Kakavijë, arrestohet për kontrabandë ndihmës kontrollori i policisë kufitare

514
Në kuadër të luftës kundër kontrabandës dhe korrupsionit, sot në mesditë, strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, arrestuan në flagrancë punonjësin e policisë kufitare të P.K.K. Kakavije, Inspektor Mentor Cane, si edhe shtetasin Erald Çaço, shitës me pakicë. Të dy këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë konsumuar elementët e figurës së veprës penale, të “Kontrabandës me mallra që paguhet akcizë”.
SHÇBA në bashkëpunim me Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, pas një hetimi pro-aktiv 2 mujor me metoda dhe mjete speciale të hetimit, dokumentuan një linjë të kontrabandës së mallrave që paguajnë akcizë, konkretisht cigare të markës “Marlboro”.
Punonjësi i Policisë, Mentor Cane, i merrte stekat me cigare në Duty-Free-Shop në pikën doganore në anën greke të kufirit dhe duke shfrytëzuar detyrën, i kalonte ato në territorin shqiptar, duke shmangur detyrimet doganore. Më pas këto mallra i fuste në bagazhin e mjetit të tij, tip “Benz Mercedez” me targa TR 36 11 U, dhe i sillte në Tiranë tek blerësi.
Në ngarkesën e fundit, të bllokuar sot në mesditë në rrugën “Ndre Mjeda”, në kryeqytet, punonjësit të policisë Cane iu kapën 36 kuti, me nga 3 steka cigare seicila. SHÇBA ka dokumentuar për periudhën që ai ishte nën hetim, se kryente të paktën 2 ngarkesa në javë, me sasi edhe më të mëdha se rasti i kapur. Nga ana SHÇBA-së, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, kutitë me cigare, 2 automjete që u përkisnin shtetasve të arrestuar, si edhe 4 aparate telefoni celularë.
Sigal