Kisha e Këlcyrës “mëkaton”, grabit pronat publike dhe pronarët e zonës

734
Zbardhet një tjetër skandal i Mitropolisë së Gjirokastrës me pronat në Shqipëri. Pas skandalit dhe pretendimeve të shumëpërfolura të Kishës Ortodokse në qytetin e Përmetit, kësaj here Mitropolia e Gjirokastrës kryen një tjetër përvetësim prone në Kishën e Këlcyrës, nëpërmjet tjetërsimit të pronës nga Hipoteka e Përmetit. Gazeta “Telegraf” pas një investigimi të gjatë dhe të hollësishëm, lidhur me këtë skandal, ka mundur të zbulojë dhe të disponojë dokumentacionin që e vërteton këtë veprim antiligjor të Hipotekës së Përmetit dhe sorollatjen që zyrtarët e shtetit i kanë bërë këtij pronari në zyrat e shtetit, të cilët kanë inskenuar dhe realizuar këtë skandal grabitjeje prone të një pronari legjitim. 
Ja skandali i denoncuar nga “viktima” e “mëkatit” të Kishës së Këlcyrës
Viktimë e veprimeve abuzive të “uratës” së Kishës së Këlcyrës është 72 – vjeçari, Sali Bajram Harka, i cili vë para një dosje voluminoze me vendime, harta e kontrata nga ku del qartë edhe abuzimi që është bërë në tjetërsim të pronës, me zhvendosjen nga harta fillestare. Thotë se është nga Zhepova e Përmetit, 15 km larg Kishës së Këlcyrës dhe ka që nga viti 2013 që endet zyrave për pronën e tij të blerë sipas rregullave, por tanimë të tjetërsuar e zhvendosur, veprim që është kryer për të favorizuar kishën e Këlcyrës me rreth 160 metër katror të pronës së tij dhe sipërfaqe të tjera që nuk i takojnë kishës, por qytetarëve. Po si është bërë ky spostim dhe mbivendosje? Dokumentacioni thotë se sipërfaqja e pretenduar në bazë të kontratës “Shitje trualli” datë 26/12/2000, administrata e rrethit Përmet ja ka shitur qytetarit Syrja Zeqirllari në sipërfaqen 1120 metra katror, i pajisur edhe me leje ndërtimi e më pas edhe me rinovim të saj. Më pas kjo pronë, sipas aktit noterial Nr. 2650-Rep dhe Nr.198 Kol. Nga Syrja Zeqirllari ka kaluar në pronësi të qytetares Pavlina Zaqellari, pas shitjes nga Syrjai, kësaj të fundit. Në aktin noterial gjejmë edhe bazën juridike të nënvizuar, se akti i shitjes nga Syrjai është bërë sipas aktit të blerjes së tij nga shteti dhe ku përcaktohet qartë sipërfaqja dhe kufizimet e saj, shoqëruar edhe me hartën topografike përkatëse. Pavlina ja ka shitur pronën dhe lejen e ndërtimit Shkëlqim Bejkos dhe ky ja ka shitur Blerim Harkës, i cili sot sorollatet me pehlivanllëqet e administratës në zhvendosje dhe mbivendosje të pronës së blerë. Syrjai kërkon pranimin e origjinës së pronës nga bashkia Këlcyrë dhe Kisha e Këlcyrës, veprim që bën të panevojshme procesin gjyqësor. Në kërkesën që Syrjai i bën Hipotekës së Përmetit më 02/02/2014, thuhet se “certifikata e pronësisë e lëshuar nga kjo zyrë në emrin e djalit, Blerim Sali Harka më datë 09/08/2006 me sipërfaqe 1380 metra katror, nuk përputhet me certifikatën e lëshuar nga kjo zyrë më datën 21/05/2002 për sipërfaqen 1120 metra katror. Në certifikatën e dhënë më 09/05/2006 është ndryshuar harta e vendndodhjes dhe kufizimet, gjë që vërtetohet nga dokumentacioni përkatës. Pra, ku është bazuar zyra e Pasurive të Paluajtshme (ligj ose nen) që ka ndryshuar hartën e origjinës, e cila ka edhe projektin e vendosjes së objekteve që shfrytëzohej duke i nxjerrë ata jashtë funksionit. Kërkoj që trualli im të bëhet sipas hartës së Regjistrimit të Pasurisë, në certifikatën e pronësisë me fragment 0091, datë 21/05/2002, ora 11:00, Nr. 356+ sipërfaqe trualli prej 26000 metra katror në krye të parcelës, sipas certifikatës së pronësisë, datë 26/04/2006 me fragment 00000245. “Pra këtu nis odiseja e sorollatjeve dhe trokitja nëpër zyra e qytetarit dhe këtu fle lepuri i falsifikimeve në favorizim Kishën e Këlcyrës me prona të pamerituara dhe të grabitura nga pronat publike dhe ato qytetare. “Kudo përcjellje dhe moszgjidhje të problemit, derisa edhe kur telefonova Mitropolinë e Gjirokastrës për bashkëveprim të zgjidhjes së këtij problemi, nga telefoni personi që mu prezantua si Kristaq Nasi, me një zë aspak miqësor, por prepotent e arrogant, provokues dhe kërcënues, më tha se nuk kisha çfarë kërkoja, se të gjitha janë me dokumente të vërtetuara nga Hipoteka. 
Letra, drejtuar kryeministrit: Bashkia, Kisha e Këlcyrës dhe Hipoteka Përmet më kanë grabitur me letra false pronën që kam blerë
Më kanë falsfikaur pronën që kam blerë. Pas kësaj dhe trokitjeve në Hipotekën e Përmetit dhe Bashkinë e Këlcyrës, komisionin e kthimit dhe kompensimit të pronave që ka vepruar mbi këto dokumente të falsifikuara, u detyrova t’i drejtohem me një letër Kryeministrit Edi Rama, në të cilën i shkruaja: “Përshëndetje i nderuari Kryeministër! Kërkoj të falur që ju shqetësoj, por nuk kam mundësi të gjej zgjidhje në mënyrë tjetër, pasi kam konsumuar të gjitha mënyrat e tjera. Jam Sali Bajram Harka, emigrant në Itali prej 20 vjetësh, pasi dhe sot jam rezident në Itali dhe qytetar i Çorovodës-Skrapar që nga 1984, lagjja “5 shtatori”. Për momentin banoj në Sarandë. Problemi është i tillë: Kam blerë një truall për biznes në Grykën e Këlcyrës, Shënkoll, me Nr:pasurie 363 në emër të djalit tim, Blerim Sali Harka. Certifikata që kemi në dorë nuk përputhet me origjinën e pronës në terren, ka ndryshim harte, ka spostim dhe mbivendosje. I jam drejtuar Hipotekës së Përmetit, Bashkisë Këlcyrë, katër herë rresht Hipotekës së Përgjithshme dhe z. Ilirian Muho, të cilët më anashkalojnë dhe nuk më kanë dhënë asnjë zgjidhje. Harta treguese e regjistrimit me Nr:0091, zona kadastrale:2131 me Nr. pasurie 35, vol, 12 fq. indeksi i hartës: K-34-137-(21-0)Shkalla 1:500, adresa e pasurisë: Rrethi Përmet/fshati Këlcyrë. E regjistruar më datë 21/05/2002 nga regjistruesi Kristaq prifti. Dhe ndryshimi i hartës treguese të regjistrimit:00000152, ndryshimi që është bërë nga origjina e lartpërmendur e truallit:zona kadastrale 2131 me nr pasurie 378, vol. 7, faqe 246, indeksi i hartës:K-34-137-(21-D), shkalla: 1:2500. Adresa e pasurisë: Rrethi Përmet, fshati Këlcyrë. E regjistruar më datë 25/06/2004 nga regjistruesi Kristaq Prifti. Për këtë problem, ndërrimit të origjinës së truallit u jam drejtuar institucioneve të sipërpërmendura, por më kanë anashkaluar dhe nuk më kanë kthyer përgjigje sipas ligjit. Po ju dërgoj edhe kërkesat e drejtuara institucioneve më përpara. Tani ju drejtohem juve, si shpresë e vetme për të zgjidhur problemin tim. Ju faleminderit, Sali Bajram Harka! (firma)
Vazhdon “akrobacia” shkresore – sorollatëse e zyrave të shtetit
Pra, kjo është edhe letra që ky qytetar i drejton Kryeministrit Rama, letër të cilën gazeta “telegraf” ka mundur ta sigurojë, por edhe përgjigjen e shpejtë nga zyra marrëdhënieve me publikun, firmosur nga Anila Rafti, më 14 /12/2015, ku ngarkohen zyrat e Hipotekës së përgjithshme dhe asaj të Përmetit për zgjidhjen e problemit. Pas kësaj vijon përgjigja nga Hipoteka e përgjithshme më datë 23/12/2015, ku pas disa sqarimeve dokumentare, edhe të sipërpërmendura), lexojmë se: “Pas verifikimit të dokumentacionit ligjor të fitimit të titullit të fitimit të pronësisë, në rast konstatimi të mospërputhjes mes pozicionit të pronës në hartën kadastrale me atë të dokumentacionit tekniko – ligjor të fitimit të pronësisë, orientojmë ZVRPP Përmet, që në përputhje me përcaktimet e nenit 30/b të ligjit 33/2012, datë 21/03/2012 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, të bëjë korrigjimet e gabimit në hartën kadastrale, në qoftë se ky korrigjim nuk cenon interesat e ndonjë pronari, në rast të kundërt, të orientojë qytetarin që në rast se konfliktin apo paqartësinë nuk e zgjidhin me marrëveshje mes palëve, ti drejtohen gjykatës. Gjithashtu, mbi bazë të dokunetacionit depozituar në zyrë dhe hartave kadastrale që administrohen nga zyra për këtë zonë kadastrale, të sqarohet qytetari mbi hartën treguese provizore, që mban datën 21/05/2002 në emër të Syrja Zeqirllari. -Kryeregjistruesi Ilirjan Muho(firmë e vulë)
Por përsëri pas kësaj kërkese, nga Hipoteka e Përgjithshme, Hipoteka e Përmetit në përgjigje të sajë qëndron në mbrojtje të variantit të dytë, variant që nga Syrja Harka cilësohet i falsifikuar e tjetërsuar. Ja çfarë shkruhet ndër të tjera në përgjigje: “Kërkesa e zotit Harka, ku pretendohet se ka spostim të pasurisë dhe se harta shoqëruese e certifikatës së pronësisë së pasurisë Nr. 360/3 nuk është e saktë nga origjina, mbështetet në dokumentacionin dhe azhonimin topografik të hartuar nga ekspert i licencuar, Esheref Liçaj. Pas konsultimit të azhonimit topografik hartuar nga eksperti dhe hartës treguese të ZVRPP për ZK 2131, vërejmë se krijon mbivendosje – me pasurinë Nr. 362 në ZK 2171, vol. 7 faqe 189 që figuron e regjistruar në emër të Mitropolisë së Shenjtë Gjirokastër në vitin 2009 me vendim të Kthim – Kompensimit të Pronave. Me pasurinë Nr. 361 ndodhur në ZK 2131, vol. 7, faqe 188, që figuron e shtetit, e llojit përrua dhe me pasurinë Nr. 360/1, i ndodhur në ZK 2131, vol. 8 faqe 80 që figuron e shtetit, e llojit kullotë. Në vëmendje dhe zbatim të shkresës Nr. 9917, datë 23/12/2015 të ZQRPP-Tiranë, drejtuar ZVRPP –Përmet, ndodhemi në kushtet kur nuk mund të veprojmë, sipas nenit 30/b të ligjit. Nr. 33/2012 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme, pasi cenohen interesat e pronarëve më lartë…” -Regjistruesi Gentian Kukureci(firma dhe vula). Pra kush e ndryshoi hartën dhe kufitarët? Në certifikatën e dhënë po nga kjo zyrë regjistrimi më 21/05/2002, me pronar z. Syrja Zeqollari dhe regjistrues Kristaq Prifti është përcaktuar edhe pozicioni i mullirit të vjetër shekullor, (për të cilin Sali Harka thotë se punëtor të vënë nga kisha e prishën dhe e hodhën në Vjosë, duke zhdukur kështu edhe një dokument të rëndësishëm të traditës dhe origjinës sonë kombëtare). Ja kufizimet e pronës së blerë dhe të kësaj harte, e cila tani është tjetërsuar:1 -Prona e Syrja zeqollarit 1120 metra katror, 2 -Ujë burimi i Shënkollit, 3 -Trualli i Shën-kollit, 4 -Rrugë, 5 -tokë bujqësore 6 -mulliri i vjetër dhe kufizimet: Veriu-shtrati i ujit të Shën-Kollit, jugu-lumi Vjosa, lindje-pronë Shën-Kolli, perëndimi-Tokë bujqësore. Pra, mbi ç’bazë dokumentare është ndërruar harta dhe mbi ç’bazë dokumentare ka vendosur komisioni i kthimit të pronave ndryshimin e pasurisë dhe kalimin e saj Kishës së Këlcyrës në vitin 2009? Këtu janë pretendimet e qytetarit, që kërkon të drejtën e pronës së blerë me kursimet e emigracionit, por të grabitura nga ndryshimi i hartës kadastrale, duke favorizuar Kishën e Këlcyrës. 
Sigal