Inaugurimi i “Farie Hotit”, Erion Veliaj më shumë mbështetje për sportin

369
Sigal

Premtimi i kryebashkiakut të Tiranës: Në janar, pishinat e Akuadromit do të jenë për klubin shumësportësh bardheblu dhe për Federatën Shqiptare të Notit.

GJERGJ VYSHKA

Inaugurimi i “Farie Hotit” ka sjellë një festë të vërtetë në klubin shumësportësh Tirana. Klubi që numëron tre medalistë ndërkombëtar, të tillë si Briken Calja kampion dhe nënkampion Bote në Peshëngritje, Izmir Smajlaj Kampion Ballkani dhe Kampione Europe në kërcim së gjati në salla të mbyllura, apo dhe Alban Beqiri i bronztë në Kampionatin Botëror të boksit. Jo vetëm kaq, por sot pretendohet që në lojërat me dorë, Tirana të kthehet kampione e Shqipërisë. Pa harruar shumë disiplina të tjera sportive, teksa Tirana i ka me shumicë dhe kampion. Ndaj dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ndihet krenar. “Jetojmë në një vend që është toksik – thotë kryebashkiaku Veliaj – dhe suksesin nuk ta fal njeri. Ne jemi ata që inkurajojmë, mbështesim, motivojmë. Madje i themi njëri-tjetrit faleminderit dhe bravo të qoftë, sepse jemi krenar për punën e gjithësecilit. Ndaj sot duhet të jemi të gjithë të lumtur”. Ishte një festë e vërtetë, sepse në të ka qenë i pranishëm presidenti i Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku. Po kështu presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi dhe sekretari i përgjithshëm, Albens Vokopola. Apo presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergji Ruli, dhe ai i peshëngritjes, Elez Gjoza. Pa harruar sekretarin e përgjithshëm të xhudos, Labo Çapo. Pra një festë bardheblu që i bëri të gjithë bashkë.

PREMTIMI PËR PISHINAT

Pas kryeministrit Rama, vjen dhe premtimi i Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për pishinat e Akuadromit. “Në janar, klubit shumësportësh Tirana do t’i kthehen pishinat e Akuadromit, të cilat, prej gati 20 vitesh, ishin nën administrimin e privatit. Do t’i rikthehen klubit, por njëkohësisht dhe Federatës Shqiptare të Notit, ndërsa kështu mbajmë dhe premtimin e presidentit të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli. Pra noti tek notarët për të patur më shumë kampion, më shumë rekordmen, më shumë medalist ndërkombëtar. Siç Tirana e ka traditë”.

NJË NDESHJE MES LEGJENDASH

Një fanellë për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, të firmosur nga të gjithë lojtarët e klubit bardheblu. E më pas një ndeshje mes legjendash në basketboll dhe volejboll. Në fushë Kostandin Shkurti, Stavri Bello, Ardian Selmani, Arjan Kristani, Arjan Kukaviqi, Pandush Palko, Aleksandër Damo, Orion Garo, Bruno Daliu, Erkand Karaj dhe Henri Moja. Po kështu dhe në volejboll, ndërsa nga legjendat mësojnë dhe ekipet e para, të cilat do të duhet të jenë kampion për sivjet. Sepse kështu kërkon drejtoresha e klubit shumësportësh Tirana, Deborah Keçi, e cila ka qenë falënderuese për Bashkinë e Tiranës dhe kryetarin e saj, Erion Veliaj. Sikurse ka qenë i tillë dhe kampioni dhe nënkampioni i Botës në Peshëngritje, Briken Calja. Ndaj të gjithë janë të lumtur tek Tirana.

AGIM ÇIRAKU: PREMTIM I JASHTËZAKONSHËM PËR KTHIMIN E PISHINAVE NË IDENTITET

Presidenti i Federatës Shqiptare të Notit: Unë besoj në premtimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, sepse ka treguar se e do dhe e mbështet sportin

Presidenti i Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku, i pranishëm në inaugurimin e sallës sportive “Farie Hoti”, e ka quajtur të jashtëzakonshëm premtimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për kthimin e pishinave të Akuadromit në identitet. Sipas tij, Veliaj ka treguar që e do dhe e mbështet sportin, ndaj dhe beson në këtë premtim, të cilin më parë e dha kryeministri Rama në dhjetor në takimin me sportistët. 30 vite nën zotërimin e privatit, që nuk kanë qenë aspak për sportistët, por tani do të jetë gjithçka ndryshe. Ja dhe intervista për gazetën Telegraf

– Një tjetër premtim për kthimin e pishinave në identitet. Sa besoni realisht?

– Për mua është e jashtëzakonshme kthimi dhe premtimi i pishinave për klubin shumësportësh Tirana dhe më pas për Federatën Shqiptare të Notit. Unë besoj realisht, sepse kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka treguar se e do dhe e mbështet sportin.

– Është thënë janari, a ka ndonjë datë konkrete se kur?

– Janë në tratativa për prishjen e kontratës me privatin e më pas gjithç do të jetë për Tiranën dhe notin shqiptar. Do të jetë një e mirë për të gjithë shoqërinë, sepse do të merren me më shumë sport.

– Çdo të thotë një kompleks sportiv posaçërisht për notin?

– Nuk do të jetë vetëm për gara, por dhe për stërvitje. Do të kemi më shumë kampion, më shumë rekordmen dhe më shumë medalist. Por dhe më shumë të rinj që do të merren me sport e që do të qëndrojnë larg veseve të këqia. Kjo është e rëndësishme për të gjithë.

– Një e fundit, kur ka qenë për herë të fundit nën administrimin e Federatës Shqiptare të Notit?

– Më 1990. Të tjerat kuptojini vetë.