Karantina për emigrantët ishte e qëllimshme? Mira Rakacolli kërkon të justifikohet

262
Sigal

Opozita ka akuzuar komitetin teknik të ekspertëve që ka vepruar në interes të Kryeministrit Edi Rama kur vendosi karantinë 14 ditore për emigrantët nga Maqedonia e Veriut apo Greqia, duke qenë se Rama i frikësohej votës ndëshkuese të emigrantëve.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli i është përgjigjur këtyre akuzave gjatë një interviste në Ora NeWs, ku Rakacolli deklaroi se kur ata vendosën karantinë 2 javore numri i rasteve të reja dhe vdekjeve ka qenë i lartë, ndërsa tashmë që e kanë hequr, numri është përgjysmuar.

“Gjithmonë vendimet bazohen në indikatorët që vlerësojnë epidemologjinë. Në kohën që ne morëm vendimin për karantinë 14 ditore për ata që vijnë nga Maqedonia dhe Greqia, është sepse kishin numra të lartë të rasteve dhe viktimave. Por duke qenë se numri I rasteve dhe viktimave javën e fundit është përgjysmuar, ne vendosëm që të hiqet karantina. Brenda muajit do të duket dhe influenca që ka pasur fushata. Por një faktor që ka ndërprerë zinxhirin e infeksionit është edhe vaksinimi. Fushata e vaksinimit do të vazhdojë me intensitet dhe do të përfundojë deri kur të vaksinohet edhe qytetari i fundit. Objektivin e kemi që të mbarojmë sa më shpejt 1 milion qytetarë. Po vazhdojmë përpjekjet që të vijnë edhe vaksina të tjera,”- tha Rakacolli.

Nga sot të gjithë emigrantët që vijnë nga Greqia, Maqedonia e Veriut apo çdolloj vendi tjetër mund të lëvizin lirshëm në Shqipëri. Karantina dy javore që u vendos nga Komiteti Teknik u konsiderua një vendim politik nga ana e kandidatëve për deputetë të Opozitës. Konkretisht Vangjel Tavo që kryesonte listën e LSI-së apo Vangjel Dule janë shprehur se karantina ka bërë që ata të humbisnin një numër masiv votash.