Ironizon analisti i njohur: Çani, Besa e Genci, prova që Rama e urren Kosovën!!

496
Sigal

Nga Çim Peka

Pasi ja zhvleftësoi me shpejtësi edhe ato vlera dhe pikë që mund të kishte “djaloshi Caka nga Kosova”, duke e trajtuar si një fëmijë të marrë përdore dhe shtojcë të tekave dhe prapaskenave të veta të brendshme e të jashtme, Rama mbrëmë avancoi për ti bërë shqiptarët e Shqipërisë dyshues për integritetin e “gjenive-ministra kosovarë”, si dhe shqiptarët e Kosovës të ulin kokën, për atë që përfaqësohen.

Ashtu siç e ka ndërtuar edhe vetë komunikimin me studentët që kur kanë nisur protestën, në mënyrën më karagjoze të mundshme, njësoj bëri mbrëmë në “Zonë e Lirë”, edhe me prezantimin e parë mediatik tashmë  si ministre Arsimi, me kosovaren Besa Shahini. E nxori në emisionin në të cilin vetë ka gjetur strehën ku ndihet ai që është në të vërtetë, pikërisht në atë studio ku Linda Morina tallet si “vip-e” e Kosovës.

Një ministre Arsimi, që nuk njeh e as ka “dëgjuar” për homologët e vetë në Europë; që ka që në fillimet e veta që investohet nga Soros, por “ashtu është një muhabet”; që gënjen hapur duke thënë se pedagogët e studentët nuk duan abrogimin e ligjit për Arsimin; që fshihej e tmerruar kur dëgjonte për lidhjet e familjes së saj me Serbinë e Milosheviçit e gjuhën serbe…

Tani që prozhektorët u hodhën edhe mbi “kosovarët” ministra të Jashtëm e të Arsimit,  nën vetë regjinë e Ramës, ne mund të shohim qartë lojën e ligë të tij me këto dy viktima si individë, por veçanërisht me gjithë elitën e shqiptarëve të Kosovës, me të cilët Rama përpiqet të njësojë e identifikojë  Cakajn e Shahinin. Dhe kjo ligësi e dekonspiruar tashmë këtu brenda në Shqipëri, ka të bëjë posaçërisht me Kosovën dhe me elitat e saj. Duket që kjo dëshirë për të turpëruar klasën e inteligjencës kosovare, buron edhe nga përpunimi që Baton Haxhiu i etur për hakmarrje i ka bërë Edi Ramës sistematikisht, pasi në “fshatin e tij” të gjithë e njohin se si e ka bërë karrierën e mirëqenien!

Nëse shtoni vëmendjen, do të vini re se në emisionet dhe TV-të që kontrollohen nga Rama, ministrat e tij “kosovarë” masakrohen sipas një skenari të përpiluar e parashkruar me kujdes. Nuk ndodh kështu me vetë Ramën, i cili është “nona” e gjithçkaje; nga A-ja te ZH-ja.

Vetëm pak kohë më parë ishte e njëjta studio e i njëjti Çan, por në vend të Besa Shahinit na u servir nën prozhektorë të tjerë, vetë Edi Rama.

E pyeti Çani mbrëmë Besën për dajën “spiun të serbëve”, por “harroi” të paktën ta ngacmonte sado pak Edi Ramën, për “Baba Pilon” (Ish anëtarin e Byrosë Politike, Spiro Koleka) dhe babë  Kristaqin!

E pyet Besën për Batonin, por e zë amnezia për të pyetur kryeministrin në të njëjtën ndenjëse, për  marrëdhënien speciale me Aleksandër Vuciç-in e Serbisë!

Të trumbetosh me të madhe, se ke bërë një hap historik duke bërë ministra të rëndësishëm dy “figura” nga shqiptarët e Kosovës, por nga ana tjetër të kujdesesh që në oazin e madh intelektual e profesional të shtetit të dytë shqiptar, të përzgjedhësh dy individë të dyshimtë në çdo aspekt, nuk është rastësi.

Në rastin më të mirë; nuk ke respekt për Kosovën dhe elitat e saj. Në rastin më pak të mirë; synon përçarje andej e këtej kufirit shqiptaro-shqiptarë. Dhe në rasti më të keq; e urren Kosovën dhe je duke hedhur vallen e prejkohëshme të planeve të Serbisë së Vuçiç dhe Sorosit, për konfederatën, Ish-Jugosllavi+Shqipëri!