Kolonjarët: Do të aratisemi në malet e Gramozi, nuk rrihet në shtëpi

590
Sigal

Nga Vepror Hasani

Mbledhja e bimëve mjekësore, mbijetesa jonë

Aktualisht në qarkun e Korçës tre qytete vijojnë të mbeten të paprekura nga virusi korona: Pogradeci, Bilishti dhe Kolonja; po ashtu edhe Bashkia e Pustecit. Ndërsa qyteti i Korçës ditën e martë  shënoi një tjetër rast të ri, duke e çuar numrin e të prekurve nga virusi në 15. Qytetet e këtij qarku vijojnë të respektojnë masat e marra për mospërhapjen e koronavirusit, por ndryshe nga qytete e tjera, shumë banorë të qytetit të Ersekës kanë vendosur të thyejnë karantinën.

Karantinimi i Ersekës

Banorët e qytetit të Ersekës dhe të fshatrave përreth po përgatiten të lënë banesat e tyre për të shkuar në malet e Gramozit. Fillimprilli përkon me periudhën e mbledhjes së aguliçes në këto male, ndërsa vijon me mbledhjen e bimëve të tjera gjatë gjithë verës. Bimët mjekësore janë të vetmet të ardhura që sigurojnë banorët për të kaluar vitin, pasi papunësia për Ersekën dhe fshatrat e saj mundon jetën e shumë banorëve. Është kjo arsyeja që ata po bëhen gati të thyejnë rregullat e karantinës duke shpresuar se do të kenë edhe lejen e qeverisë, pasi në të kundërt, siç shprehen banorët, do të arratisen në malet e Gramozit, ashtu siç kanë bërë çdo vit, sepse gjetja  e një pune në këto zona nuk është e mundur. As rregullat e koronavirusit nuk do t’i mbajnë dot brenda mureve të shtëpisë, sepse pa bimë mjekësore nuk sigurojnë dot jetesën e tyre, aguliçja është e vetmja lule që blihet me një çmim të kënaqshëm.

As grekët nuk na pengojnë

“Do të arratisemi, – na thonë shumë prej banorëve të Ersekës, – nuk rrihet më në banesë”. Dhe e vërteta është se çdo verë pllajat e Gramozit mbushen me njerëz, është një mizëri e tërë, çdo pëllëmbë e vendit nxin nga mbledhësit e luleve. Janë të shumta ata që flenë në mal, sepse brenda një apo dy jave mblidhet çdo lule që del. Shpesh banorët e Kolonjës hyjnë edhe në territorin grek për mbledhjen e aguliçes, ku jo rrallë herë kapen nga policia apo ushtria greke,  por as ata nuk i ndalojnë. Kolonjarëve u duhet të shkojnë përtej kufirit për të nxjerrë një lek më shumë, sepse andej është zona ku kjo lule gjendet më shumicë. Nga duart e tyre mblidhen çdo vit 10 tonë stil i kuq, 30 tonë aguliçe, 100 tonë trendafil i egër, 200 tonë dëllinjë e kuqe dhe e zezë, etj, si dhe lule shtogu, kullumbri, balsam, sherbelë, mollçinka etj. Madje është kjo arsyeja që çdo vit i kërkojnë qeverisë instalimin e një teknologji përpunuesë për bimët mjeksore me qëllim marrjen e esenës, gjë do të bënte të mundur hapjen e vendeve të reja të punës për të rinjtë, por në të gjitha rastet e kërkesës, përgjigje nuk ka patur.

Premtime të pambajtura ndër vite

Me qenëse mbijetesa e  banorëve të qytetit të Ersekës dhe të shumë banorëve të fshatrave  është e kushtëzuar nga mbledhja e bimëve medicinale, gjithnjë është premtuar se do të studiohet çdo mundësi reale për krijimin e qendrave të grumbullimit dhe marketimit të produkteve të fermerëve; ngritja e një qendër grumbullimi dhe marketimi për produktet bujqësore të fermerëve; ngritja e një linje për grumbullimin, amabalazhimin dhe marketimin e bimëve medicinale dhe ngritja e një tregu për prodhimet artizanale pranë tregut tradicional. Të gjitha këto do të shoqëroheshin me reklamimin e vlerave kulturore dhe historike të saj, në bashkëpunim me agjencitë turistike në Shqipëri dhe operatorët e udhëtimeve për promovimin e vlerave turistike të rajonit, me synim përfshirjen e këtyre vlerave në paketat e tyre promovuese turistike. Gjithashtu do të inkurajohej restaurimi dhe mirëmbajtjen e monumentve historike, kulturore dhe ringjallja e traditës së folklorit të zonës, por deri më sot ose është bërë shumë pak, ose asgjë.