Institucionet kredidhënëse ‘shushunjat’ e të varfërve

254
Sigal

Kompanitë mikro-financiare po vjedhin rreth 100 mijë shqiptarë që halli i detyron të marrin kredi. Ato përfundojnë të shantazhuar mes dy zgjedhjeve të detyruara: O të pagujnë disafish borxhin e vjetër, ose të marrin kredi duke rënë në batakun e mashtruesve publik , ku interesat shkojnë në 97%. Ja si funksion skema e zhatjes që u bllokon pagën dhe llogaritë bankare

Një shoqëri mikrofinanciare blen nga bankat e nivelit II borxhin/kredinë e marrë nga një shqiptar i thjeshtë dhe pasi e kërkon disafish me shantazh, e vendos atë mes dy zgjedhjeve të detyruara: O të paguajë disafishin e borxhit të vjetër, ose të marrë kredi të re dhe të kthehet në një borxhli modern të viteve 2022

 Bllokimi i numrit të llogarisë së bankës nga kompanitë mikrofinanciare dhe disa zyra përmbarimore, është kthyer në problem të madh për shumë familje të minoriteteve egjiptiane dhe rome. Shpesh veprimet e tyre për bllokimin e numrit të llogarisë janë të paligjshme dhe në shkelje të Kodit të Procedurës Civile.

I tillë është rasti i një familjeje në Lezhë, së cilës i është bllokuar paga, që është e vetmja e ardhur ekonomike për anëtarët e kësaj familjeje.

Për këtë arsye, organizata Drejtësi Sociale i është drejtuar Gjykatës, ndërkohë që po asiston një numër të konsiderueshëm qytetarësh, që po përballen me bllokimin e numrave të llogarisë. “Shumica e tyre numrin e përdorin për të tërhequr pagën mujore, si e vetmja e ardhur për familjet e tyre. Bllokimi numrit kryhet nga ana e kompanive mikrofinanciare, të cilat kanë blerë kreditë e këqija tek kompanitë apo bankat. Pas blerjes së këtyre kredive, ata kryejnë mbledhjen e borxheve qytetarëve në mënyrë joligjore.”, -shprehen drejtues të organizatës.

Për këtë situatë ka reaguar nëpërmjet një deklarate publike në muajin shkurt edhe Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Privatë, e cila pranon se me mijëra qytetarë janë mashtruar dhe dhunuar gjatë muajve të fundit.

Banka “OTP Albania” konfirmon shifrën 4060 sekuestrime llogarish page familjarësh shqiptarë vetëm dy muajt e fundit. Mund të jenë 10 mijë, 30 mijë apo 100 mijë shqiptarë të prekur nga marifeti me kuti postare, ku ADCA dhe MCA, nëpërmjet Kutisë Postare Nr. 7469, mashtrojnë.

Si i vjedhin qytetarët kompanitë mikrofinanciare

“Me mijëra qytetarë u mashtruan dhe u dhunuan shumë rëndë këta muajt e fundit. Individë dhe familje të tëra shqiptare kanë kaluar deri në trauma psikologjike kur u është bllokuar çdo mjet jetese, paga mujore dhe çdo pasuri e mundshme prej mashtruesve publikë. Shumë individë janë dorëzuar tek këta mashtrues të pashpirt, sepse shteti nuk lëvizi! Shumë familje janë detyruar të marrin kredi të reja për të shpëtuar lakun e shtrënguar për larjen e kredive/borxheve të vjetra”, pohojnë aktivistët e organizatës.

Skema e mashtrimit funksionon ende perfekt: Një shoqëri mikrofinanciare blen nga bankat e nivelit II borxhin/kredinë e marrë në 2006, 2007, 2008 apo 2009 nga një shqiptar i thjeshtë dhe pasi e kërkon disafish me shantazh, e vendos atë mes dy zgjedhjeve të detyruara: O të paguajë disafishin e borxhit të vjetër, ose të marrë kredi të re dhe të kthehet në një borxhli modern të viteve 2019, 2020, 2021 apo 2022!”

Dhoma e Përmbaruesve e cilëson këtë një skemë mashtrimi perfekte, që nuk po preket e ndalohet nga askush.

Sipas tyre, mashtrimi po kthehet në “bumerang” për vetë sistemin bankar dhe rrezikon të përfshijë gjithë sistemin shoqëror në vend. Bankat e nivelit të dytë nuk kanë më mundësi praktike të përballojnë mijëra sekuestrimet që dalin nga Kutia Postare me Nr. 7469.

Banka “OTP Albania” konfirmon shifrën 4060 sekuestrime llogarish page familjarësh shqiptarë vetëm dy muajt e fundit.
Zyrat e kadastrave dhe DRSHTRR-të (automjetet) në të gjithë vendin janë prekur nga mijëra shkresat që dalin nga Kutia Postare Nr. 7469. Me qindra shkresa të tjera “Për ekzekutimin vullnetar të detyrimit” u janë njoftuar në qendrat e punës qytetarëve nga kutia me numrin famëkeq 7469.

“Mund të jenë 10 mijë, 30 mijë apo 100 mijë shqiptarë të prekur nga marifeti me kuti postare. Sot nga bankat konfirmohet shifra 4060 llogari bankare të sekuestruara që mbajnë adresën: Kutia Postare Nr. 7469.

 

 

 

Posta Shqiptare informon se Kutia Postare Nr. 7469 Tiranë i përket subjektit “Albanian Debt Consulting Agency” sh.p.k, shkurt ADCA dhe marrja apo dorëzimi i objekteve postare nënshkruhen nga një person i autorizuar që nuk është përmbarues.

Organizata për Drejtësi Sociale thotë se ADCA dhe MCA, nëpërmjet Kutisë Postare Nr. 7469, mashtrojnë me mijëra shqiptarë “Në emër të Përmbarimit”.

Edhe Dhoma e Përmbaruesve i ka bërë thirrje gjithë opinionit publik të refuzojë dhe të kallëzojë menjëherë në organet kompetente mashtrimin që i bëhet në emër të “Përmbarimit” nga letrat fotokopje, që mbajnë jo adresa, por numra kutie postare.

“Dhoma e Përmbaruesve, u bën thirrje bankave tregtare në vend të lirojnë menjëherë llogaritë bankare të mijëra qytetarëve, nëse në shkresat me përmbajtje përmbarimore gjendet adresa mashtruese: Kutia Postare Nr. 7469 dhe t’i denoncojnë menjëherë ato para organeve kompetente.

Dhoma e Përmbaruesve “i lutet gjithë opinionin publik, të mos ngatërrojë përmbaruesit e ndershëm, të cilët mund t’i takosh personalisht në çdo moment të ditës, në zyrat, që mbajnë logo dhe adresa publike, me mashtruesit Publikë që fshihen pas telefonatave anonime, kutive postare dhe zyrave pa emër në hyrje të tyre.”

Dhoma kërkon nga Kryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Prokuroria dhe Policia e Shtetit, të marrin masa të menjëhershme dhe të ndalojnë pasojat e rënda sociale që ka shkaktuar dhe po shkakton fenomeni “Mbledhja e borxheve nëpërmjet mashtrimit dhe shantazhit”.