Investitorët strategjik pazare me bosët e inceneratorëve

54
Sigal

Pasi zaptuan bregdetin për 1 euro dhe shkatërruan Rafinerinë e Ballshit, SPAK zbulon lidhjet abuzive të investitorëve strategjik, ku  “Shijaku” përfitoi 100 transferta me 800 mln dhe  u  kthye në maskë për Zoton e Mërtirin, për të fshehur ankandin 1 mln. euro për skrapin e TEC

Në hetimin për Ahmetaj, SPAK-u ka ngritur dyshime se “Shijaku” shpk, në të paktën një rast, duhet të jetë përdorur si mbulesë për përfitimet e Zotos dhe Mërtirit.

Prokuroria e Posaçme ka identifikuar edhe një tjetër tender, në të cilën janë bashkuar “Integrated Technology Service” e Zotos dhe “Shijaku” shpk.

Shoqëria “Shijaku” shpk rezulton të jetë një prej nënkontraktorëve më të qëndrueshëm të shoqërive koncesionare, që kanë fituar kontrata multi-miliona euro për ndërtimin e impianteve të mbetjeve në Elbasan, Tiranë dhe Fier.

Të dhënat e siguruara gjatë punimeve të Komisionit Hetimor Parlamentar për inceneratorët zbuluan se kompania në pronësi të Shpëtim Shijakut ka përfituar, mbi 100 transferta me më së paku rreth 880 milionë lekë të vjetra nga kompanitë me pronarë realë Klodian Zoton dhe Mirel Mërtirin, deri në fund të vitit 2021.

“Shijaku” shpk ka përfituar 54 milionë lekë të vjetra nga “AlbtekEnergy” që fitoi koncesionin për inceneratorin e Elbasanit; 618 milionë lekë të vjetra nga “IntegratedTechnologyËasteTreatment Fier”; dhe rreth 210 milionë lekë të vjetra nga koncesionari i Sharrës, “IntegratedEnergybv”.

Këto të dhëna tregojnë një raport të ngushtë bashkëpunimi profesional mes dyshes Zoto-Mërtiri dhe Shpëtim Shijakut.

Por, Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) ka një këndvështrim tjetër për raportet mes këtyre biznesmenëve ose të paktën për gjenezën e bashkëpunimit mes tyre.

Në hetimin për ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj, SPAK-u ka ngritur dyshime se “Shijaku” shpk, në të paktën një rast, duhet të jetë përdorur si mbulesë për përfitimet e bosëve në arrati të inceneratorëve, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri.

Skrapi i Fierit

Pasi Edi Rama mori pushtetin në vitin 2013, Arben Ahmetaj emërohet ministër për Zhvillimin e Sipërmarrjes. Ndër kompetencat e tij ishte edhe privatizimi apo likujdimi i ndërmarrjeve shtetërore jo-fitimprurëse.

Një ndër ndërmarrjet në proces likujdimi ishte “PetrolAlba”. Ahmetaj emëron likujidator të saj Artan Gjokaj, të cilin SPAK e identifikon si mikun e tij të ngushtë.

Në prill të vitit 2014, likujdatori Gjokaj i propozon ministrit Ahmetaj shpalljen e ankandit për mbi 4.826.521 kilogram skrap dhe çelik nga ish-Termocentrali i Fierit, për një vlerë prej 115.836.004 lekë të reja ose rreth 1 milion euro.

Ahmetaj e pranon propozimin dhe miraton kërkesën për ankandin. Prokurorët kanë konstatuar se Drejtoria e Privatizimeve ka emëruar si përfaqësues të Ministrisë së Zhvillimit për procedurat e ankandit shtetasin Klodian Mëne, vëllain e kunatit të ministrit Ahmetaj, Leonard Mëne.

Ankandi zhvillohet në 18 qershor të vitit 2014 dhe procedura fitohet nga shoqëria “Shijaku” shpk, e cila kishte ofruar shifrën e njëjtë me atë që kishte vendosur autoriteti kontraktor, pranë 115.836.004 lekë.

Kjo procedurë do të ishte rutinore, në rast se SPAK nuk do të merrte nën kontroll kompjuterin e Klodian Zotos.

Dokumenta dhe komunikime të shumta, të regjistruara në memorien e kompjuterit, zbuluan, ndër të tjera, se pas procedurës së ankandit, të fituar nga “Shijaku” shpk, qëndronte Klodian Zoto.

SPAK thotë se “pavarësisht se palë kontraktore në këtë marrëdhënie shfaqet kompania ‘Shijaku’, në fakt pas kësaj shoqërie qëndrojnë miqtë e Arben Ahmetaj (Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto)”.

Ky dyshim i prokurorëve të posaçëm “lexohet nga provat e administruara”,- thotë SPAK-u në materialin hetimor.

Pse ky dyshim?

Në 8 korrik 2014, shtetasja Lela Filaj i dërgon një e-mail Klodian Zotos, me titull: “Draft kontrata”, me përmbajtje: “Përshëndetje, bashkëlidhur do të gjeni draft-kontratën për shitjen e skrapit në TEC Fier. Nëse keni ndonjë sugjerim, ju lutem na komunikoni”.

Referuar këtij komunikimi, SPAK deklaron se “pavarësisht se rezulton që shoqëria ‘Shijaku’ është fitues, konstatohet se procedura kontrollohet nga Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri”.

Në vijim, në kompjuterin e Zotos janë gjetur komunikime të datës 16 Korrik 2014, ku ai vihet në dijeni për draftin përfundimtar të kontratës, të pafirmosur, për urdhërin e ngritjes së grupit të punës nga “Petrol Alba”, që do të kryente inventarin e sasisë së skrapit dhe çelikut të përfshirë në ankand dhe të tjera dokumenta të ngjashme.

Po ashtu, në 30 korrik 2014, kompania “Shijaku” shpk i dërgon me e-mail Klodian Zotos kontranë përfundimtare të firmosur me TEC Fier.

Më tej, në kompjuterin e Zotos gjendet një vërtetim i likujidatorit Artan Gjokaj datë 24 mars 2015, në të cilin konfirmohet se “Shijaku” shpk ka përmbushur kontratën.

Impianti i pastrimit të Shkumbinit.

Prokuroria e Posaçme ka identifikuar edhe një tjetër tender, në të cilën janë bashkuar “IntegratedTechnologyService” e Zotos dhe “Shijaku” shpk.

Bëhet fjalë për tenderin “Impianti i pastrimit të grykëderdhjes së Shkumbinit dhe rikualifikimi i vijës Rrogozhinë-Vilë Bashtovë”.

Ky tender është zhvilluar në prill 2016 nga Ministria e Mjedisit dhe fondi limit ishte 129.921.039 lekë. Në përfundim, fitues është shpallur bashkimi i operatorëve “IntegratedTechnologyService& Shijaku & Zenit Ambiente”.Të dhënat e siguruara nga SPAK-u në kompjuterin e Klodian Zotos kanë nxitur dyshimin tek prokurorët se e gjithë kjo procedurë është “qepur” paraprakisht për Zoton dhe bashkëpunëtorët e tij.

Në fund të vitit 2015, Bashkia e Rrogozhinës i dërgoi Ministrisë së Mjedisit propozimin për projektin e impiantit të pastrimit të grykëderdhjes së Shkumbinit.

Ky propozim, si edhe të tjera akte, që lidhen me këtë procedurë, i janë dërguar Klodian Zotos disa javë përpara se Ministria e Mjedisit të shpallte zyrtarisht tenderin.

SPAK ka zbuluar në kompjuterin e Zotos materiale elektronike, me dërgues Etleva Kondin, drejtoreshë e rëndësishme në Ministrinë e Mjedisit në atë kohë dhe tashmë e pandehur për aferën e inceneratorit të Fierit.

Mbi bazën e këtyre të dhënave, Prokuroria e Posaçme ka ngritur dyshimin se e gjithë procedura ka qenë e paracaktuar. Megjithatë, në dokumentin hetimor për Arben Ahmetaj, prokurorët nuk janë thelluar në detaje të tjera mbi këtë procedurë, ndoshta për faktin se po zhvillojnë investigime të tjera paralele.

“Shijaku”, investitor strategjik.

Një ndër kompanitë e Shpëtim Shijakut rezulton të ketë fituar statusin e “investitorit strategjik” për ndërtimin e një kompleksi turistik në zonën e Plazhit të Gjeneralit”, në bregdetin e Kavajës.

Shoqëria “Mediterraneanëave”, në pronësi të Shijakut, ka fituar statusin me një vendim të Komitetit të Investimeve Strategjike në dhjetor 2021. Vendimi për statusin është miratuar nga kryeministri Edi Rama.

Projekti i Shijakut parashikon një investim me vlerë 50 milionë euro dhe një sipërfaqe ndërtimore rreth 200 mijë metra katrorë.

Zbatimi i Vendimit të Komitetit të Investimeve Strategjike është pezulluar përkohësisht, me një vendim tjetër të marrë në shkurt të vitit 2023.

Sipas këtij vendimi të fundit, investitori strategjik duhet të rishohë edhe njëherë gjurmën e ndërtimit, bazuar në ndryshimet e bëra në Planin e Përgjithshëm Vendor të Kavajës.