Juncker në Athinë: “Vazhdimi i reformave është kusht i dhënies së ndihmave”

560
Sigal

Kreu i Eurogrup Jean-Claude Juncker u prit dje  nga Kryeministri grek Antonis Samaras, në Athinë. Pas një takimi që zgjati rreth 1 orë e 45 minuta, dy personalitetet dolën në një konferencë të përbashkët shtypi. Jean-Claude Juncker tha se ishte i kënaqur që ndodhej në Greqi, dhe theksoi se e pëlqen shumë vendin që ka një kontribut shumë të rëndësishëm për projektin evropian. “Ne nuk mund të kuptojmë Europën sot, pa kontributin e Greqisë në të”, tha presidenti i Eurogrupit duke theksuar se vjen në Greqi si një mik dhe kjo sipas tij, është provuar në shumë rrethana. “Greqia ka paguar vitet e fundit, po bën një përpjekje të madhe dhe kjo tregon kurajon e qeverisë greke, por edhe të shumë njerëzve të ndershëm. Qytetarët grekë po bëjnë përpjekje të mëdha për rimëkëmbjen ekonomike të vendit, por Greqia vuan mungesën e besueshmërisë”, vërejti Juncker. Kreu i Eurogrupit deklaroi se vendimtar për Greqinë është konsolidimi i mëtejshëm fiskal. “Një strategji e fuqishme dhe e besueshme afatmesme është kusht për disbursimin e këstit të ardhshëm të ndihmës”, tha zyrtari i lartë i Brukselit. “Greqia ka nevojë për të gjitha reformat strukturore”, deklaroi Juncker, duke qartësuar edhe një herë se ai kundërshton fuqishëm daljen e Greqisë nga euro. “Jam krejtësisht kundër daljes së Greqisë nga euro, sepse kjo është rrezik për gjithë eurozonën”, përsëriti. “Disave jashtë vendit mund të mos iu pëlqejë ajo që do them, por unë do të vazhdoj të jem në anën e Greqisë”, deklaroi Jean-Claude Juncker.