Ministria e Shëndetësisë publikon pyetjet
Ministria e Shëndetësisë ka publikuar fondin e pyetjeve për testimin e infermierëve, me gjithë protestat e përjavshme të zhvilluara nga bluzat e bardha për kundërshtimin e këtij urdhri të ministrit Beqaj. Fondi i pyetjeve, i publikuar në faqen zyrtare të ministrisë, përmban gjithë lëndën, së cilës duhet t’i referohen infermierët, para se të hyjnë në testim. Ministri Beqaj ka deklaruar disa ditë më parë se testimi i infermierëve do të zhvillohet në datën 28 shkurt. Kështu, infermierët kanë gati 10 ditë afat për të përvetësuar njohuritë për të cilat do të testohen.
Pyetjet
Aparati Lokomotor
Infermierët duhet të dinë se: çfarë është toleranca ndaj aktivitetit fizik; nëpërmjet kujt realizohet ekuilibri dhe lëvizjet? Çfarë veprimesh duhet të ndërmarrë infermierja për të vlerësuar lëvizshmërinë e pacientit? Cilat janë parimet që duhet të shfrytëzojë infermierja për të parandaluar dëmtimin e saj dhe të pacientit gjatë përkujdesjes? Çfarë do të thotë dekubitus lateral; po pozicioni për terapinë intravenoze? Çdo të thotë Imobilitet? Cila është arsyeja që pacienti me kirurgji abdominale duhet t’i mbajë këmbët e flektuara? Çfarë rrezikon një pacient i cili ka qëndruar për një kohë të gjatë regjim shtrati? Si quhet aftësia e një personi për të lëvizur lirshëm? Çfarë duhet të observojë infermierja te një pacient i imobilizuar në shtrat? Cilat janë efektet psikosociale që mund të ndodhin në pacientët me imobilitet? Në cilin rast të problemeve pulmonare pacientit i rekomandohet regjim shtrati? Cila është ndërhyrja infermierore që ndihmon pacientët të kalojnë efektet negative të imobilitetit? Kur aplikohet qaforja në traumat e shtyllës kurrizore(Cervikale), etj.?
Higjenë
Infermierët duhet të dinë se: Çfarë është higjena, po mikroorganizmat, po sterilizimi? Çfarë është Asepsia, Infeksioni, po denzifektimi i duarve? A rrezikon transfuzioni i gjakut në pacientët për mundësinë e infektimit të tyre me hvb, hvc, hiv? A është i nevojshëm përdorimi i maskës, i dorezave sterile dhe kur? Gjithashtu infermierët duhet të dinë dhe hapat për larjen e duarve etj..
Ushqyerja
Ushqyerja me gji e foshnjave, por dhe ushqimi shtesë për bebet përbëjnë disa nga pyetjet përsa i takon të ushqyerit. Ushqyerja enterale, ushqyerja parenterale, malnutricioni dhe të ushqyerit me tub nazogarstik janë disa nga fondi i pyetjeve sa i takon kësaj rubrike.
Urgjenca
Si duhet të sillet infermieri në bazë të urgjencave që i paraqiten gjatë punës? Çfarë duhet të observojë, si dhe kur duhet të ndërhyjë ai? Si duhet të jetë përshkrimi që duhet të bëjnë infermierët gjatë mjekimit të plagëve të pacientëve?
Testet diagnostike
Cili është roli i infermierëve gjatë testeve të diagnostikimit të pacientit, si duhet të sillet dhe çfarë duhet t’i thotë pacientit që duket i tensionuar dhe stresuar? Cili është roli i infermierit, etj.?
Gjithashtu infermieri duhet të njohë shenjat vitale të pacientit, të dijë rreth menaxhimit të dhimbjes, rreth oksigjenimit, stresit, lëngjeve dhe elektroliteve, infeksioneve spitalore, medikamenteve si dhe të jetë komunikues dhe i sjellshëm brenda kodit etik. Gjithashtu, në këtë test do të ketë edhe pyetje rreth Urdhrit të Infermierit.



















