INTERVISTA/ Mirela Karabina: Arsimimi i fëmijëve shqiptarë dhe MAS për pushtetarë. Të ndalojë marrëzia që po shkatërron shkollën

814
Arsimimi i fëmijëve shqiptarë dhe Ministria e Arsimit për pushtetarë
Të ndalojë marrëzia që po shkatërron qëllimisht shkollën dhe arsimin bazë
Demagogjia afat-shkurtët e peshës së çantës do t’i “dalë boja” shumë shpejt. Nxënësit dhe prindërit do ballafaqohen me gërmadhat e të ashtuquajturës “nismë”, nëpërmjet zhgënjimit të çantës së lehtë dhe dijes së cunguar.

Arsimi parauniversitar, i cili është arsimimi bazë dhe periudhë me rëndësi të veçantë në formimin e individit, është duke u përballur me një “zallamahi” ndryshimesh që po e rrënojnë atë çdo ditë. Sistemi arsimor parauniversitar synon të formojë çdo individ, në mënyrë që të përballojë sfidat e së ardhmes dhe të jetë i dobishëm për familjen, shoqërinë dhe kombin. Politikat arsimore qeverisëse janë promotorë të zhvillimit të arsimit dhe rritjes së cilësisë, kur ato bëhen në shërbim të arsimit dhe shoqërisë. Ministria e Arsimit, me vendimet e shpeshta, ka tronditur themelet e arsimit parauniversitar, duke e çoroditur në mënyrë të organizuar. Të njohur nëpërmjet medias me një tjetër ndryshim thelbësor në sistemin arsimor parauniversitar, nxënësit, mësuesit dhe prindërit janë gjendur të papërgatitur dhe të paqartë për këtë që po ndodh. Tashmë, me një strategji të njohur termash pa përmbajtje, Ministria e Arsimit është në vazhdimësinë e rrënimit të thelbit të arsimit bazë. Me të ashtuquajturën “nismë”, “ tri lëndë në gjashtë orë”, e cila përbën një ndryshim në përmbajtje dhe formë të sistemit arsimor, ministria e arsimit ka treguar edhe njëherë papërgjegjshmërinë për të qenë në shërbim të fëmijëve shqiptarë. Ajo është vënë në shërbim të egos së pushtetit. Tashmë, demagogjia, si lajtmotiv i punës së Ministrisë së Arsimit, me shkëlqimin kalimtar të saj ka qetësuar 450 mijë nxënës, 900 mijë prindër dhe 36 000 mijë gjyshër ( një pjesë të mirë të elektoratit), duke ia servirur ndryshimin si “shpëtimin e madh” nga pesha e çantës. Termi “nismë” dhe “pesha e çantës” është argumenti djallëzor i përdorur për të larguar vëmendjen nga problemet thelbësore të rrënimit të arsimit. 

Por, çfarë është kjo e ashtuquajtur “nismë” në mesin e vitit shkollor?
I servirur si ndryshim i rëndësishëm për të ndihmuar fëmijët, e ashtuquajtura “nismë” “tri lëndë në gjashtë orë” realisht është një ndryshim thelbësor. Në fakt, nuk është nismë, është një reformim, një riorganizim dhe menaxhim i ri, një ndryshim në përmbajtje dhe formë në sistemin arsimor parauniversitar. Ndryshimet në arsim janë të nevojshme, i paraprijnë shoqërisë, por dhe ndikohen nga ajo. Por, duhet të jenë të ngadalta dhe të studiuara mirë. Një ndërhyrje e tillë, në mënyrë të menjëhershme në mesin e vitit shkollor, duhet të ketë një arsye të fortë që ta bëjë të domosdoshëm ndryshimin. Argumenti i përdorur se ndryshimi po bëhet për lehtësimin e çantës është sa naiv, aq dhe djallëzor. Sigurisht, që pesha e çantës, si një problem global, kërkon një studim serioz për të mundësuar lehtësimin e saj. Dhe, ministria ka pasur kohën për ta menduar dhe për të gjetur zgjidhje reale dhe në kohën e duhur. Ky argument është lehtësisht i përtypshim për fëmijët dhe prindërit. Pesha e çantës është barazuar me peshën e dijes. Por, pesha e dijes rëndon më shumë se çanta. Përdorimi politik ka hyrë në themel, duke prekur bazën e arsimit dhe duke detyruar nxënësit të gëlltisin dijen pa e përtypur atë. Kakofonia e termave ka larguar vëmendjen e fëmijëve dhe prindërve nga pesha e dijes, nga problematikat reale që ka në përmbajtje sistemi ynë arsimor dhe nga arsyeja e vërtetë e ndryshimit, duke i kënaqur me peshën e çantës. I gjendur para një fakti, Instituti i Zhvillimit të Arsimit (IZHA), ka nxituar brenda natës të hartojë një udhëzues për mësuesit, i cili për nga shpejtësia dhe pamundësia reale e një zgjidhjeje të mirë, është një udhëzues jo profesional dhe i paqartë duke i vendosur mësuesit në dilema profesionale në riorganizimin e planeve mësimore lëndore. Por, kjo e ashtuquajtur “nismë”, këto ditë që do të nisë zbatimi, ka mbetur vetëm në çështje forme: lehtësimi i çantës dhe orari mësimor. Realisht, shqetësimi i të gjithë aktorëve të arsimit janë problematikat thelbësore me të cilat po përballen. Ndërhyrje e tillë në sistemin arsimor nuk mund të bëhet tani sepse:
a) Një reformim i sistemit, riorganizim i tij kërkon përgatitje dhe trajtim profesional nga ekspertë të fushës me pjesëmarrjen e grupeve të interesit, njohje e informim paraprak për të gjithë aktorët: mësues, nxënës, prindër.

b) Mësuesit, rreth 30 mijë, të cilët janë aktorët kryesorë të zbatimit të çdo ndryshimi, janë të painformuar, të panjohur dhe të papërgatitur për një shtrije të mësimit nga një orë 45 minuta, në dy orë 45 minuta. Pra, me një konceptim të ri dhe metodologji të përshtatur për dy orë mësimore. Mësuesit duhej të ishin njohur dhe trajnuar për këtë reformim dhe riorganizim më parë, i cili, nëse do të pranohej, duhet të bëhej në fillim të vitit shkollor. Organizimi dhe menaxhimi i ri i procesit të mësimdhënies në dy orë mësimore me mësues të paqartë do të ndikojë në cilësinë e të nxënit. 

c) Nxënësit, aktorët kryesorë mbi të cilën bien pasojat e çdo ndryshimi të pa studiuar, janë të papërgatitur nga ana psikologjike që një lëndë do të zhvillohet në dy orë mësimore, njëra pas tjetrës. Ndryshimi i menjëhershëm i shtrirjes prej dy orësh të së njëjtës lëndë, do të krijojë paqartësi dhe padurim, do t’i detyrojë nxënësit të gëlltisin njohurinë dhe jo ta përtypin atë. 

d) Ndryshimi i planifikimit mësimor vjetor, ndryshimi i planeve lëndore të mësuesve të hartuara në fillim të vitit shkollor bazuar në udhëzimin e ministrisë, me riorganizimin apo bashkimin e temave mbështetur në një udhëzim të paqartë, e bëjnë mësuesin konfuz, duke e vendosur në një dilemë profesionale. Mësuesi është i paqartë në planifikimin ditor, planifikim për një shtrirje të mësimdhënies në 90 minuta, apo për dy orë 45 minuta etj.

e) Drejtoritë e shkollave janë të çoroditura dhe të paqarta me menaxhimit e orarit mësimor, i cili paraqet vështirësi në: shpërndarjen e të gjitha orëve mësimore brenda javës, shpërndarja e ngarkesës mësimore të mësuesve etj. Pra, jo të gjitha ditët do të jenë me tri lëndë, sepse menaxhimi i orëve njëshe dhe lëndëve një-orëshe javore e bën të pamundur të realizohet. Dhe, kjo problematikë, e ka shndërruar këtë ndryshim thjesht në çështje orari, duke lënë mënjanë cilësinë e procesit mësimor.

f) Mungesa e infrastrukturës: numri i madh i nxënësve në klasë, mungesa e mjeteve mësimore, mungesa e teknologjisë, mungesa e ambienteve vështirëson realizimin cilësor të mësimdhënies dhe të nxënit. 

g) Paqartësia dhe jo transparenca e ndryshimit në sistem ka sjelle hamendësomë dhe çoroditje tek mësuesit, nxënësit dhe prindërit. E paraqitur fillimisht si orë 90-minutëshe, dhe më pas për dy orë 45-minutëshe, ky ndryshim, qartazi, tregon një lëvizje të pamenduar dhe të pa studiuar. 
Demagogjia afat-shkurtët e peshës së çantës do t’i “dalë boja” shumë shpejt. Nxënësit dhe prindërit do ballafaqohen me gërmadhat e të ashtuquajturës “nismë”, nëpërmjet zhgënjimit të çantës së lehtë dhe dijes së cunguar. Në një situatë plotësisht kaotike dhe shkatërruese të arsimit në Shqipëri nga politikat qeverisëse, Ministria e Arsimit vazhdon të thellojë rrënimin e arsimit bazë, denigrim të mësuesit duke e anashkaluar për çdo ndryshim, çoroditje dhe jo cilësi për nxënësit dhe çoroditje e demagogji për prindërit. Tashmë, si Ministria e Arsimit vetëm e “reformave të termave brilante”, “ministria e demagogjisë”, “ministria e çoroditjes së organizuar” ajo mban përgjegjësinë e rrënimit të thelbit të arsimit, arsimit bazë. Si guri i themelit të një kombi, arsimi nuk është monopol as i qeverisë, dhe as i ministrisë. Rrënimi i qëllimshëm i tij është rrënimi i shoqërisë, rrënimi i së ardhmes…… Por, deri kur? 

A do të ndalojë kjo marrëzi ndryshimesh, e cila do të hyjë në historinë e zhvillimit të shkollës si një periudhë shkatërruese në mënyrë të qëllimshme të arsimit bazë?


Sigal