Inxhinieri Kujtim Beqiri dhe romani “Këneta”

1699
Gëzim Llojdia

Fushës së Murros në luginën e Shushicës edhe sot i thonë: “Fusha e Ali Beqirit”. Në Velçën e rrethuar me shpella e shkëmbej, në brinjë të malit, lindi Ali Beqiri. Në këtë rreshta përshkruhen vetëm disa pasazhe jete të Ali Beqirit, babait të Kujtim Beqirit, inxhinierit që u var në Maliq. Ali Beqiri mbylli sytë 4 vjet më pas i biri i tij, varet mizorisht nga regjimi në verilindje të vendit, në një kënetë që po thahej. Në Vlorë Këshilli i qarkut disa vjet më parë e nderoi me titullin: “Nderi i qarkut, Vlorë” edhe inxhinierin Kujtim Beqiri. I biri i tij bëri, që të shkëputen pika e lotit me thëniet “Shkuam në Maliq kërkuam eshtrat, por eshtra nuk gjetëm. Atëherë morëm vetëm një dorë dhe që e hodhëm në arkivolin e vogël për të pasur një varr. Kujtim Beqiri ishte djali i Ali Beqirit. I quajtën: “sabotatorë të kënetës së Maliqit”. Ka edhe një film të kinostudios:”Shqipëri e Re” dhe një roman të Fatmir Gjatës të quajtur :“Këneta”. Në 6 nëntor të vitit 1946 ndaluan rrahjet e zemrës së tij nën thirrjetsa gjakatare aq dhe hipokrite: “Në emër të popullit!”. 

Këneta e Maliqit 
Disa nga shifrat që afrohen janë, se rreth tre mijë të burgosur kanë punuar atje, ndërsa 63 vetë kanë vdekur në punët e vështira si dhe janë pushkatuar janë varur gjatë kohës së tharjes së saj. Masat represive, që u ushtruan në kënetën e Maliqit u përkasin metodave të nazistëve. Mushkonjat, kushtet e vështira të punës ushqimi i pakët, mungesa e mjeteve të punës. (mjetet përbëheshin prej lopatës, kazmës, tokmakut, dekovili e dinamiti) Për tharjen e kënetës u shfrytëzuan mizorisht energjitë mijëra vetëve që punuan për tharjen e saj, ndërkaq shteti refuzonte kreditë dhe makineritë moderne që përdorte bota në tharjet e kënetave. Në 8 nëntor, i nxorën në gjyq, më 19 u dhanë vendimet. Për gjashtë prej tyre ishte dënim kapital: marrje jete. Dy me varje. Katër me pushkatim. Natën e 22 nëntorit, i ngarkuan në makinë dhe prej Tiranës i dërguan në kantierin e tharjes së Kënetës së Maliqit. I kishin grumbulluar të gjithë punëtorët, para të cilëve u mbajt një fjalim i shkurtër. Nisën nga varja dhe pushkatimet. Kemi parë filmimet, që tregojnë në dokumentarët e kohës si vriteshin njerëzia me akuza absurde. Kujtim Beqiri, Abdyl Sharra u varën në litar, katër të tjerët u ekzekutuan me plumba. Vasil dhe Zyrika Mano u pushkatuan njëherësh bashkë me Mirush Përmetin dhe italianin Eugenio Scaturro. Italiani kur u gjend përpara skuadrës së pushkatimit nuk po e merrte vesh se po e vrisnin. Ndërsa nuk i kishin afruar përkthyes. Kujtim Beqiri, kishte mbaruar studimet në Vjenë dhe ishte drejtor, u akuzua dhe u var në litar, të tjerët u pushkatuan. Kur mbaroi studimet, për rezultatet e larta dhe aftësitë intelektuale dhe profesionale Kujtim Beqirit i thanë të qëndronte pedagog në Vjenë, ai nuk pranoi, me idenë që të rikthehej në vend e t’i shërbente popullit të tij. Edhe sot foto e tij është vendosur në Universitetin e Inxhinierisë së Vjenës, si student i shkëlqyer. Fjala e fundit e të riut para se të vdiste ishte: “Fajin tonë do ta tregojë historia. Të rrojë Shqipëria!”. Akuza karshi inxhinierëve nuk ishte gjë tjetër, veçse një sajesë e sigurimit për të gjetur fajtorët për mos tharje të kënetës. 

Kush ishte Kujtim Beqiri 
Ing. Kujtim Beqiri ka lindur, në Velçë të Vlorës, më 16.02.1916, në familjen e arsimdashësit Ali Beqiri. Shkollën fillore dhe qytetësen i kryen ne Vlore dhe dërgohet, në Tiranë, për të studiuar në Shkollën Teknike Amerikane, në degën elektrike, të cilën e mbaron shkëlqyeshëm, më 1932. Aftësitë e jashtëzakonshme të Kujtim Beqirit i kishin lënë mbresa drejtorit të shkollës, Harri Fultzit, i cili shprehej: “Ti Kujtim do të bëhesh si Beniamin Franklini”. Nga 1932 – 34 mbaron dy vitet e fundit dhe maturën e niset me bursë në Austri, ku vazhdon Fakultetin e Inxhinierisë Civile, në Universitetin e Vjenës, të cilin e përfundon me rezultate të shkëlqyera, më 1940. Emri i tij është i skalitur me germa të arta ndër studentet e shkëlqyer të Universitetit të Vjenës. I propozohet, të qëndrojë si asistent profesor në Vjenë, por Kujtimi 24 vjeçar preferon të kthehet në atdhe. Emërohet fillimisht si inxhinier i prefekturës së Dibrës, më pas në Prizren e së fundi në Vlorë. Pas çlirimit ë vendit merr pjesë aktive në rindërtimin dhe ndërtimin e rrugëve dhe urave. Shquhet në drejtimin e punimeve të rrugës Kukës-Peshkopi dhe së bashku me ing. Gjovalin Gjadrin në rindërtimin e Urës së Rrogozhinës. Në korrik 1946, emërohet drejtor i punimeve për tharjen e kënetës së Maliqit dhe me 8 nëntor 1946 dënohet me varje së bashku me ing Abdyl Sharrën dhe ekzekutohet ne moshën 30 vjeçare, vetëm pas 10 vite pune. Djali tjetër i Ali Beqirit, vëllai i Kujtimit agronom Mehmed Beqiri. Ka lindur në Velçë tëVlorës, më 7 shkurt 1911. Shkollën fillore e kreu në Vlorë, ku vijoi edhe shkollën plotore. Në moshën 13 vjeçare, me bursën e shtetit shqiptar, dërgohet ne Austri, për të vazhduar shkollën e mesme. Në vitin 1924-25 vijon edhe mbaron klasën e parë të Gjimnazit të Freystadit. Mosha e vogël e Mehmetit e detyroi atë të kthehet në atdhe, ku vazhdon, në Tiranë, Shkollën Teknike Amerikane, në degën agronomike. Mbaron shkollën teknike, më 1930 dhe kthehet në Vlorë, ku familjarisht po merreshin me krijimin e një ferme frutikulture moderne. Me 1936 shkon përsëri në Austri, për të kryer studimet në Shkollën e Lartë të Agronomisë, në Vjenë. Me mbarimin e studimeve me 1941 kthehet në atdhe, për t’u marrë përsëri me pasionin e tij, frutikulturën. Emigron, në 1944, fillimisht në Itali, Siri e pas 1956 ne SHBA. Në SHBA merr doktoratën për sociologji dhe shërben si profesor në Kanada. Vdiq në SHBA, më 6 qershor 1987.
Arsyet e arrestimit
Sipas materialeve të fabrikuara nga Sigurimi i shtetit e të arkivuara: “Këshilli i Gjykatës së Lartë kishte konstatuar se: Qysh në verë të vitit 1945, në bashkëpunim me agjentë të huaj ishte formuar një grup tekniko-profesional për të kryer vepra shkatërrimi e sabotimi në stil të gjerë dhe në mënyrë sistematike, për të minuar pushtetin në sektorin më vital të ekonomisë kombëtare dhe të pakësojë rezistencën e popullit shqiptar, duke dëshiruar një ndërhyrje të monarko-fashistëve grekë dhe të reaksionit të jashtëm. Për të kurorëzuar qëllimin e mësipërm dhe aktivitetin e tyre antipopullor të pandehurit Abdyl Sharra, Kujtim Beqiri e Zyrika Mano bashkë dhe me elementë të tjerë janë venë në kontakt herë pas here me agjentët e reaksionit të huaj, të maskuar me funksione legale, për t’iu shërbyer qëllimeve të tyre imperialiste, bëhen spiunë dhe vegla të verbëra në shërbim të tyre. Kush ishin pjesëtarët e grupit: Abdyl Sharra ish-oficer i fashizmit dhe i rrethuar nga një ambient familjar që u vu në dispozicion të Ballit e të okupatorëve. Kujtim Beqiri anëtar i Komitetit Qarkor të Ballit në Vlorë në kohën e okupacionit. Të dy këta, me metoda të ndryshme, duke abuzuar besimin që u kishte ngarkuar pushteti popullor i përvishen punës shkatërruese të sabotimit. Deri diku dhanë shenja sabotimi në urën e Penkovës, Gomsiqes, Mifolit… Me qenë se këto ura ishin në përfundim të ndërtimit, nuk u shtri sabotimi në stil të gjerë. Aktiviteti sabotues mori hov në vepra të tjera. Kujtim Beqiri, i emëruar inxhinier drejtues i aksionit të rinisë në rrugën Kukës-Peshkopi sabotoi një pjesë të rrugës në sektorin “B”, kurse Abdyl Sharra, i emëruar drejtor i punimeve për tharjen e liqenit të Maliqit, para se të nisej për në krye të detyrës merr udhëzime nga agjentët e juaj në Tiranë, duke u shpërblyer me një rrogë të përmuajshme prej 50 sterlinash. Atij iu dhanë premtime se në të njëjtën mënyrë do të shpërbleheshin gjithë elementët e tjerë që do të bashkëpunonin me të. Qysh prej mbërritjes së tij e deri më 27 korrik të 1946, që u largua nga përgjegjësia si drejtues i kantierit të Maliqit ai e shtriu aktivitet antipopullor të gjerë duke rekrutuar Aleks Vasilin, Vasil Manon, Zyrika Manon, Pandeli Zografin, Mihal Stratobërdën dhe dy italianët që gjendeshin në Maliq.
Mbledhjet e fshehta.
Herë pas herë së bashku bënin mbledhje të fshehta, ku parashtronin programin e tyre kriminal. Ndanë sektorët e sabotimit sipas përgjegjësisë së punës që i ishte ngarkuar secilit. Abdyl Sharra i ndihmuar nga Mario Guarnieri dhe Mihal Stratobërda sabotuan punën në kanalin kryesor. Vasil Mano sabotoi punën në ofiçinën e kantierit, si në prishjen dhe riparimin e ekskavatorëve, moto-kompresorëve dhe lokomotorëve, në centralin e elektrikut, në sjelljen e ujit, në ngritjen e sistemit të barakave. I pandehuri Pandeli Zografi sabotoi në instalimin e linjës së dekovilëve dhe lokomotorëve. Italiani, Eugerto Scatura sabotoi në financë dhe ushqime. Aleks Vasili sabotoi në gurore. Zyraka Mano ishte në lidhje me grupin dhe agjentët e huaj” vijon me tej aktakuza. Ndërkaq nuk janë gjetur trupat. Në vend të tyre familjarët janë ngushëlluar me dheun e marrë nga toka e Maliqit. 
Sigal