“Karantina” e spitaleve të Gramshit dhe Librazhdit

1117
Një situatë alarmante e cila po e degradon plotësisht spitalin e Gramshit. Kjo pohohet edhe nga vetë drejtori këtij spitali zoti Qemal Zani, i cili u shpreh se “situata në spitalin e rrethit tonë sa vjen dhe degradohet, kanë ikur dhe po ikin mjekët dhe mbi të gjitha specialistët e sëmundjeve, që po detyrojnë banorët të marrin rrugët drejt Elbasanit, Tiranës apo deri drejt Greqisë dhe Maqedonisë”. Duke folur për “Telegraf” zoti Zani tha se “në Gramsh ka vite që mungojnë mjekët specialist, kryesore mjeku reanimator, që ka arritur vjen nga Elbasani njëherë në 2 javë, kërkojmë kirurg, gjenekolog, edhe ata mjekë që kemi janë në pragun e pensionit, kemi bërë 100 herë kërkesa tek Ministria e Shëndetësisë, por deri sot asgjë. Gramshi ka mbi 50 mijë banorë, dhe ata dergjen rrugëve, ata kanë nevojë për mjekun specialist dhe jo të shkojnë për një vizitë në Skrapar, Korçë, Elbasan dhe deri në Greqi”. Prej një muaji në mungesë të investimeve nga qeveria, (për turpin e atyre që qeverisin) tek spitali Gramshit po investojnë “Motrat Vincesiane” kryesisht për sallën e reanimacionit dhe sallën e kirurgjisë. Prej kohësh në fakt banorët e Gramshit kanë kërkuar edhe nga ish-deputeti i tyre Damian Gjiknuri rikonstruksionin e ndërtesës së spitalit, por deri sot ai u ka premtuar se “do të gjej paratë dhe do t’iu njoftoj”. Gramshi sot është në ditën e hallit. Spitali i Gramshit ka patur prej vitesh mjekë, kryesisht kirurgë të mrekullueshëm, por ata ose kanë ikur drejt Tiranës dhe emigracionit, ose kanë dalë në pension. Në Gramsh kryhen mbi 6 mijë vizita në muaj, por kushtet skandaloze në spital (por edhe në ambulanca) kanë detyruar ata të marrin aratinë drejt qyteteve të tjera qoftë edhe për një mjekim apo injeksion. Drejtori Qemal Zane deklaroi se “Ministria e Shëndetësisë prej disa ditësh më ka kërkuar largimin e 17 personave kryesisht infermierë nga detyra, gjë e cila më duket e papranueshme, nuk është e drejtë, në rast se ikin ata spitali Gramshit duhet të mbyllet, dhe banorët të mbeten pa vizita, mjekime dhe shërbime spitalore”. Situata në spitalin e Gramshit pason atë të spitalit të Librazhdit dhe e rëndon më tepër situatën e shërbimeve spitalore në qarkun e Elbasanit. Realisht mbi 100 mijë banorë në Gramsh dhe Librazhd, pothuajse janë mes katër rrugëve, pa shërbime spitalore dhe shëndetsore, pa mjekë specialistë, duke rrezikuar jetën e tyre. Sipas disa banorëve nga Gramshi “shpesh gratë shtatëzëna rrezikojnë jetën e tyre pasi mungon mjeku gjenekolog, mungon specialisti duke rrezikuar nënat dhe fëmijët e porsalindur”. Kjo situatë skandaloze duhej të kishte qenë shqetësimi ish-deputetit dhe ministrit Gjiknuri, duhej të ishte premtimi i mbajtur nga ai, që prej 2 vitesh nuk i takon ata votues që prisnin nga ai punësimin, shëndetsinë falas, dhe jo mbylljen e spitalit dhe degradimin e shërbimeve shëndetsore. Banorët e fshatrave të Gramshit, atje ku mungon totalisht shërbimi shëndetsor,atje ku mungon totalisht mjeku dhe infermieri, kërkojnë nga Gjiknuri dhe Beqja përgjegjshmëri njerëzore. Ata u shprehën se “edhe ne kemi të drejtën e jetës, të drejtën e mjekut, infermierit, shërbimit mjeksor, pasi e paguajmë atë shtrenjtë, dhe jo siç na u premtuam falas”. Banorët e qytetit të Gramshit kërkojnë dhe akuzojnë dyshen Gjiknuri –Beqja, si shkaktarët e situatës në të cilën ka degraduar dhe po degradon shërbimi spitalor në qytetin e tyre. Ata kërkojnë masa urgjente dhe jo mashtrime, ata kërkojnë premtime të mbajtura dhe jo përbuzje dhe harresë, trajtim njerëzor dhe kafshëror.

Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 08.12.2015
Sigal