Kokëdhima kujton Mehmet Emërllahun: Një mik i dashur, bashkëpunëtor vizionar, patriot i paepur dhe familjar shembullor

160
Sigal

Kryetari i partisë “Zgjidhja”, Koço Kokëdhima, njëherësh, biznesmen dhe botues, i kushtoi fjalë të ndjera gazetarit dhe botuesit nga Kosova, Mehmet Emërllahu, që u shua sot nga një sëmundje e rëndë. Kokëdhima e cilësoi Emërllahun një mik të dashur, bashkëpunëtor vizionar, patriot të paepur dhe familjar shembullor, duke përshkruar 30 vitet e fundit të jetës dhe veprimtarisë së botuesit kosovar, në shërbim të çështjes kombëtare dhe kontributit në media.

Statusi i Kokëdhimës

Sot humbëm Mehmet Emërllahun, një mik të dashur, bashkëpunëtor vizionar, patriot të paepur dhe familjar shembullor.

Tri dekada më parë Mehmeti la qytetin e vogël të Zofingen-it, në Zvicrën e qetë, ku ishte shpërngulur pasi redaksia e gazetës “Rilindja” ishte përzënë nga Prishtina prej pushtuesve serbë, për të nisur një epokë të re të vështirë, por të lavdishme në kryeqytetin e Shqipërinë, Tiranë.

“Rilindja” ishte më tepër se një gazetë që shtypej në Tiranë dhe shkonte fshehurazi në Kosovën e pushtuar. Ishte pika e takimit të mërgimtarëve që kontribuonin për vendin që vuante nën thundrën e rregjimit të Millosheviçit, mediumi ku në çdo fjalë kërkohej pavarësia nga Beogradi, dhënia fund e represionit serb dhe nisja e rezistencës popullore që do të kulmonte në vitet 1998-1999.

Për shumë vite, shtypshkronja e tij ishte një derë mikpritëse për median e shkruar shqiptare dhe ai, një burrë patriot që shikonte përtej llogarive të vogla të biznesit. Nuk ka patur botues gazetash në Shqipëri që nuk trokiti të paktën një herë në atë derë bujare të gazetarit dhe botuesit më të njohur të tranzicionit shqiptar.

Vitet e fundit të jetës së Mehmet Emërllahut ishin të mbushura me drama familjare. E përjetoi shumë keq sëmundjen e bashkëshortes dhe nënës së fëmijëve dhe bëri gjithçka për shërimin e saj. Por vetë nuk ia arriti ta fitojë betejën me sëmundjen e rëndë që e kishte penguar të ishte aktiv fizikisht, por jo me shpirt dhe me zemër.

Të qoftë i lehtë dheu në fshatin e lindjes, Mehmet i dashur!