabeta Imeraj është diskriminuar për shkak të origjinës, nga anëtarja e KPA-së, Genta Bungo, ka sjellë edhe reagimin e Komisionierit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, i cili thotë se u njoh me rastin përmes medieve online dhe sinjalizimeve në rrjetet sociale. Institucioni i Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi shpreh keqardhjen për paragjykimet dhe vlerësimet e personave për shkak përkatësie dhe jo aftësie. Sipas tij, diskriminimi krahinor është i papranueshëm.

Akoma sot, paragjykimet dhe mendësitë diskriminuese ushqejnë organet shtetërore shqiptare dhe shoqërinë.

Institucioni i Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi udhëzon shmangien e paragjykimeve dhe përkatësive, në vlerësimin e personalitetit njerëzor dhe profesional.

Ushqimi i steriotipeve në përditshmëri është i papranueshëm dhe bëhet shkak i sjelljeve diskriminuese.

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi nxit qytetarët ti drejtohen zyrës së KMD të sinjalizojnë situata diskriminuese, duke theksuar se mbrohen me ligj. Mesazhet diskriminuese, i publikoi vetë Prokurorja Imeraj, ku anëtarja e KPA Genta Bungo i i thotë koleges se, Elisabeta Imeraj është ‘maloke nga Tropoja’ ndaj duhet të shkarkohet.

Prokurorja Imeraj e ka cilësuar ketë një rast të pastër diskriminimi, duke theksuar se nuk mund të penalizohet prej origjinës. Rasti solli reagime të ashpra në radhët e politikës dhe opinionit publik.

Mësohet se Vettingu po heq nga sistemi i drejtësisë kryesisht ata që janë nga Mirdita, Tropoja, Kukësi, Puka dhe Burreli.

Në këtë rast duhet të hetojë SPAK mbi KPK dhe KPA.

Ky linçim ndaj atyre që janë nga Veriu në sistemin e drejtësisë mbetet kriminal e duhet që dikush jo vetëm të reagojë me fjalë e deklarata, por edhe me pranga kush shkel ligjin.