Janullatos vlerësohet me çmim ndërkombëtar, Meta: Ka forcuar harmoninë ndërfetare

392
Sigal

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka përshëndetur nderimin e Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos, me çmimin ndërkombëtar “Klaus Hemmerle 2020”, për kontributin e Tij të shquar për përqasjen dhe bashkë-ekzistencën paqësore. Kreu i shtetit ka vlerësuar rolin e çmuar për forcimin e harmonisë ndërfetare. ”Kontributi ndërkombëtar i Kryepeshkopit Janullatos ka ndihmuar në afirmimin e shkëlqyer ndërkombëtar të Shqipërisë, si vend i lirisë dhe harmonisë ndërfetare”,-shkruan Presidenti Ilir Meta.

Postimi i plotë

E përshëndes vlerësimin e merituar të Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos, me çmimin ndërkombëtar “Klaus Hemmerle 2020”, për kontributin e Tij të shquar për përqasjen dhe bashkë-ekzistencën paqësore.

Krenar për rolin e çmuar të Fortlumturisë së Tij dhe Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë në veçanti, për forcimin e harmonisë ndërfetare, kësaj vlere kombëtare dhe modeli unik në mbarë botën. Kontributi ndërkombëtar i Kryepeshkopit Janullatos ka ndihmuar në afirmimin e shkëlqyer ndërkombëtar të Shqipërisë, si vend i lirisë dhe harmonisë ndërfetare.

I gëzuar që ky lajm i mirë vjen pak ditë pasi në emër të Shqipërisë i konfirmova Sekretarit amerikan të Shtetit, Michael Pompeo se jemi të përkushtuar në mbështetjen dhe fuqizimin e Aleancës Ndërkombëtare për Mbrojtjen dhe Avancimin e Lirive Fetare.