Kosovë, Haradinaj: Duke arrestuar deputetët, po i shkurtoni jetën qeverisë suaj

430
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e Ramush Haradinajt ka reaguar ndaj arrestimeve të deputetëve të tyre ditën e sotme. AAK thotë se paranoja e shefave politikë të qeverisë nuk ka të ndalur. “Pas arrestimit me urdhër të tyre të deputetit Pal Lekaj dhe djalit të tij, i cili po mbahet në burg tash e sa ditë, në orët e vona, policia ka arrestuar edhe dy deputete të AAK-së, Time Kadriajn dhe Teuta Haxhiun. Me arrestimet e fundit, ky pushtet po dëshmon se është diktatorial dhe komunist dhe përballë paranojës së humbjes së pushtetit, nuk po lë gjë pa bërë, vetëm për t’i mbrojtur pozitat e veta”, thuhet në këtë reagim të AAK-së.

Skenarët e qeverisë për mbajtjen e seancave plenare dhe përpjekja e tyre për të kriminalizuar opozitën dhe për ta bërë njëjtë si veten, AAK thotë se “nuk do të kalojnë, sikundër nuk do të kalojnë as marrëveshjet anti-Kosovë që i kanë nënshkruar ata”. “AAK u bën me dije urdhërdhënësve se me burgosjen e deputetëve, qeveria po ia shkurton jetën vetës dhe jo deputetëve. Ata do të jenë të lirë dhe do të jenë gjithmonë në mbrojtje të interesit kombëtar të Kosovës, pavarësisht skenarëve të Isa Mustafës e Hashim Thaçit”, përfundon ky reagim.
Sigal