Ish-presidenti i Bundestagut, Norbert Lammert nderohet në Tiranë

509
Sigal

Ish-presidenti i Bundestagut gjerman, Prof.Dr. Norbert Lammert nderohet me dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Tiranë. Ndërkohë përkujtohet edhe 10 vjetori i aktivitetit të fondacionit Konrad Adenauer në Shqipëri.

Prof. Dr. Norbert Lammert, Drejtor i Përgjithshëm i Fondacionit gjerman „Konrad Adenauer”,(KAS)  ish President i Bundestagut është nderuar në Tiranë, të martën (15.10.) me dekoratën „Gjergj Kastriot Skënderbeu, akorduar nga Presidenti Ilir Meta, me motivacionin „Për kontributin e çmuar në forcimin e marrëdhënieve strategjike mes Shqipërisë dhe Gjermanisë,  thellimin e bashkëpunimit ndërparlamentar dhe mbështetjen e qëndrueshme të proceseve demokratike dhe rrugëtimit europian dhe euroatlantik të Shqipërisë’. Lammert është i ftuar nderi në festimet për 10 vjetorin e aktivitetit në Shqipëri të KAS, i cili vazhdon të ketë në fokus edukimin politik të qytetarëve,  dhënien e njohurive mbi demokracinë dhe proceset demokratike.

Lammert – Plotësim i kushteve në rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE

Presidenti Meta e cilësoi fondacionin gjerman ‘Konrad Adenauer’, një “institucion shumë të rëndësishëm të Gjermanisë, që i ka shërbyer me përkushtim forcimit të marrëdhënieve strategjike ndërmjet dy vendeve”. Ai tha se “gjatë 12 viteve, 2005-2017, të drejtimit të Bundestagut gjerman nga Prof. Dr. Norber Lammert, Shqipëria hyri në NATO, nënshkroi dhe ratifikimin e Marrëveshjen e Asocim – Stabilizimit me BE, realizoi lëvizjen pa viza drejt vendeve anëtare të BE dhe mori statusin e vendit kandidat për anëtarësim.

Tirana Festakt 10 Jahre Konrad Adenauer Stiftung Albanien (DW/A. Ruci)Presidenti, Ilir Meta

“Gjermania është një mik dhe partner strategjik, tashmë i pazëvendësueshëm i   Shqipërisë. Mbështetja e saj është jo vetëm e qëndrueshme dhe e shtrirë në të gjitha fushat, por edhe jetike për të ardhmen e vendit, ashtu sikurse është jetike për vetë anëtarësimin e Shqipërisë dhe të gjithë rajonit në Bashkimin Europian” theksoi Presidenti Meta. Ai vlerësoi qëndrimin parimor dhe të drejtpërdrejtë të Bundestagut për të siguruar mbështetjen e plotë ndaj procesit të integrimit europian të Shqipërisë dhe vendimit pozitiv për hapjen e negociatave të hyrjes në BE.

Lammert: Të gatshëm të shoqërojmë në mënyrë konstruktive procesin e integrimit

Lidhur me vendimin e Këshillit Europian, Lammert tha mbrëmë në Tiranë se “Shqipëria meriton perspektivën europiane. Rrugëtimi i saj drejt hyrjes në BE do të realizohet atëherë kur të përmbushë kushtet. Ajo çka parlamenti gjerman ka vendosur para disa ditësh tregon angazhimin e tij. Jemi të gatshëm të shoqërojmë në mënyrë konstruktive procesin e integrimit të Shqipërisë, por me pritshmëri të qarta”, vuri në dukje Lammert.

Tirana Festakt 10 Jahre Konrad Adenauer Stiftung Albanien (DW/A. Ruci)

Basha- hapja e negociatave, garanton vëmendje  të shtuar të BE

Kryetari i PD dhe opozitës jashtë parlamentit, Lulzim Basha, i pranishëm në ceremoninë për 10 vjetorin e KAS e quajti rezolutën me 9 ҫështje të Bundestagut ” rrugën drejt hapjes së negociatave, udhërrëfyes për daljen nga kjo kriza politike edhe institucionale”. Ai tha se vetëm hapja e negociatave “garanton një vëmendje të shtuar të BE në Shqipëri, një kontroll më të fortë të funksionimit të institucioneve dhe zgjedhjeve të lira”.

„U bëjmë thirrje miqve gjermanë që vetëm hapja e negociatave garanton kontroll më të fortë të funksionimit të institucioneve, ndarjes së pushteteve, zgjedhjeve të lira dhe barazisë para ligjit, si garanci për qytetaret e këtij vendi se liritë dhe të drejtat e tyre do të respektohen. Në këto kohë, thënia e Konrad Adenauer se ”Demokracia nuk mund të merret kurrë si e mirëqenë”, është më aktuale se kurrë më pare në Shqipëri,” tha Basha.

Në Shqipëri, krahas KAS zhvillojnë aktivitetin e tyre edhe dy fondacione të tjera gjermane, si Fridrich Ebert dhe Hans Seidel.