KLSH, në Konferencën e VI-të Ndërkombëtare në Varshavë

606
Në vijim të konsolidimit dhe zgjerimit të marrëdhënieve institucionale bashkëpunuese e bashkëvepruese me homologët dhe institucionet ndërkombëtare, Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH), pesë ditë më parë është bërë pjesë e takimi të rëndësishëm të nivelit të lartë ndërkombëtar. Konkretisht, një delegacion i KLSH, në datat 9-10 dhjetor 2015 ka qenë në Varshavë-Poloni, si pjesëmarrës në punimet e “Konferencës së VI-të Ndërkombëtare për Antikorrupsionin”. Në fokus të punimeve 2 ditore të kësaj konference të rëndësishme, ishte forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar, për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit. Në këtë konferencë ishte pjesëmarrës edhe KLSH e Shqipërisë, përfaqësuar nga një delegacion zyrtarësh të lartë të këtij institucioni. Në konferencën ndërkombëtare për anti-korrupsionin, që zhvilloi punimet në Varshavë të Polonisë, delegacioni i KLSH përbëhej nga zoti Xhaferr Xhoxhaj me funksion Drejtor Departamenti, nga Artur Hasanbelliu me detyrë Kryeauditues dhe nga zoti Koço Sokoli, me detyrë Përgjegjës Sektori në KLSH. Konferenca e mbajtur në Varshavë të Polonisë në datat 9-10 dhjetor 2015, kishte lidhje me faktin, që data 9 Dhjetor, njihet si “Dita Ndërkombëtare e Anti-Korrupsionit”. Kjo datë simbol e luftës anti-korrupsion është caktuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Në këtë ditë përkujtohet Ratifikimi i “Konventës së OKB-së Kundër Korrupsionit”, nënshkruar në dhjetor të vitit 2003, në Merida të Meksikës. Iniciativa e OKB-së, thekson rolin e Konventës në luftimin dhe parandalimin e korrupsionit në jetën publike dhe private e gjithashtu, ajo synon të rrisë ndërgjegjësimin e publikut në këtë fushë. Konferenca i zhvilloi punimet e saj në “Qendrën Shkencore Kopernik” në Varshavë. Këtë vit, për herë të parë në historinë 5 vjeçare të këtij aktiviteti, konferenca i zhvilloi punimet e saj për 2 ditë me radhë. Tema e punimeve të kësaj konference të rëndësishme, ishte forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar, në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit. Ky takim, u zhvillua si një debat i përbashkët, për integrimin e aktiviteteve anti-korrupsion të institucioneve që kanë për detyrë parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit. Në ditën e parë të konferencës, folën përfaqësues të nivelit të lartë të institucioneve të Polonisë dhe të atyre ndërkombëtare, të cilat ishin ftuar të merrnin pjesë nga Byroja Qendrore e Anti-korrupsionit të Polonisë. Përvojat e tyre në luftën kundër korrupsionit, i paraqitën për pjesëmarrësit e konferencës, Shërbimi i Hetimeve Speciale të Republikës së Lituanisë (STT), Qendra Kombëtare Kundër Korrupsionit në Moldavi (CNA), Nisma Rajonale Kundër Korrupsionit (RAI), Zyra Evropiane e Anti-Mashtrimit (OLAF), “Transparency International” (TI), Drejtoria Kombëtare Kundër Korrupsionit e Rumanisë (DNA), Byroja Federale e Anti-Korrupsionit në Austri (BAK) dhe si dhe shërbimi “Rojet Kufitare të Polonisë”. Ndërsa në ditën e dytë të konferencës, punimet u drejtuan nga ekspertët dhe këto punime ishin konceptuar në dy panele. Në panelin e parë, u përfshinë prezantimet me temë nga përvojat në bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër korrupsionit. Këto prezantime, u mbajtën nga përfaqësuesit e institucioneve të Zyrës Europiane Kundër Mashtrimit, Zyrës Kombëtare Anti-Korrupsion të Ukrainës nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, Drejtoria e Policisë dhe Byroja Qendrore e Anti-korrupsionit të Polonisë nga Zyra e Mashtrimeve të Rënda, nga Agjencia Kombëtare e Krimit të Mbretërisë së Bashkuar dhe nga OSBE-ja. Paneli i dytë, trajtoi përvojat në lidhje me masat e marra për të parandaluar korrupsionin. Prezantimet u kryen nga përfaqësues të Fondacionit Stefan Batory, Qendrës për Parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Bullgari, Ministria e Drejtësisë së Polonisë, Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin, Inspektori i Përgjithshëm i Informacionit Financiar si dhe Agjencia Kombëtare Integritetit të Rumanisë.
Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 15.12.2015
Sigal