Ishte dënuar me 14 vite burg në Itali, arrestohet 34-vjeçari në Durrës, ja për çfarë akuzohet

79

Policia e Durrësit në vijim të punës për kapjen e personave që janë në kërkim ndërkombëtar, ka bërë të mundur arrestimin e një 34-vjeari.

Në njoftimin për media bëhet e ditur se shqiptari me inicialet B.Q., 34 vjeç, banues në Durrës ishte dënuar nga Gjykata e Apelit në Venecia me 14 vite burg për tre vepra penale, përfshirë trafikimin e lëndëve narkotike.

Shqiptari prite të ekstradohet në Itali për kryerjen e dënimit.

Njoftimi i Policisë:

Vijon puna për kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Koordinimi”.

Operacioni, nga DVP Durrës, në koordinim me Interpol Tirana.

Kapet dhe arrestohet një 34-vjeçar, me qëllim ekstradimi në Itali, i dënuar për disa vepra penale.

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, krahas angazhimit maksimal për monitorimin e zbatimit të masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19, vijojnë punën për goditjen e paligjshmërisë dhe për kapjen e personave në kërkim.

Bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, specialistët për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve në DVP Durrës, në koordinim me Interpol Tirana, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Koordinimi”, në kuadër të të cilit u kap dhe u arrestua, me qëllim ekstradimi drejt Italisë, shtetasi B. Q., 34 vjeç, banues në Durrës.

Gjykata e Apelit në Venecia, Itali, e ka dënuar me 14 vjet burg, për veprat penale “Trafikim i lëndëve narkotike”, “Vjedhja me armë” dhe “Vjedhja”, parashikuar nga Kodi Penal italian.

Materialet e arrestimit të përkohshëm i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës.