Infrastrukturë moderne për Poliklinikën e Korçës, 900.000 euro pajisje të reja mjekësore

517
Qytetarët e Korçës do të përfitojnë tashmë shërbim të plotë e cilësor të kujdesit shëndetësor parësor në Qendrën Shëndetësore të Specialiteteve të kësaj bashkie.
Gjatë vizitës së ditës së sotme në qytetin e Korçës, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe ambasadori italian në vendin tonë, Massimo Gaiani, përuruan mbylljen e projektit për rikonstruksionin dhe furnizimin me pajisje mjekësore dhe mobilimin e këtij institucioni shëndetësor me mbështetjen teknike e financiare të Zyrës së Bashkëpunimit Italian për Zhvillim.
Ndërhyrja në këtë qendër shëndetësore eshte realizuar me 900 mije euro. Ajo është pjesë e marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet qeverisë shqiptare dhe asaj italiane për “Rikonstruksionin dhe pajisjen e 5 Poliklinikave në Tiranë, Korçë, Dibër dhe Gjirokastër” me një vlerë prej 5,080,000 euro.
Ky rikonstruksionin përfshin rehabilitimin e ndërtesës së këtij institucioni, furnizimin me pajisje mjekësore, radiografi, radioskopi, ECO të Përgjithshme, mamografi, shtrat gjinekologjik, kirurgjik e ortopedik etj.
Ministri Beqaj theksoi se “pajisjet e reja mjekësore dhe ristrukturimi i infrasktrukturës së kësaj qendre shëndetësore është një lajm i mirë për qytetarët e Korçës. Tashme, pas 20 muajsh ne kemi rezultate të prekshme në shëndetësi”.
“Jemi në drejtimin e duhur, jo vetëm për të ofruar mbulim, akses dhe cilësi universale,” shtoi Beqaj.
Ndërsa ambasadori Gaiani vuri në dukje se kjo ndërhyrje është pjesë e angazhimit të përgjithshëm të ndihmës italiane në sektorin socio-sanitar që arrin vlerën e përgjithshme prej 11 milion euro. Ai theksoi se në të njëjtën kohë, “ky është përurimi i dytë që realizojmë brenda pak javësh dhe kjo ndërhyrje që u mundësua nga Cooperazione Italiana në dy faza, ndihmon për të lehtësuar aksesin e qytetarëve dhe pacientëve për një shërbim më të mirë mjekësor.”
Sigal