Kapen 4 nga 6 autorët e grabitjes. Dy prej tyre ish-Komando, gjendet dhe një pjesë e parave

519
Policia ka arrestuar 4 nga 6 autorët e dyshuar për supergrabitjen e 3.2 milionë dollarëve të BKT-së më 9 shkurt 2017 në rrugën e Rinasit. Gazetari Artan Hoxha tha se “janë arrestuar 4 persona, 2 prej tyre ish-efektivë Komando si dhe janë shoqëruar 10 të tjerë gjatë operacionit masiv të zhvilluar sot në Vorë e Prezë”.

Po kështu mësohet se Policia ka gjetur edhe një pjesë të parave të grabitura.

Gazetari Hoxha tha se në operacion janë përdorur edhe helikopterët për të shmangur një arratisje të mundshme të autorëve. Tek identifikimi i tyre është arritur përmes gjurmimit të makinave të përdorura në grabitje. Policia ka vepruar në disa pika njëherazi dhe kontrollet kanë qenë të befasishme.

Për sa i përket ish-komandova, Hoxha tha se ata kanë marrë pjesë në misione jashtë shtetit, në Irak dhe Afganistan.

Që prej paradites së sotme forca të shumta policie kanë nisur kontrollet nga toka dhe ajri. Sipas informacioneve zyrtare, një numër i madh efektivesh kanë kryer kontrolle në banesat dhe bizneset e autorëve të dyshuar të grabitjes.

Në deklaratën zyrtare pas grabitjes së ndodhur më 9 shkurt, policia tha se ishin 6-7 autorët e sulmit me armë ndaj dy blindave të një banke të nivelit të dytë, njëri prej të cilëve kishte shumën e parave.

Në pranga u vunë menjëherë pas ngjarjes 5 punonjës të shoqërisë së sigurimit, ndërsa me operacionin e sotëm numri i personave të arrestuar për ngjarjen shkon në 9.
Sigal