KLSH: Emergjencat Civile, mangësi në mjete e njerëz për përballimin e fatkeqësive

144
Sigal

Shqipëria është e papërgatitur për të përballuar fatkeqësitë natyrore. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka realizuar një auditm për vitin 2021 në Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile ku janë vërejtur një sërë mangësish të mjeteve dhe burimeve njerëzore në përballimin e situatave të ndryshme.

Kontrolli Lartë i Shtetit thekson se numri banorë-zjarrfikës për vitin 2021 është 2,185 duke kaluar 205 banor për zjarrfikës çka bie në kundërshtim me Ligjin “Për shërbimin e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin”.

Mjetet zjarrfikëse rezultojnë se janë me defekte pa dokumentacion përkatës ndërsa disa janë të vjetra e datojnë që në vitet 1960.

Ndërkohë bashkive dhe njësive administrative u mungojnë pajisjet mbrojtëse personale dhe pajisje të jashtme për shuarjen e zjarreve, si: Kostume anti-zjarr, kundragaz, çizme kundra zjarrit apo doreza kundra zjarrit .

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar gjendje të mangët operacionale edhe në helikopterët e Forcave të Armatosura të destinuar për emergjencat civile në rastet e zjarreve. Kjo ka krijuar boshllëk në kryerjen e operacioneve të shuarjes së zjarreve të rëna në vendin tonë. Në total Ministria e Mbrojtjes zotëron 4 helikopterë por vetëm një prej tyre është në gjendje pune .

Sipas Klsh shkelje janë vërejtur edhe në kontratën e marrjes me qira të këtyre helikopterëve për të cilët është paguar 36 milion lekë për 89 orë punë.

Po ashtu ligji i Emergjencave Civile të Shqipërisë është shumë i vjetër pasi nuk ka ndryshuar që në vitin 2004 dhe nuk pasqyron rrethana te reja në fushën menaxhimit të emergjencave. Në auditim theksohet se Shqipëria nuk ka Strategji Kombëtare për Zvogëlimin e Riskut nga Fatkeqësitë, dhe vlerësimin e riskut nga fatkeqësitë në nivel qendror.