Itali: Kërkohen 13 mijë punëtorë të kualifikuar, kryesisht shqiptarë

584
Të vish në Itali për punë? Apo nëse ndryshojmë këndvështrimin, të punësosh një punonjës nga jashtë? Është mision i pamundur! Edhe kur qeveria vendos të hapë kufijtë, vihet në mes burokracia e imigracionit që pengon takimin mes ofertës dhe kërkesës. Konfirmimi mbërrin edhe nga ecuria e dekretit të fundit të flukseve për punonjësit sezonalë që majin e shkuar ka vënë në dispozicion 13 mijë hyrje në Itali. Shërbenin për të sjellë krahë pune të domosdoshëm për bujqësinë dhe sektorin e turizmit për pak muaj, kur kishte më shumë nevojë.

Por ai dekret doli me shumë vonesë, kur për shembull korrjet e para kishin nisur. E zyrat që merren me shqyrtimin e kërkesave, ndoshta të mbingarkuara nga puna e me personel të mangët, humbën edhe kohë tjetër të vyer. Fakti është që në mes të shtatorit, sipas të dhënave të ministrisë së Punës, kundrejt 13 mijë kuotave të autorizuara, rezultonin 29 mijë kërkesa të paraqitura. Drejtoritë territoriale të punës dhe Kuesturat ishin shprehur vetëm për 5 mijë kërkesa, dhe nga këto, Sportelet unike të imigracionit kishin përpunuar e lëshuar vetëm 4.200 autorizime për punësim. E nuk mbaron këtu, sepse ato autorizime përbëjnë vetëm hapin e parë të një rruge të gjatë që sjell më në fund punonjësit në Itali. Në fakt lejeqëndrimet e lëshuara rezultonin të ishin vetëm 2 mijë. Me pak fjalë as një e gjashta e punonjësve që mund të vinin ka arritur të hyjnë në Itali e të punojnë vërtet, megjithëse kishte plot ndërmarrje që donin t’i punësonin. “Shifrat janë shqetësuese, konfirmojnë sërish që kështu nuk mund të vazhdohet më” thotë për Stranieriinitalia.it Romano Magrini, përgjegjës për politikat e punës so Coldiretti-t, që kërkon të ndërhyhet në dy aspekte. 

“Para së gjithash, dekreti i flukseve për sezonalët duhet të shpallet shumë më herët, në mënyrë që punonjësit të mund të arrijnë në kohë. Jemi në nëntor, është çasti për të vendosur që tani sa punonjës sezonalë do të mund të vijnë gjatë vitit 2016. Trembëdhjetë mijë si vitin e shkuar? Jemi dakord, por me kusht që kërkesat të mund të nisen që tani, jo në pranverë. Në Verona, për shembull, në mars fillon mbledhja e luleshtrydheve…”. E në mënyrë që zyrat të mos humbasin kohë të vyer në shqyrtimin e kërkesave që nuk përmbushin kriteret, nevojitet një shoshitje paraprake. “Nuk është e mundur – thekson Magrini – që t’i lejohet kujtdo që ka një kompjuter e internet të paraqesë kërkesë. Është e qartë që kështu u lihet hapësirë atyre që duan të përfitojnë apo që nuk dinë. Shoqatat e kategorisë duhet të funksionojnë si filtër: punëdhënësit të na drejtohen e ne do të nisim vetëm kërkesat e sakta, që plotësojnë kriteret. Kështu sistemi nuk do të mbingarkohet nga ato të kotat që nuk mund të kenë asnjë shpresë dhe punonjësit e huaj do të mbërrijnë sapo të lindë nevoja për ta”.
Sigal