Jashar Shehu:Nuk jam penduar që largohem nga PD, në polici ka rrethe klanore

961
Sigal

INTERVISTA/ Flet ish -polici i Antidrogës dhe Krimit Ekonomik Jashar Shehu: E grisa teserën e PD, pasi shoh se nuk ka drejtësi, nuk ka shtet

 E takova menjëherë pasi grisi teserën e PD-së në prani të qindra simpatizantëve të PS-së, në një takim që Rama po zhvillonte në lagjen “Don Bosko”.  Ish- polici i Antidrogës dhe Krimit Ekonomik Jashar Shehu thotë se e bëri këtë veprim pasi për çdo ditë po sheh se shteti nuk po funksionon dhe në polici ka policë të inkriminuar. Pas 18 vjetësh në polici atë e largojnë nga radhët e saj, pa i dhënë asnjë shpjegim dhe pse ka qenë polici me rezultate më të larta në luftën kundër drogës. Sipas tij, vetë Kryeministri Berisha është mburrur me rezultatet e tij. Ai e admiron Berishën, por thotë se, në polici ka shumë njerëz që e urrejnë dhe nuk bëjnë punën e shtetit. Madje e thekson me zë të lartë se dhe vetë ambasadori amerikan në disa takime në luftën kundër trafikantëve të drogës i është referuar rezultateve të tij. Jo pak, por janë afërsisht dy ton hashash që ai i ka kapur kur shkonin në Greqi vetëm në sajë të vigjilencës dhe informatave individuale.

 Origjina juaj?

Unë quhem Jashar Shehu, jam nga Peshkopia me origjinë nga një fshat ngjitur me të, por unë jam rritur aty.

 Pse keni qenë i persekutuar?

Kam qenë i persekutuar, pasi që në ditët e para të çlirimit, gjyshi im është shpallur kulak i parë në qytet, për arsye se në atë kohë mu arratis daja im Kajmaku. Për këtë arsye të dy motrat u martuan duke marr me vete internimin në fshatra të ndryshme të Vlorës dhe Peshkopisë.

Kush ka qenë dita më e rëndë për ju si i persekutuar?

Kur më ka vdekur daja tjetër dhe nuk më vinte asnjë për ta varrosur. Ishte vëllai i Kajmakut. Pra si me biografi të keqe njerëzit kishin frikë të vinin dhe të na ngushëllonin. As kushërinjtë e mi nuk më erdhën. Këto sot quhen gjëra të pabesueshme. Unë jam nip tek Gazidedet, pra prej atij fisi ishte daja im.  Kajmak Gazidede dajua im është arratisur qysh në fillim të fitores së Partisë komuniste, që në moshën 16 vjeç. Në fillim shkoi në Prishtinë, më vonë shkoi në Zagreb, aty mbaroi për mjekësi dhe më vonë u specializua në Francë. Më vonë shkoi në Amerikë, ku hapi dhe një klinikë private.

 Ke tentuar të arratiseshe?

Në vitin 1990 kam shkel telat e Bllakës, pra telat e klonit. Pasi unë i kisha të gjithë jashtë. Por s’e di në momentin e fundit u ktheva pasi mendova se çfarë do hiqnin të afërmit e mi. Por nga ana tjetër disa të afërm më thanë që tani do vijë demokracia, puno dhe mëso për të ardhmen tënde.

 A janë trajtuar me shkollë vëllezërit apo motrat në komunizëm?

 Siç e thashë motrat e mia u internuan një fshatrat e Vlorës tjetra në fshatrat e Peshkopisë. Familja ime e kishte të ndaluar shkollimin. Unë kam pas një vëlla që e pat nxjerrë mesataren 9.6 në kohën e regjimit. E thirrën ata të partisë dhe të sigurimit dhe i thanë hiq dorë nga dajat, nga motrat, nga të afërmit e persekutuar të të çojmë në shkollë të lartë. Por ima vëlla nuk ka pranuar. E lanë pa shkollë. Atëherë dashuria me njëri -tjetrin ishte shumë e madhe.

 Kur keni pasur rast që je ndjerë keq në atë regjim?

Ne çdo ditë me të keq e shtynim. E thashë pak më lart jam ndjerë keq kur na vdiq daja dhe s’vinte njeri për ta varrosur. Por më keq akoma familja e dajës ishte shumë e varfër. Atëherë u detyruam si familje që të merrnin sa më shumë ushqime dhe t’ia çonim familjes së dajës pas vdekjes. Kur ka vdekur daja i dytë Veliu, vëllai i Kajmakut, në fshatin Brezhdan, (aty është fisi Gazidede),  në shtëpinë e tij s’kishte këmbë njeriu, larg çdo tradite të asaj kohe. As kushërinjtë. Vëllai i dytë i çoi ushqimet me kalë dhe pse e dinte që e ndiqte sigurimi.

 Po babai juaj ku ka punuar?

Babai im ka qenë fetar. Pra ka punuar si Sheh në xhami, ishte me titull. Deri në vitin 1967 babai ka qenë klerik, kur u prishën kishat dhe xhamitë, ai nuk punoi më kurrë. Ishte besimtar i flaktë. U mbyll në vetvete. Ne jemi pesë vëllezër dhe dy motra, ku katër të mëdhenjtë punuan me shumë sforco që babai të mos shkonte në punë. Babanë tim e ka respektuar tërë Dibra. Disa vëllezër kaluan kantier më kantier, ku bëheshin veprat e pesëvjeçarëve dhe punonin natë e ditë duke siguruar të ardhura. Babai, në Prizren ai është në xhaminë e madhe me foto në muzeun një ndër  klerikët më të shquar.

 Si u krijua PD në Peshkopi dhe cili ishte roli yt në këtë themelim?

Atë që ditë që u themelua PD-ja në Peshkopi unë isha më i riu dhe më i gjati. Një natë më parë po vija pankarta nëpër rrugë, ku thuhej se në orën 19:00, në Kinemanë e qytetit  krijohet dega e PD për Peshkopinë. Isha me gjithë kunatin e Safet Zhulalit, Shpëtim Shehun.  Kur ne po ngjitnim pankartat vjen dhe më kap policia, më merr disa orë brenda dhe mandej më nxjerr jashtë me ndërhyrjen e Shkëlqim Hoxhës, duke na thënë se nuk do ta bëni mbledhjen tek kinemaja por tek Shtëpia e Kulturës, në një dhomë në kat të dytë.  U mblodhëm rreth 30 vetë.  Nga të gjithë ata unë isha më aktivi si në parapërgatitje po ashtu dhe në takimet me popullin.

Kur erdhi aty Sali Berisha kush e priti?

Unë kam dalë ta pres Sali Berishën qysh në Bulqizë. Në atë kohë kam rrezikuar shumë, pasi shumë njerëz më bënë presion deri në zhdukje fizike. Madje, në mitingun e parë të Berishës në Peshkopi kam qenë në podium me të. Pas ikjes së tij kam kundërshtuar anti-mitingun që bënë të majtët. Këto janë të dokumentuara.

 Kush ishin njerëzit më të mirë nga PD-ja në Peshkopi?

Safet Zhulali. Ishte shumë i përgatitur. Më ka mbajtur afër. Dua ta them me zemër,  se ai ishte i vetmi që më tha më vonë, hajde dhe përqendrohu në Tiranë. Ke dhënë aq për PD-në. Erdha pas pak kohësh bëra disa kurse dhe fillova punë në polici. Pra deri tani kam punuar për 17 vjet e gjysmë në polici në vende të ndryshme duke bërë dhe shumë specializime.

 Po vitet e fundit ku ke punuar?

Dy vitet e fundit kam punuar ndihmës specialist për krimin e organizuar në Drejtorinë e Policisë Vlorë-Sarandë. Me rezultatet e mia janë mburrur Sali Berisha dhe jam përmendur dhe nga vetë ambasadori amerikan Arvizu, pasi për dy vjet kam kapur personalisht 2 ton hashash.

Kur je testuar për profesionalizëm herën e fundit?

Ka disa kohë, apo disa muaj. Në Akademinë e Rendit. Aty u ngarrova me Florian Hoxhën, pasi aty në Akademi pashë shumë policë me tituj që dikur kishin marrë pjesë në shumë veprime të kundërligjshme. I them Florit se ta dija se do gjeja këta njerëz këtu do ta lija punën. Këtu shoh se pushka qenka e amerikanit ndërsa plumbi i rusit. Njëri prej tyre kishte djegur godinën e policisë në një qytet. S’ka rëndësi se ku, por kur më panë shtrembëruan fytyrën. Në atë testim unë mora më shumë pikë nga të gjithë,  por në fund më thanë që nuk je vlerësuar pozitivisht. Vetë Florian Hoxha më tha se ke bërë Kodin gabim. Testi u bë me laps plumbi. S’e di përse. Pra me këtë test, mos fitimi im më linte jashtë radhëve të policisë. U habita. Kërkova testin dhe më thanë nuk jepet. S’e di pse më hoqën.

Si të persekutuar a keni marrë dëmshpërblimin?

Ne kemi për dëmshpërblim vetëm këstin e parë. As kemi idenë se ç’do të bëhet.

 Jeni i zhgënjyer nga gjithë këto probleme?

Shumë. Jam zhgënjyer nga strukturat e Policisë së Shtetit, nga sistemi drejtësisë. Jam i zhgënjyer nga mënyra e funksionimit të shtetit. Mendoj se Sali Berishën e dezinformojnë. Në polici ka njerëz të inkriminuar që i kanë shërbyer me zell çdo sistemi, çdo partie, vetëm të marrin paranë. Ka polic servilë që për një post bëjnë çdo gjë. Unë nuk jam servil. Kam punuar për demokracinë e vërtetë, për demokracinë evropiane. Koha le të më gjykojë.

Përse je zhgënjyer nga sistemi i drejtësisë?

Pasi rezultate që kam dhënë unë dy vitet e fundit dhe shumë nga drejtuesit e policisë së shtetit që unë i kam pas miq, pas largimit nga policia nuk më kanë hap asnjëherë telefonin. Jo vetëm këta por dhe shumë drejtues të PD, kanë heshtur.  Kam dy vjet që isha i rrezikuar nga keqbërësit. Në Sarandë kam luftuar me ndërgjegje duke zbatuar porosinë e Sali Berishës “Luftë kundër krimit të organizuar”.  Unë kam dokumentet që në disa raste kam kapur transportuesit e drogës i vetëm, në momentin që shokët janë larguar. Kam punuar me ndërgjegje, me pastërti. Shefi i policisë në Sarandë mbetet për mua njeriu më i vlerësuar. Madje ai më bëri një drekë duke më përqafuar. Kishte nga ata që më thoshin për punën “këlysh i Sali Berishës”, por unë s’ua vija re. Por peng kam pse më hoqën pa më thënë arsyen dhe pse s’më hapin telefonat ish- miqtë e mi në PD. Besoja se Berisha i donte të papërlyerit, punëtorët, besnikët. Tani s’di ç’të them. Ai duhet të më vlerësonte.

 Ju para ca ditësh grisët teserën e PD-së në një takim të Ramës me banorët e lagjes “Don Bosko”, je penduar?

Aspak. E kam bërë me shumë ndërgjegje. E kam bërë me vetëdije. Përderisa partia ime më heq nga puna, përderisa askush s’më hap celularin, përderisa s’më thonë arsyen  pse më hoqën dhe më lanë në heshtje, përderisa në polici mbajnë disa të inkriminuar, përderisa ata që e kanë luftuar Berishën si komunist janë ende në drejtim të policisë, mendoj se ka diçka. Unë jam për një shtet ligjor, për shtetin e së drejtës, për një shtet të fortë të respektoj punën. Unë jam një nga themeluesit e PD në Peshkopi dhe tani them se shteti nuk funksionon. Shkon dikush në tokën tënde, e zapton dhe me kallash të thotë është e imja. Unë jam krenar për punën time, pasi askush nuk mund të më thotë se kam marrë pesë lekë. Kam punuar dhe tek Antidroga tek Drejtoria e Policisë Tiranë dhe të gjithë më respektojnë. Kam punuar me shumë oficerë të nderuar që i dua dhe më duan paçka se tashmë gjërat kanë marrë ndryshe. Dhe e fundit unë s’po shoh asnjë deputet të djathtë në Parlament. Pra asnjë me prejardhje të djathtë. Shumica janë bijtë e komunistëve. Një borxh që ja kisha Sali Berishës ja kam shpërblyer me punë.

Ke lëvizur në shumë vende?

Po, nga veriu në jug. Vetëm në Vlorë s’kam dashur, pasi aty më kujtohet jeta e motrës në internim. Më larguan kur isha  Sarandë. Në 2003-n kur u bë një miting shefi i Antikrimit më largoi nga qendra e Tiranës ndërsa një polic më tha këtë shkopin e gomës do ja fus në…..doktorit. Ishte ekstremist i majtë. Bëra llafe me të. Sot e kësaj dite ai është në polici, ndërsa mua më larguan. Janë të lidhur të gjithë në polici. Unë kam kontribuar për Policinë e Shtetit.

 Cili është mendimi juaj për policinë shqiptare?

Unë të thashë, shumë policë janë heronj, janë njerëz të ndershëm, janë njerëz që sakrifikojnë, që japin dhe jetën dhe pse shpërblehen pak. Unë kam punuar me shumë drejtues të policisë, kam pasur shumë eprorë, por dhe kolegë të thjeshtë që ishin të betuar në zbatimin e ligjit. Ata shumë herë s’kanë marr parasysh asgjë për të kapur keqbërësit. Ndaj tyre duhet më shumë respekt dhe më shumë ndihmë. Janë njerëz me halle.

Po ku e keni ndjerë veten më keq dhe pse do votoni për  Sadri Abazin?

 Unë e ceka pak më lart. Unë jam për një shtet ligjor, jam për një shtet që çdo njeri të marrë atë që i takon dhe që në uniformat blu të mos ketë njerëz të inkriminuar. N.q.s duhet të ketë njerëz të ndershëm, ata duhet të jenë 100 % vetëm në polici. Polici ka në dorë jetë njerëzish dhe nis është i inkriminuar, ai s’do veprojë me forcën e ligjit. Pra kam parë policë të tillë që kanë marrë pjesë edhe në djegie komisariatesh dhe tani pa pikë turpi drejtojnë njëlloj. Përsa i përket deklaratës time se do votoj Sadri Abazin e them sërishmi dhe pse vota nuk duhet deklaruar. Do votoj për të pasi e kam patriot, është dibran, rrjedh nga familje e varfër, por e ndershme, kanë punuar me djersë për të fituar çdo gjë me punë. Më mirë t’ja japësh votën një njeriu të tillë dhe mirënjohës se sa disa politikave që tallen me premtime boshe dhe në fund s’mbajnë asgjë. Sa herë janë tallur deputetët me ne në fushata një Zot e di. Ne i kemi besuar ata na kanë harruar.

Po Sali Berishën e ke marrë në telefon?

S’e kam telefonin e tij, por doja ta merrja. Unë s’e di, por kam besim tek puna e tij e ndershme, por nga ana tjetër jam i bindur që atë e gënjejnë. Kur ne luftojmë korrupsionin, drogën, etj., përse nuk na thonë përse na heqin nga puna. Pas 18 vjetësh dola unë i paaftë për të marrë një test? Këtë s’e beson askush, pasi di që gjithmonë kam marrë notat më të larta, vlerësimet më të mira.