Jeta vazhdon normalisht në Suedi, shkencëtarët shpjegojnë këtë qasje të diskutueshme

461
Sigal

Një numër në rritje i mjekëve dhe shkencëtarëve suedezë po ngrenë alarmin në lidhje me qasjen e qeverisë Suedeze ndaj COVID-19. Ndryshe nga fqinjët e saj nordikë, Suedia ka adoptuar një strategji relativisht të qetë, duke supozuar se reagimi i tepërt është më i dëmshëm sesa nën-reagimi.

Edhe pse qeveria tani ka ndaluar që më shumë sesa 50 persona të jenë bashkë në të njejtin ambient, kjo përjashton vendet si shkollat, restorantet dhe palestrat të cilat janë ende të hapura. Edhe pse deri më tani 3,046 njerëz kanë rezultuar pozitiv ndaj koronavirusit. Megjithëse Norvegjia ka numrin më të lartë të rasteve të prekura me këtë virus (3,066) në Skandinavi, viktimat e COVID-19 në Suedi janë më të larta deri më tani (92), krahasuar me Norvegjinë (15) dhe Danimarkën (41).

Njerëzit janë ndarë në kampe të ndryshme, ku disa argumentojnë se kritikimi publik i autoriteteve shërben vetëm për të ulur besimin e publikut në një kohë kur ai është më i nevojshëm se kurrë.

Të tjerë janë të bindur se me këtë mënyrë të vepruari, qeveria suedeze do ta shkatërrojë shtetin e saj dhe ajo duhet të ndryshojë sa më parë të jetë e mundur. E vërteta është se pavarësisht të gjitha këtyre opinioneve, askush nuk e di me siguri se çfarë na pret të gjithëve dhe çfarë fshihet më tej.

Në epidemi, modelet e parashikimit shërbejnë si ndihmë sa i takon zgjedhjes së ndërhyrjeve që duhen marrë, vlerësimin e ndikimeve të mundshme sociale dhe ekonomike dhe vlerësimin e kërkesave të kapaciteteve spitalore. Të gjitha modelet e parashikimit kërkojnë të dhëna paraprake, të nxjerra në mënyrë ideale nga përvojat e kaluara në skenarë të ngjashëm me këtë që jemi duke kaluar aktualisht. Por fatkeqësisht, cilësia e këtyre të dhënave paraprake është e dobët.

Shumica e modeleve aktuale të parashikimit të COVID-19 përdorin të dhënat e mbledhura nga epidemitë COVID-19 në Kinë dhe Itali dhe nga shpërthimet e kaluara të sëmundjeve të tjera infektive si Ebola, gripi dhe koronaviruse të tjera si Sars dhe Mers. Por demografia dhe modelet e ndërveprimeve sociale ndryshojnë nga një vend në tjetrin.

Suedia ka një popullsi të vogël dhe vetëm një zonë të vërtetë metropolitane. Në mënyrë ideale, do të na duheshin të dhëna nga Suedia për përhapjen e  COVID-19, por kjo kërkon programe monitorimi që fatkeqësisht nuk ekzistojnë aktualisht.

Të dhënat e pakta të besueshme për COVID-19 në Suedi kanë të bëjnë me numrin e personave që janë të shtruar në spitale dhe me numrin e personave që kanë vdekur. Me këto të dhëna mund të zbulohet se sa ka qenë numri i të vdekurve nga ata që kanë qenë aktualisht të shtuar në spitale. Por me një vonesë dy-javore midis diagnozës dhe vdekjes, kjo është një e dhënë që nuk mund të merret shumë për bazë.

Në Suedi, autoritetet e shëndetit publik kanë marrë masa për të përballuar kërkesat në rritje të numrit të personave të infektuar me COVID-19 që shkojnë në spitale dhe që do të kenë nevojë për kujdes të specializuar mjekësor gjatë javëve të ardhshme.

Por nga këto masa, ka rezultuar qartazi se qeveria suedeze parashikon shumë më pak vende në spitale për 100,000 banorë të popullsisë së saj sesa është parashikuar në vendet e tjera, përfshirë Norvegjinë, Danimarkën dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Por numri i vdekjeve në Suedi është shumë më i lartë se ai në Mbretërinë e Bashkuar apo në Norvegji për shembull. Shpejgimi i autoriteteve suedeze për një fakt të tillë është se ka shumë njerëz të infektuar pa simptoma dhe se, nga ata që vijnë për të marrë ndihmë dhe kujdes spitalor, vetëm një në pesë do të kërkojë shtrimin në spital.

Në këtë pikë, është e vështirë të dihet se sa njerëz janë asimptomatikë pasi nuk ka ekzaminim të strukturuar në Suedi dhe asnjë test të antitrupave për të kontrolluar se kush ka pasur në të vërtetë COVID-19 dhe është shëruar prej tij. Por nënvlerësimi i kërkesave për rritje të shtretërve në spitale, është gjithsesi një fakt shumë negativ dhe shkatërrues për këtë shoqëri në këtë situatë që ndodhemi.

Përhapja e pabarabartë

Si në shumë vende të tjera, edhe në Suedi përhapja e COVID-19 është mjaft e pabarabartë. Shumica e rasteve janë diagnostikuar dhe trajtuar në zonën më të madhe të Stokholmit, dhe kohët e fundit gjithashtu edhe në qarkun verior të Jämtlandit, një destinacion mjaft i frekuentuar nga skiatorët. Nga ana tjetër, disa zona të tjera gjeografike kanë një numër relativisht të ulët të infektuarish (të paktën deri në momentin që ku artikull u publikua). Kështu, për shembull në qytetin e tretë më të madh suedez, Malmö, ende vetëm disa raste janë shtruar në spital.

Nuk ka dyshim se epidemia do të vazhdojë të përhapet, por shpejtësia e saj është e diskutueshme. Autoritetet kombëtare të Shëndetit Publik janë gjithashtu skeptikë në lidhje me nevojën e bllokimit në shumicën e vendit, por diskutimet tani janë duke vazhduar për të zbatuar masa të tilla bllokuese të paktën në zonën e kryeqytetit.

Ekzistojnë disa argumente që mbështesin strategjinë aktuale të qeverisë suedeze. Këto përfshijnë nevojën për t’i mbajtur shkollat ​​të hapura në mënyrë të tillë që prindërit të cilët punojnë në sektorë të tillë si ai i kujdesit shëndetësor, transportit dhe linjat e furnzimit me produkte ushqimore të kenë mundësinë për të vazhduar punën. Pavarësisht sëmundjeve të tjera infektive që përhapen me shpejtësi tek fëmijët, komplikimet e COVID-19 janë relativisht të rralla tek fëmijët.

Masat bllokuese afatgjata ka shumë mundësi të shoqërohen me ndërlikime të mëdha ekonomike, të cilat në të ardhmen mund të dëmtojnë kujdesin shëndetësor për shkak të mungesës së burimeve. Dhe një gjë e tillë mund të shkaktojë edhe më shumë vdekje dhe vuajtje në krahasim me pasojat e pandemisë COVID-19 në një periudhë afatshkurtër.

Imuniteti i tufës

Vlerësimet më të mira të raportit rast-fatalitet nga COVID-19 (CFR) – përqindja e personave të infektuar që vdesin, është aktualisht 0.5-1.0%. Për krahasim, gripi Spanjoll i 1918-1919 kishte një raport rast-fatalitet prej 3% në disa pjesë të Suedisë veriore. Një shekull më parë, Suedia po rimëkëmbej nga lufta e parë botërore, edhe pse vendi mbeti neutral.

Sistemet e transportit dhe komunikimit të brendshëm ishin më pak të zhvilluara sesa në shumë vende të tjera në atë kohë, gjë që ndihmoi në ngadalësimin e përhapjes së epidemisë.

Në një periudhë afatshkurtër, kjo u perceptua si një gjë e mirë, por për shkak se imuniteti i tufës – me të cilën mjaft njerëz janë infektuar për t’u bërë imun ndaj virusit – nuk ishte arritur fillimisht, kishte të paktën dy epidemi shtesë të virusit të gripit spanjoll brenda një viti. Vala e dytë e infeksioneve u shoqërua me një shkallë më të lartë të vdekshmërie sesa vala e parë.

Duke marrë një gjë të tillë në konsideratë dhe duke nxjerrë mësim prej saj, shumë njerëz në Suedi janë optimistë se edhe tani mund të arrijnë imunitetin e tufës. Në krahasim me gripin spanjoll, COVID-19 është më pak i rëndë, ku shumë njerëz të infektuar besohet të jenë asimptomatikë. Edhe pse kjo e fundit është shkaktare për një përhapje më të shpejtë, do të thotë gjithashtu se pragu i “imunitetit të tufës” është rreth 60%.

Kjo mund të arrihet shpejt në vendet që nuk kanë strategji të zvogëlimit ose shtypjes. Kjo gjithashtu mund të ulë rrezikun e valëve të mëtutjeshme të epidemisë. Pra, në të ardhmen, kur të analizohen mësimet e nxjerra nga pandemia COVID-19, shkencëtarët do të përqendrohet ose në suksesin ose dështimin e qasjes fillestare relativisht të qetë të ndërmarrë nga ana e qeverisë suedeze.

Këtu nuk do të merret parasysh vetëm numri i atyre që kanë humbur jetën nga pandemia, por edhe pasojat negative afatgjata sociale dhe ekonomike që mund të shkaktohen.

Si përfundim, duke marrë parasysh përhapjen e pabarabartë dhe relativisht modeste të virusit në Suedi për momentin, strategjia fillestare e qeverisë suedeze mund të mos rezultojë e pamatur. Por, në varësi të mënyrës sesi përparon edhe përhapja e koronavirusit, veçanërisht në zonat metropolitane ose atje ku sistemi i kujdesit shëndetësor nuk është në nivelin e tij më të mirë, edhe qeveria suedeze duhet të ndryshojë strategji veprimi.