Inceneratori i Tiranës/ Monika Kryemadhi: Bashkia ishte dijeni që në 2016, kishte dy përfaqësues në komisionin për dhënien e koncesionit

155
Sigal

Ish-kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, në një deklaratë për mediat, ka bërë publike një video materialet e të cilës bëri të ditur se i ka dërguar në SPAK dhe në të gjitha kancelaritë ndërkombëtare në vend.

Në materialin e publikuar nga Monika Kryemadhi tregohet sesi Bashkia Tiranë ka qenë në dijeni “që në krye të herës” për një ofertë të pa kërkuar për inceneratorin e Tiranës dhe më pas kryebashkiaku Erion Veliaj ka caktuar dy anëtarë të komisionit për koncencionin, Taulant Tushe dhe Namik Simixhiu.

TEKSTI I MATERIALIT VIDEO 

Pamje hapëse nga landfilli i sharrës, mundësisht të sfumuara në të zezë. Në mes të ekranit shkruhet me titra “Vend Krimi”. Pamjet e hapjes mund të shoqërohen me ndonjë sfond muzikor të tipit mafioz si dhe foto ose plane të Erjon Veliajt
Nga verifikimi i dokumentacionit të dosjes së Inceneratorit të Tiranës rezulton se:

1. Në 23.06.2016, me shkresën nr. 16/044 Shoqëria “Integrated Energy BV” aksionet e së cilës zotërohen nga shoqëritë “Energy Recuperator SPA”, “Paul Wurth Italia” dhe “Integrated Technology Services”, kanë depozituar pranë Ministrisë së Mjedisit një “Letër Interesi”, me anën e së cilës ka paraqitur një propozim të pakërkuar për ndërtimin e venddepozitimeve të reja, mbylljen e atyre ekzistuese, ngritjen e sistemit të riciklimit, përmirësimin e infrastrukturës për të mbajtur nën kontroll situatën ndërtimore, për Qarkun Tiranë. Shkresa Nr.16/044 i është drejtuar për dijeni edhe Bashkisë Tiranë.

Fakt i cili do të thotë se Bashkia Tiranë që në Qershor të vitit 2016, thënë ndryshe “që në krye të herës” është vënë në dijeni të një propozimi të pakërkuar për ndërtimin e Inceneratorit të Qarkut të Tiranës.

2. Me shkresën nr. 25796/1 prot, datë 01.09.2016 Bashkia Tiranë, në përgjigje të kërkesës së Ministrisë së Mjedisit për shqyrtimin të propozimit të pakërkuar, ka caktuar dy përfaqësues të saj si anëtarë të Komisionit të Dhënies së Koncesionit, dhe konkretisht Z. Taulant Tushe, Drejtor i Përgjithshëm i Bashkisë Tiranë dhe Namik Smixhiu. Ky Komision është përgjegjës për gjithë ecurinë e procedurës koncesionare, deri në firmosjen e kontratës.

Pra Bashkia Tiranë jo vetëm është në dijeni të procesit që ka nisur por tashmë është edhe pjesë e procesit duke u përfaqësuar në Komisionin e Koncensionit me dy drejtorë bashkie.

Ministria e Mjedisit kërkon miratimin e financimit nga Ministria e Financave, Financat i kërkojnë aprovimin e bashkive të Qarkut, miratimin e jep vetëm Erion Veliaj

Me shkresën nr. 5474/20 datë 27.12.2016 Ministria e Mjedisit i ka kërkuar Ministrisë së Financave miratimin paraprak për financimin e projektit dhe, referuar studimit të fizibilitetit për menaxhimin e mbetjeve të Qarkut Tiranë, i ka paraqitur planin e Pagesave që nevojitet për financimin e këtij projekti nga ku rezulton se: Ky projekt do të financohet nga a) Qeveria në shumën 130,883,750 eurove dhe b) Bashkitë e Qarkut Tiranë në vlerën 91 mln euro për 30 vjet.

Ky fakt provon në mënyrë të qartë dhe shteruese se Bashkia Tiranë dhe Kryetari i saj Erion Veliaj janë në dijeni të plotë të modelit financiar të inceneratorit të Tiranës dhe shumës konkrete që Bashkia Tiranë duhet të paguajë për 30 vitet e ardhshme.

3. Më datë 23.01.2017 me shkresën nr. 13188/3 prot., Ministria e Financave, i kthen përgjigje Ministrisë së Mjedisit, duke e refuzuar miratimin e financimit të projektit të Inceneratorit të Qarkut Tiranë, duke evidentuar disa problematika për të cilat ka kërkuar sqarime shtesë;

4. Në datë 21.02.2017, me shkresën nr. 5474/25 prot., Ministria e Mjedisit rikërkon nga Ministria e Financave miratim për projektin e ndërtimit të inceneratorit të Qarkut Tiranë, duke sqaruar problematikat e evidentura nga Ministria e Financave;

5. Në datë 02.03.2017, me shkresën nr. 13118/7 prot., Ministria e Financave, i kthen përgjigje Ministrisë së Mjedisit, duke kërkuar nga kjo Ministri që, meqenëse financuesi dhe përfituesi kryesor i këtij projekti është Qarku Tiranë, të merrej miratimi me shkrim nga ky Qark, referuar modelit financiar të propozuar në studimin e fizibilitetit.

Nga kjo shkresë qartazi rezulton se ky projekt Koncesionar mund të vihet në jetë vetëm nëse Bashkitë e Qarkut Tiranë (5 bashkitë përbërëse) do të miratojnë financimin e këtij projekti, pasi ato do të jenë përfitueset e projektit të Incenerimit të mbetjeve sigurisht kundrejt një tarife të caktuar.

6. Në datë 28.02.2017, me shkresën nr. 5474/26 prot., Ministria e Mjedisit (shkresa e firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm Z. Alqi Bllako) kërkon vetëm nga një Bashki e Qarkut Tiranë dhe konkretisht vetëm nga Bashkia Tiranë dhënien e miratimit me shkrim për vazhdimin e procedurave koncesionare, referuar modelit financiar të propozuar në studimin e fizibilitetit; Abuzim i pastër me detyrën, pasi Ministria e Financave kërkon dakordësi nga 5 Bashkitë e Qarkut Tiranë, ndërsa Bllako (sigurisht i koordinuar) ja dërgon vetëm Bashkisë Tiranë.

Erion Veliaj jep ‘ok’ në parim pa mbledhur Këshillin Bashkiak

Në datë 27.03.2017, me shkresën nr. 8275/1 prot., Kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj, pa mbledhur Këshillin Bashkiak dhe asnjë parashikim në projekt buxhetin e Bashkisë, i kthen përgjigje Ministrisë së Mjedisit, duke u shprehur parimisht dakord përsa i përket rolit të saj në këtë projekt koncesionar me modelin financiar të paraqitur në studimin e fizibilitetit;
Sinkron Erion Veliaj në komisionin hetimor: “Unë në emër të Bashkisë me një milionë banorë them vetëm jam parimisht dakord dhe pastaj kaloj në Këshill Bashkiak”.

Shkelje flagrante e ligjit për Vetëqeverisjen Vendore pasi Kryetari i Bashkisë ka zero tagër ligjor për të vendosur për miratimin e buxhetit të Bashkisë Tiranë. Kjo është kompetencë ekskluzive e Këshillit Bashkiak. Vlen të theksojmë se në të paktën dy projekte të tjera koncesionare ku rezulton se financuese dhe përfituese kryesore e projektit është Bashkia Tiranë, vendimin për dhënien e dakordësisë në parim apo qoftë edhe miratimin e draft kontratës e ka dhënë vetëm Këshilli Bashkiak i Tiranës.

Ministria e Financave shkeli ligjin, mori për bazë vetëm Bashkinë e Tiranës kur kërkoi të gjitha bashkitë e qarkut

Pasi ka refuzuar për muaj rresht dhënien e dakordësisë për miratimin paraprak të financimit të projektit të Inceneratorit të Tiranës, Ministria e Financave është mjaftuar vetëm me dakordësinë e Kryetarit të Bashkisë Tiranë për ti çelur rrugën prokurimit dhe konkretisht, në datë 06.04.2017, me shkresën nr. 13118/9 prot., Ministria e Financave, i kthen përgjigje Ministrisë së Mjedisit, duke u shprehur pa komente për vijimin e projektit për sa kohë kërkuar që përfituesi kryesor dhe financuesi i këtij projekti është Bashkia Tiranë (pra Qarku Tiranë është zëvendësuar me Bashkinë Tiranë); Shkelje e pastër e ligjit për menaxhimin Financiar e Ministrit të Financave.

7. Pikërisht, sapo Bashkia Tiranë (dhe jo të gjitha Bashkitë e Qarkut) ka dhënë dakordësinë e saj, për sa i përket rolit të saj në këtë projekt koncesionar, në mbledhjen e datës 12.04.2017 Komisioni i Dhënies me Koncesion të kësaj procedure ka evidentuar këtë fakt, duke i hapur rrugën procedurës së tenderit.

Edhe ky element provon qartazi se sa thelbësore ka qenë dakordësia e Bashkisë Tiranë për vijimin e projektit, thënë ndryshe Erion Veliaj, me firmën e tij të paligjshme ka ndryshuar fatin e koncesisonit të Inceneratorit të Tiranës.

Komisioni i Dhënies me koncesion kërkoi vendimin e Këshillit Bashkiak, kërkesa u kundërshtua nga Taulant Tushe dhe Namik Simixhiu

Në datë 31.08.2017, Komisioni i Dhënies me koncesion, ka zhvilluar mbledhje lidhur me negocimin e kontratës me përfaqësuesit e shoqërisë “Integrated Energy BV”. Në këtë mbledhje kryetarja dhe dy anëtarë të Komisionit të Dhënies me Koncesion (përfaqësuesit e ATRAKO) kanë kërkuar miratimin e Kontratës koncesionare me Vendim të Këshillit Bashkiak, por ky propozim i tyre nuk u mbështet nga anëtarët e tjerë të Komisionit të Dhënies me Koncesion dhe konkretisht nga përfaqësuesit e Bashkisë Tiranë Taulant Tushe dhe Namik Simixhiu, duke u shprehur se nuk është i nevojshëm miratimi i kontratës me vendim të Këshillit Bashkiak.

Pa diskutim që përfaqësuesit e Bashkisë Tiranë anëtarë të Komisionit të Koncesionit, do të refuzonin për miratimin e kontratës koncesionare me Vendim të Këshillit Bashkiak të Bashkisë Tiranë, pasi nëse do të vepronin ndryshe do të zbulonin paligjshmërinë e firmës së kryetarit të tyre.

Pasi u dha koncesioni Erion Veliaj shkoi në Këshillin Bashkiak për të marrë miratimin e financimit, ndryshoi tabelat e programit buxhetor dhe nuk miratoi dot financimin

I vetëdijshëm se kishte shkelur ligjin, Erion Veliaj shkoi në këshillin Bashkiak për të marrë miratimin e financimit të inceneratorëve, e për këtë Veliaj ka gënjyer edhe publikisht e nën betim përpara Komisionit Hetimor te incenetatorëve, pasi me VKB-në 106 datë 28.09.2016 janë ndryshuar tabela bashkalidhur programit buxhetor dhe nuk ka miratuar buxhetin që duhet të përballonte shpenzimet për inceneratorët.

Sinkron Veliaj lexon në komision vendimin e këshillit bashkiak datë 28.9.2107: “Këshilli Bashkiak me këtë vendim 106 datë 28.09.2017 ka marrë vendime dhe ka një pikë që quhet pika “g” që ka të bëjë me angazhimin e Bashkisë së Tiranës për landfillin.”

Por ky vendim i Këshillit Bashkiak është marrë 1 muaj pasi ishte miratuar kontrata e koncesionit të inceneratorit dhe bashkia e Tiranës ishte futur tashmë në angazhim financiar 91 milionë euro.

Erion Veliaj ka shkelur qëllimisht ligjin duke e futur Bashkinë e Tiranës në një angazhim financiar 91 milionë euro vetëm me firmën e tij, pa marrë më parë miratimin e Këshillit Bashkiak. Vendimi i Këshillit Bashkiak një muaj pasi ishte miratuar kontrata koncesionare është prova më flagrante e shkeljes së ligjit nga kryetari i Bashkisë së Tiranës. E në këtë vendim Këshilli Bashkiak ka vënë në dispozicion 15 milionë lekë për këtë projekt, ndërkohë që Erion Veliaj me firmën e tij ka firmosur 91 milion euro pa vendim të Këshillit Bashkiak.

Erion Veliaj dhe Alqi Bllako pas kërkesës së Ministrisë së Financave kanë ‘Shpërdoruar detyrën’

Shkeljet e procedurës lidhur me Erion Veliaj

1) Autoriteti Kontraktues ka zhvilluar procedurën koncesionare, pa marrë më parë miratimin e Qarkut Tiranë, i cili ka në përbërje Bashkitë Tiranë, Kamëz, Vorë, Kavajë dhe Rrogozhinë.

Ashtu siç është sqaruar mësipër rezulton se studimi i fizibilitetit është hartuar dhe dorëzuar për Qarkun Tiranë, po ashtu edhe në studim fizibiliteti parashikohet se financimi i këtij projekti do të kryhet nga a) Qeveria dhe b) Bashkitë e Qarkut Tiranë.

Meshkresën nr. 13118/7 prot., Ministria e Financave, i ka kërkuar Ministrisë së Mjedisit, që meqënëse përfituesi kryesor i këtij projekti është Qarku Tiranë (pra të gjitha njësitë vendore të këtij Qarku), do të merrej miratimi me shkrim nga ky Qark, referuar modelit financiar të propozuar në studim fizibiliteti.

Ndërkohë që Ministria e Mjedisit dhe konkretisht ish-Sekretari i Përgjithshëm i kësaj Ministrie Z. Alqi Bllako në kundërshtim me kërkesën e Ministrisë së Financave, i është drejtuar vetëm një njësie vendore të Qarkut Tiranë dhe konkretisht vetëm Bashkisë Tiranë.

Bashkia Tiranë, e cila po ashtu ka vepruar në kundërshtim me ligjin, me shkresën nr. 8275/1 prot., datë 27.03.2017, i ka kthyer përgjigje Ministrisë së Mjedisit, duke u shprehur parimisht dakord me modelin financiar të paraqitur në studimin e fizibilitetit, ndërkohë që kjo Bashki duhej të evidentonte faktin se studimi i fizibilitetit paraqiste angazhimin financiar për të gjitha Bashkitë pjesë përbërëse të Qarkut Tiranë.

Referuar studimit të fizibilitetit të projektit koncesionar, rezulton se dakordësia për financimin e projektit duhet të jepet nga përfituesit dhe financuesit e këtij projekti që në rastin konkret janë të gjitha bashkitë pjesë përbërëse të Qarkut Tiranë, pasi ky projekt parashikon trajtimin e mbetjeve të të gjithë njësive vendore të Qarkut Tiranë dhe jo të Bashkisë Tiranë.

Këto veprime, si të Autoritetit Kontraktor ashtu edhe të Bashkisë Tiranë janë në rastin më të mirë për to – paaftësi në përmbushjen e detyrave me pasoja të rënda financiare (në kuptimin penal janë shpërdorim detyre) dhe në rastin më të keq përbëjnë Mashtrim të Institucioneve Shtetërore.

Në nenin 42 “Mbështetja financiare” të Ligjit 125/2013 “PËR KONCESIONET DHE PARTNERITETIN PUBLIK PRIVAT” i ndryshuar parashikohet se: “Projekti që ka nevojë për mbështetje financiare, siç përcaktohet nga studimi i fizibilitetit, kërkon një miratim paraprak nga Ministria e Financave, në lidhje me përballueshmërinë, qëndrueshmërinë dhe fizibilitetin fiskal, domethënë ndikimet dhe risqet fiskale të menjëhershme dhe urgjente.”

Referuar këtij parashikimi ligjor, rezulton se dhënia e miratimit financiar, është kusht thelbësor për vijimin e projekteve koncesionare që kërkojnë angazhim financiar të buxhetit të Shtetit.

Në këtë rast përgjegjësia ligjore bie drejtpërdrejtë mbi Ish – Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit Z. ALQI BLLAKO, si dhe Kryetarin e Bashkisë Tiranë ERION VELIAJ, pasi me veprimet e tyre të drejtpërdrejta kanë shkelur haptazi dhe nuk kanë zbatuar detyrimet e parashikuara në bazën ligjore të sipërcituar, duke kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës.