Kapen shpërndarësit e kokainës në Tiranë, “Shqiponjat” prangosin dy të rinjtë

193
Sigal

Policia e Tiranës ka goditur dy raste të veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza. Në pranga kanë rënë dy të rinj, të cilët shpërndanin kokainë.

Policia njofton se “Shqiponjat” kanë arrestuar në flagrancë të riun me inicialet R. D., 29 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit të ushtruar në banesën e këtij shtetasi, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi dozash me lëndë narkotike kokainë, 2 aparate celular, dhe 87 qese farmaceutike që përdoreshin për paketimin e lëndës narkotike.

Po ashtu në pranga ra dhe 30-vjeçari me inicialet Rr. M., pasi gjatë kontrollit në mjetin me të cilin ai qarkullonte dhe në banesën e tij, iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi lëndë narkotike kokainë dhe një peshore elektronike që përdorej për peshimin dhe ndarjen e lëndës narkotike në doza.

Materialet iu dërguan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në ngarkim të këtyre shtetasve, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”