Keqkuptimi me kreditë, nuk ka moratorium. Shtyrja bëhet vetëm me dakordësinë e bankës

695
Sigal

Ditën e djeshme, Banka e Shqipërisë miratoi disa ndryshime në rregulloret e mbikëqyrjes, që synojnë të lehtësojnë shtyrjen e pagesave të kredive për një periudhë tremujore.

Bazuar në këto ndryshime, institucionet financiare nuk do të jenë të detyruara të llogarisin fonde rezervë për kreditë që mund të ristrukturohen gjatë këtyre tre muajve, me qëllim shtyrjen e përkohshme të pagesave nga huamarrësit.

Ky lehtësim përfshin bankat, institucionet jobankare të kredidhënies si edhe shoqëritë e kursim-kreditit dhe nënkupton se ato nuk do të kenë kosto, në formë provigjionesh, nga ristrukturimi i kredive.

Banka e Shqipërisë ka argumentuar se masat e ndërmarra nga Qeveria Shqiptare me qëllim frenimin e përhapjes së infeksionit të shkaktuar nga virusi COVID-19, pritet të ndikojnë në vëllimin e aktivitetit të bizneseve dhe për rrjedhojë dhe në uljen e gjenerimit të nivelit të të ardhurave.

Ngadalësimi i aktivitetit të njësive ekonomike mund të ndikojë në aftësinë paguese të këtyre subjekteve për tre muajt në vijim.

Megjithatë, vendimi i djeshëm i Bankës së Shqipërisë nuk duhet kuptuar aspak si një moratorium i pagesës së kredive për një periudhë tremujore.

Banka Qendrore nuk ka kompetenca ligjore për të pezulluar pagesat e kredive dhe as për t’i detyruar bankat ta bëjën një gjë të tillë.

Kredia është marrëdhënie e rregulluar nga Kodi Civil dhe që mbështetet në një kontratë mes palëve.

Në të gjitha rastet, shtyrja e pagesës së kredive mund të bëhet vetëm me miratimin e huadhënësit.

Kjo do të thotë huamarrësit në sistemin financiar nuk janë të çliruar nga detyrimi për të paguar kreditë dhe duhet të vazhdojnë t’i bëjnë pagesat rregullisht.

Ata klientë që kanë vështirësi financiare për shkak të situatës së krijuar nga vurisu Covid 19, duhet të kërkojnë nga banka shtyrjen e përkohshme të pagesave.

Vendimet e Bankës së Shqipërisë i lehtësojnë bankat nga kostot dhe më konkretisht nga fondet rezervë që duhet të llogarisnin në kushte normale; por, sidoqoftë, kjo nuk i detyron automatikisht bankat të pranojnë shtyrjen e pagesave të kredisë nga të gjithë huamarrësit.