“Kam bërë operacion”, “gruaja më lindi djalë”, justifikimet e të arrestuarve për uniformat e policisë që kërkojnë lirinë

206
Sigal

Problemet shëndetësore duket se janë një arsye e fortë që të arrestuarit nga Prokuroria e Posaçme po përdorin si pretekst për të fituar lirinë.

Pas ish-kryetarit të Bashkisë së Lushnjës, Fatos Tushe, që paraqiti një listë të gjatë me analiza mjekësore, edhe disa nga të arrestuarit e SPAK-ut për tenderin miliona eurosh për uniforma të Policisë i janë drejtuar Apelit me një sërë kërkesash të karakterit shëndetësor për një masë më të lehtë sigurie.

Ndërsa Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ende nuk ka caktuar një datë për shqyrtimin e kërkesave të zyrtarëve të arrestuar, shumë prej tyre kanë deklaruar shqetësimet e përditshme që ata kanë.

Vetëm një nga të arrestuarat, Anisa Bogdani, ka arritur të marrë një masë më të lehtë atë të “Arrestit shtëpiak”, pasi ka një fëmijë të vogël.

Një nga të arrestuarat, Edlira Naqellari, ish-drejtoresha e Prokurimeve Publike në Ministrinë e Brendshme, teksa pretendon se nuk ka kryer shkelje, thotë se situata i ka krijuar shqetësim psikologjik.

“Në lidhje me situatën time, dua të sqaroj që kam njohuri shumë të mira në fushën e prokurimit publik që në vitin 2005. Nuk kam pasur asnjëherë asnjë lloj problematike në ushtrimin e detyrave të mia. Kam zbatuar gjithmonë ligjin dhe kështu ka qenë edhe rasti konkret.

Situata që më është shkaktuar tani me kërkesën e prokurorit dhe me vendimin tuaj për arrestin me burg, nuk ka shqetësuar vetëm mua, nuk ka cenuar vetëm shëndetin apo gjendjen time psikologjike, por edhe atë të familjes time”, mësohet të ketë deklaruar ajo.

I arrestuari tjetër, Klevis Hasani, thotë se është bërë me djalë dhe se ka kredi për të shlyer.

“Në familje siç u përmend, sapo jam bërë me një djalë, kam dhe një kredi për të paguar dhe kërkoj lehtësimin e masës”, ka deklaruar ai midis të tjerash.

Një tjetër i arrestuar, Mariglen Muzali, kërkon lirimin nga qelitë e paraburgimit për shkak se synon të marrë pjesë në ceremoninë e diplomimit të studentëve.

“Kërkoj ndryshimin e masës së sigurisë për dy arsye, e para më ka mbaruar pasaporta dhe nuk kam si të largohem dhe e dyta, sepse unë jap mësim, tani është sezoni i provimeve të studimeve Master.

Ndihem shumë keq me këtë situatë, ku të shkosh 5 vite me studentët dhe të mos arrish t’i diplomosh në vitin e fundit është absurditet”, shprehet ai.

Zyrtarja Ani Omuri thotë se ka bërë një ndërhyrje shëndetësore në mitër gjatë muajit qershor dhe duhet të ishte ende në rehabilitim.
“Lidhur me gjendjen time fizike dhe shëndetësore, ju bëj më dije se, sikurse avokati im e tha, kam bërë një ndërhyrje kirurgjikale në mitër, kam hequr një masë në datën 23 qershor dhe për këtë arsye duhet të isha akoma në rehabilitim.

Ndërkohë që ndodh e gjitha kjo dhe përveç ngarkesës fizike, mendore e psikologjike, e cila është totalisht në dëm të procedurës që është bërë për mua, mund të ndikojë në vijueshmërinë e mënyrës së jetesës sime. Kërkoj që masa ‘Arrest me burg’ të zbutet”, thotë ajo.

ARRESTIMET

Nëntë zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Brendshme u arrestuan me urdhër të SPAK-ut më 10 korrik. Ata akuzohen në lidhje me tenderin abuziv, i kryer më 11 maj 2020 me shumën e 2.8 miliardë lekëve. Zyrtarët akuzohen për shkelje të barazisë së tenderëve.

Midis të arrestuarve ishte edhe ishdrejtoresha e Prokurimeve Publike në Ministrinë e Brendshme, Edlira Naqellari, e shkarkuar një javë para arrestimit nga ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi