Kategoritë e nxënësve që përfitojnë kompensim 100% për librat

410
Sigal

Në vendimin e Këshillit të Ministrave botuar ditën e sotme janë bërë publike kategoritë e nxënësve të arsimit parauniversitar, që përfitojnë kompensim në masën 100% të çmimit të teksteve shkollore, ku janë mbi 250 mijë nxënës përfitues. Ndër kategoritë që e përfitojnë janë nxënësit që i përkasin kategorisë së pakicave kombëtare dhe fëmijët e asaj familje, që janë i treti e lartë në radhën e shkollimit. Po ashtu përfitojnë kompensim 100% ata nxënës që kanë përfituar statusin e jetimit; vijnë nga familje të cilat trajtohen me ndihmë ekonomike dhe pagesë papunësie nga zyrat e punësimit; janë me aftësi të kufizuara, sipas ligjit nr.57/2019, “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë”; vijnë nga familje që kanë në përbërjen e tyre anëtarë me aftësi të kufizuara, të lindur ose të bërë të tillë, të cilët deklarohen të paaftë për punë, sipas ligjit nr.57/2019, “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë”; vijnë nga familje ku kryefamiljari përfiton pension invaliditeti shteti; vijnë nga familje ku kryefamiljari përfiton pension pleqërie shteti dhe kanë fëmijë në ngarkim, të cilët janë pa të ardhura, etj.

V E N D I M

PËR SHTYPJEN, BOTIMIN, SHPËRNDARJEN DHE SHITJEN E TEKSTEVE SHKOLLORE TË SISTEMIT TË ARSIMIT PARAUNIVERSITAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 19 e 47, të ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Ministria përgjegjëse për arsimin miraton dhe certifikon tekstet shkollore të arsimit parauniversitar, të cilat konkurrojnë, në barazi të plotë, në përzgjedhje nga përdoruesit. Kriteret dhe procedurat e konkurrimit e të përzgjedhjes përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për arsimin.

2. Procesi i shtypjes, botimit, shpërndarjes dhe shitjes së teksteve shkollore të arsimit parauniversitar bëhet nga shtëpitë botuese. Shtëpitë botuese, të cilat marrin përsipër ta kryejnë këtë proces, paraqesin tekstet, për miratim, në bazë të kritereve e të procedurave të parashikuara në udhëzimin e ministrit përgjegjës për arsimin. Shpenzimet për tekstet shkollore të dërguara në institucionin arsimor ose Zyrën Vendore të Arsimit Parauniversitar (në vijim ZVAP) për të konkurruar në përzgjedhjen e tyre përballohen nga shtëpia botuese.

3. Tekstet shkollore shpërndahen/shiten në mjediset shkollore. Drejtoritë e institucioneve arsimore ofrojnë një ose dy mjedise shkollore, që përdoren nga të gjitha shtëpitë botuese, që lëvrojnë tekste në institucionin arsimor në fjalë.

4. Çmimi i shitjes është ai i vendosur në kopertinën e tekstit shkollor të certifikuar. Çmimet e teksteve shkollore, të miratuara nga ministria përgjegjëse për arsimin, indeksohen çdo vit, në përputhje me rritjen e inflacionit, të publikuar nga INSTAT-i.

5. Tekstet duhet të jenë të pajisura me pullën me hologramë të certifikimit, të ministrisë përgjegjëse për arsimin. Pulla me hologramë u shitet botuesve nga ministria përgjegjëse për arsimin, kundrejt pagesës. Tekstet, që tregtohen pa këtë pullë, i nënshtrohen procesit të konfiskimit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

6. Kategoritë që do të përfitojnë mbështetje buxhetore për kompensimin në masën 100% të çmimit të teksteve shkollore janë, si më poshtë vijon:

6.1. Nxënësit në arsimin bazë që:

a) i përkasin kategorisë së pakicave kombëtare;
b) janë fëmijë, i treti e më lart në radhën e shkollimit të fëmijëve të së njëjtës familje.

6.2. Nxënësit në arsimin parauniversitar që:

a) kanë përfituar statusin e jetimit;

b) vijnë nga familje të cilat trajtohen me ndihmë ekonomike dhe pagesë papunësie nga zyrat e punësimit;

c) janë me aftësi të kufizuara, sipas ligjit nr.57/2019, “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë”;

ç) vijnë nga familje që kanë në përbërjen e tyre anëtarë me aftësi të kufizuara, të lindur ose të bërë të tillë, të cilët deklarohen të paaftë për punë, sipas ligjit nr.57/2019, “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë”;

d) vijnë nga familje ku kryefamiljari përfiton pension invaliditeti shteti;

dh) vijnë nga familje ku kryefamiljari përfiton pension pleqërie shteti dhe kanë fëmijë në ngarkim, të cilët janë pa të ardhura;

e) i përkasin kategorisë rome dhe egjiptiane. Drejtoritë përkatëse të institucioneve arsimore, ku mësojnë këta nxënës, duhet të dorëzojnë në ZVAP-të përkatëse, brenda muajit mars të çdo viti, listën e nxënësve të këtyre kategorive. Mënyra e shpërndarjes së teksteve, për këto kategori nxënësish, përcaktohet me udhëzim të ministrit përgjegjës për arsimin;

ë) gëzojnë statusin e të verbrit. Nxënësit pajisen me tekste shkollore të transkriptuara në shkrimin brail, të regjistruara në audio ose në shkrim të zmadhuar, të cilat janë pronë e shkollës. Administrimi i kërkesave për prodhimin/shumëfishimin e teksteve në brail dhe në shkrim të zmadhuar literal, si dhe pajisja me libra e nxënësve të verbër të realizohen nga Instituti i Nxënësve që nuk Shikojnë, në Tiranë. Drejtoritë përkatëse të institucioneve arsimore, ku mësojnë këta nxënës, duhet të dorëzojnë në ZVAP-të përkatëse, brenda muajit mars të çdo viti, listën e nxënësve të kësaj kategorie;

f) janë viktima të trafikimit, të cilëve u ofrohet ndihmë dhe asistencë nga Qendra Kombëtare e Pritjes së Viktimave të Trafikimit, Qendra Kombëtare e Viktimave të Dhunës në Familje dhe Qendra Kombëtare Tranzitore e Emergjencës, sipas kërkesës zyrtare për sasinë e teksteve shkollore të nevojshme;

g) gëzojnë statusin e viktimës dhe të viktimës së mundshme të trafikimit, në përputhje me vendimin nr.499, datë 29.8.2018, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e procedurave standarde të veprimit për mbrojtjen e viktimave dhe viktimave të mundshme të trafikimit”.

gj) janë të moshës shkollore të arsimit parauniversitar, të cilët janë në institucionet e paraburgimit/vuajtjes së dënimit;

h) janë të shtruar në Shërbimin Onkologjik, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Kërkesa dhe sasia për tekstet shkollore dërgohet nga ky shërbim në muajin gusht të çdo viti;

i) janë fëmijë të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ të Shtetit dhe të Policisë së Burgjeve, të cilët kanë humbur jetën në krye dhe për shkak të detyrës;

j) janë përfitues në institucionet e përkujdesjes sociale rezidenciale publike, në Qendrën Kombëtare të Pritjes së Viktimave të Trafikimit, Qendrën Kombëtare të Viktimave të Dhunës në Familje dhe Qendrën Kombëtare Tranzitore të Emergjencës. Drejtoritë përkatëse të institucioneve arsimore, ku mësojnë këta nxënës, duhet të bashkërendojnë punën me drejtoritë e institucioneve të sipërpërmendura dhe të dorëzojnë në ZVAP-të përkatëse, brenda muajit mars të çdo viti, listën e nxënësve të kësaj kategorie. Mënyra e shpërndarjes së teksteve për këtë kategori nxënësish përcaktohet me udhëzim të ministrit përgjegjës për arsimin.

6.3. Nxënësit që ndjekin arsimin bazë në klasën e parë në institucionet arsimore publike, të cilëve u jepen tekstet shkollore të reja, çdo vit, në përdorim falas. Nxënësve, që ndjekin arsimin bazë në institucionet arsimore publike nga klasa e dytë deri në klasën e shtatë, u jepen tekstet shkollore në përdorim falas. Institucionet arsimore publike si dhe zyrat vendore të arsimit parauniversitar, brenda muajit korrik të çdo viti, përgatisin listën e parashikuar të teksteve për përdorim falas dhe të reja, nga klasa e parë deri në klasën e shtatë.

Blerja e teksteve të reja shkollore të nxënësve që ndjekin arsimin bazë nga klasa e parë deri në klasën e shtatë në institucionet arsimore publike, në emër të prindërve ose të përfaqësuesve ligjorë, për llogari të nxënësve, realizohet nga institucioni arsimor publik, për llogari të zyrës vendore të arsimit parauniversitar.

Likuidimi i faturës tatimore ndaj shtëpive botuese dhe/ose distributorëve realizohet nga zyra vendore e arsimit parauniversitar, me fondet e miratuara si “Transfertë tek individët”, në buxhetin e ministrisë përgjegjëse për arsimin, në llogarinë bankare të shitësit. Mënyra e shpërndarjes dhe e administrimit të teksteve, për këtë kategori nxënësish, përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për arsimin.

7. Çmimi i blerjes së teksteve shkollore për kategoritë e përcaktuara në këtë vendim mbulohet nga buxheti i ministrisë përgjegjëse për arsimin, në formën e “Transfertës tek individët” dhe “Transfertës te shtëpitë botuese”, sipas rastit, në masën 100% të tij.

8. Shitja e teksteve shkollore bëhet përkundrejt faturave. Për kategoritë e nxënësve, që përfitojnë sipas pikës 6, të këtij vendimi, pagesa bëhet nëpërmjet llogarive buxhetore të ZVAP-ve ose të vetë institucionit arsimor, kur ka llogari të tillë, me fondet e miratuara si “Transfertë tek individët” në buxhetin e ministrisë përgjegjëse për arsimin.

9. Procedurat e përdorimit dhe të shpërndarjes së fondeve buxhetore për blerjen e teksteve shkollore, si dhe mënyra e pagesës për kategorinë e nxënësve përfitues përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit përgjegjës për financat dhe të ministrit përgjegjës për arsimin.

10. Vendimi nr.107, datë 10.2.2010, i Këshillit të Ministrave, “Për botimin, shtypjen, shpërndarjen dhe shitjen e teksteve shkollore të sistemit të arsimit parauniversitar”, i ndryshuar, shfuqizohet.

11. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.