Kallashnikov dhe 1430 fishekë luftarakë, prangoset 21-vjeçari në Kuçovë

172
Sigal

Policia e Kuçovës ka ushtruar kontrolle të shtuara për kapjen e personave që posedojnë armë zjarri.

Si rezultat i kontrolleve, është arrestuar në flagrancë një 21-vjeçar që posedonte armë zjarri, si dhe janë sekuestruar një armë zjarri kallashnikov dhe 1430 fishekë luftarakë.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kuçovë, në vijim të punës për rritjen e parametrave të sigurisë, si rezultat i kontrolleve intensive për kapjen e personave që posedojnë armë zjarri apo sende të kundërligjshme, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit A. H, 21 vjeç, banues në fshatin Tapi, Kuçovë, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri kallashnikov dhe 1430 fishekë luftarak model 56.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kuçovë arrestuan në flagrancë 21-vjeçarin, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje” dhe materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.