KLD emëron 14 gjyqtarë të rinj/ Ja kush janë

1662
Sigal

Këshilli i Lartë i Drejtësisë,
ka emëruar sot 14 gjyqtarë të rinj në Gjykatën e Tiranës, atë të Apelit dhe në
gjykata të tjera nëpër Shqipëri. Fillimisht është miratuar kërkesa e Kryetarit
të Gjykatës së Lartë, për dhënie pëlqimi për ushtrimin e detyrës së ndihmësit
ligjor pranë Gjykatës së Lartë të gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor
Vlorë, Florjan Kalaja.

Në vijim të mbledhjes, Këshilli
shpalli vendin vakant për funksionin drejtues të kryetarit të gjykatës, në
Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për shkak të mbarimit të mandatit në këtë
funksion, më datë 18.01.2017, të z. Fatri Islamaj.

Lidhur me shqyrtimin e
kandidaturave për gjyqtarë në Gjykatën e Apelit Vlorë të parashikuar për këtë
mbledhje Këshilli vendosi rishpalljen edhe një herë të vendit vakant pranë
kësaj gjykate.

Në përputhje me rendin e ditës,
anëtarët e KLD-së, pasi konsultuan procesverbalin e testimit, raportin mbi
rezultatet e pikëzimit të kandidatëve, tabelat e pikëzimit, raportet mbi
shqyrtimin e kandidatëve, shqyrtuan dhe votuan kandidaturat për gjyqtarë, për
plotësimin e vendeve vakant, në Gjykatat e Apelit Tiranë dhe Shkodër. Pas
përfundimit të procesit të votimit, Këshilli i Lartë i Drejtësisë me shumicë
votash, vendosi të transferojë z. Andi Civici nga Gjykata e Apelit Vlorë në Gjykatën
e Apelit Tiranë, si dhe t’i propozojë Presidentit të Republikës, emërimin e
gjyqtarëve znj. Elona Stavri, znj. Elbana Lluri, z. Fatri Islamaj, z. Asim
Vokshi, dhe z. Artur Gaxha, nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në Gjykatën
e Apelit Tiranë. Ndërsa për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën e Apelit
Shkodër, Këshilli vendosi t’i propozojë Presidentit të Republikës, emërimin e
znj. Vojsava Osmanaj.

Në vijim të mbledhjes anëtarët e
KLD-së, shqyrtuan kandidaturat, për plotësimin e 1 (një) vendi vakant, në
Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lezhë dhe në përfundim të procesit të votimit,
Këshilli vendosi transferimin e gjyqtarit Artan Hajredinaj, njëkohësisht edhe
kryetar i kësaj gjykate, nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tropojë, në Gjykatën e
Rrethit Gjyqësor Lezhë. Në funksionin drejtues të kryetarit të Gjykatës së
Rrethit Gjyqësor Tropojë u delegua për të ushtruar përkohësisht detyrën e
kryetarit, gjyqtari Dritan Seci, si dhe shpalli vendin vakant për pozicionin e
kryetarit të kësaj gjykate.

Me miratimin e transferimit të dy
gjyqtarëve të mësipërm u miratua më pas dhe kërkesa e Ministrit të Drejtësisë
për shpalljen publike, të një vendi vakant në Gjykatën e Apelit Vlorë dhe një
vend vakant në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tropojë.

Bazuar në përcaktimet e rendit të
ditës, Këshilli shqyrtoi projekt-aktet përfundimtare të vlerësimit, të
Kryeinspektorit të Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në zbatim
të Vendimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë Nr. 261/2, datë 14.04.2010
“Sistemi i Vlerësimit të Gjyqtarëve”. Në përfundim, Këshilli miratoi aktet e
vlerësimit për gjyqtarët e mëposhtëm:

Gjyqtar Petrit Çomo, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë;

Gjyqtar Sokol Tona, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë;

Gjyqtar Ridvan Hado, Gjykata e Apelit Tiranë;

Gjyqtar Agim Bendo, Gjykata e Apelit Tiranë;

Gjyqtare Fiqirete Mullaj, Gjykata e Apelit Tiranë;

Gjyqtare Fatmira Hajdari, Gjykata e Apelit Tiranë;

Gjyqtare Etleva Deda, Gjykata e Shkallës së Parë për
Krime të Rënda;

Gjyqtare Marjana Dedi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë;

Gjyqtare Blerina Muça, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë;

Gjyqtar Amarildo Laçi, Gjykata Administrative e Apelit
Tiranë;

Gjyqtare Albana Boksi, Gjykata e Apelit për Krime të
Rënda;

Gjyqtar Fuat Vjerdha, Gjykata e Apelit Shkodër;

Gjyqtare Dhurata Haveri, Gjykata e Apelit për Krime të
Rënda;

Gjyqtare Fran Prendi, Gjykata e Shkallës së Parë për
Krime të Rënda.

Gjithashtu, Këshilli shqyrtoi dhe
miratoi projekt-aktin e vlerësimit, në zbatim të vendimit të Këshillit të Lartë
të Drejtësisë nr. 36, datë 29.04.2015 “Për kriteret dhe procedurat e vlerësimit
profesional dhe etik të kryeinspektorit dhe inspektorëve të Këshillit të Lartë
të Drejtësisë”, të veprimtarisë së Kryeinspektores znj. Marsida Xhaferllari dhe
të inspektores znj. Marsela Pepi.

Në vijim Këshilli vendosi
konstatimin e mbarimit të ushtrimit të detyrës, për shkak të mbushjes së moshës
së pensionit, më datë 25.11.2016, të gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Tiranë, z.
Lefter Jahja, si dhe miratoi propozimin e ministrit të Drejtësisë, për
shpalljen e një vendi vakant për një gjyqtar pranë kësaj gjykate pas datës
25.11.2016.

Si pikë të fundit të rendit të
ditës, Këshilli vendosi delegimin e disa gjyqtarëve në shqyrtimin e çështjeve
të caktuara gjyqësore, në gjykata të tjera nga ku ata janë emëruar për të ushtruar
funksionin e gjyqtarit.