Ilir Kulla: Akt terrorist i Gruevskit në Kumanovë; pa shqiptarët shteti është incident historik!

486
Ilir Kulla, ekspert i Shkencave të Sigurisë, ish Këshilltar i Presidentit dhe njohës shumë i mirë i situatave politike në Maqedoni, në intervistën për gazetën “Telegraf” e cilëson ngjarjen në Kumanovë si një akt terrorist shtetëror të Gruevskit, ngaqë ai donte të mposhte dhe dhunonte shqiptarët për t’u hakmarrë për 2001. Gruevski e zgjodhi ‘Lagjen e Trimave’ në Kumanovë, për të detyruar shqiptarët të largohen, duke kryer një spastrim etnik, analizon Ilir Kulla, duke shtuar se ai I njeh nga afër luftëtarët në Kumanovë, të cilët nuk janë paraprirë nga ideologji fetare, por janë luftëtarë të sprovuar të UÇK-së. Zoti Kulla thotë se tashmë zgjidhja është që të krijohet në Maqedoni një federatë e tillit belg, duke rishikuar marrëveshjen e Ohrit. Nëse nuk rishikohet kjo marrëveshje, atëhere pohon zoti Kulla, shqiptarët me mjete politike, apo me UÇK, dinë sesi të sillen. 

-Zoti Kulla a është një akt terrorist ngjarja në Kumanovë, apo një inskenim i Gruevskit? 
– Po ngjarja e Kumanovës është një akt i pastër terrorizmi shtetëror. Janë përdorur rreth 3.000 forca policie ushtrie, me tanke helikoptera në një lagje me rreth 40.000 civilë të etnisë shqiptare. Ajo çka ngelet nga ajo betejë 36 orë lufte janë dëshmia më e qartë.

– A është Kumanova, një skenar edhe i shërbimeve të fshehta të vendeve që duan destabilizim në Maqedoni e Ballkan?
– Është shumë e qartë. Skenari është se Gruevski donte një masakër për të mposhtur dhe dhunuar shqiptarët dhe politikën shqiptare në Maqedoni, duke përdhunuar dhe masakruar UÇK për t’u hakmarrë për 2001. Ai tentoi të çonte forcat speciale dhe t’i vriste në gjumë dhe kur u gjend para një rezistence të jashtëzakonshme, kur humbi njësitë e veta speciale, e kuptoi që dielli nuk mund të mbulohej me shoshë. Kjo çoi në dorëhqjen e njerëzve të tij më të afërt. UÇK ka ngrenë kokën e Millosheviçit, të Gjeorgjevskit dhe do ja hajë kokën edhe shovinizmit të Gruevskit.

– Është rastësi, që ngjarjet u zhvilluan pikërisht në lagjen e “Trimave”?
– Nuk është rastësi Kumanova. Gruevski donte të mposhte UÇK në ‘Lagjen e Trimave’ se me këtë kërkon të krijojë parakushtet e largimit të shqiptarëve nga Kumanova, e cila është e ndarë 50% mes 2 komuniteteve kryesore. Ai ka synuar pastrimin etnik.

– Disa mundohen ta ngjyrosin incidentin në Kumanovë me myslimanizmin, dhe ata thonë se nxitësit e luftëtarëve mund të jenë predikuesit fetarë të ISIS. Kemi të bëjmë me konflikt të shqiptarizmit, apo fetar?
– Unë i njoh personalisht Sami Ukshinin, Beg Rizajn, Mirsadi Ndrecen, Xhaferr Zymberin e të tjerë dhe kush i njeh nga afër e di shumë mirë që ata nuk kanë as edhe 1% përqasje fetare në jetën e vet. Ata që duan luftëtarë me përqasje fetare le të shkojnë e t’i gjejnë në Siri e Irak. Këta të Kumanovës janë luftëtarë të sprovuar në luftrat e UÇK në Kosovë, Preshevë e Maqedoni.

– Para disa kohësh, edhe BE kishte thirrur në Bruksel partitë politike të Maqedonisë, për të zgjidhur ngërçin politik, duke përjashtuar partitë politike shqiptare. A mund të ketë zgjidhje politike ngërçi në Maqedoni, duke përjashtuar shqiptarët, si faktor politik?
– BE dhe NATO duhet të jenë garantueset e Marrëveshjes se Ohrit ajo marreveshje i dha fund konfliktit të 2001. Ju e patë që zhurma e armëve dhe emri i UÇK çuan në shtëpi brenda natës Jankullovskën, Mihajllkovin, e të tjerë, gjë të cilën se ka realizuar ndër vite as zyra e BE-së në Shkup e as Zaevi me protesta e bomba përgjigjesh.

– A është vetëm Gruevski problem, me politikën e tij shoviniste ndaj shqiptarëve, siç mundohet ta paraqitë edhe Zaev?
– Jo Gruevski nuk është problemi i vetëm ai dhe ideologjia e tij, por Gruevski është e keqja më e madhe e momentit.

– Konflikti entik në Maqedoni midis shqiptarëve e sllavëve a mund të zgjidhet me mjete politike?
– Po konflikti në Maqedoni mund të zgjidhet me mjete politike, siç parashikon marrëveshja e Ohrit, përsa kohë tanket, helikopterët dhe forcat speciale nuk quhen mjete politike.

– Ju mendoni se mund të ketë bashkëekzistencë paqësore të faktorit shqiptar me atë sllav në një shtet të tillë, sikurse Maqedonia?
– Bashkegzistenca paqësore është shumë e mundshme. Ndoshta mund të rishihet modelimi i Marrëveshjes së Ohrit, duke aplikuar një Federalizëm të tipit belg. Shqiptarët në Maqedoni nuk mund të jenë qytetarë të dorës së dytë, apo indianë siç thotë tashmë ish Ministria e Brendshme.

– Partitë politike në Maqedoni a i shërbejnë çështjes shqiptare?
– Partitë politike shqiptare natyrisht që i shërbejnë çështjes shqiptare, problemi është se mosrealizimi i Marrëveshjes së Ohrit dhe ngjarje si ajo e Sopotit, Brodecit apo e Kumanovës kanë dobësuar besueshmërinë të Partitë Shqiptare atje.

– Derisa BDI nuk del nga koalicioni qeverisës, cili është vlerësimi juaj?
– Koalicioni qeverisës de fakto ka rënë. De Jure Ali Ahmeti është i detyruar të bashkëveprojë me faktorin ndërkombëtar dhe sipas parimit të Badinterit të mos lëshojë ato çka shqiptarët kanë dhe i kanë arritur me shumë mund dhe djersë. Alternativa është Ali Ahmeti të riveshë uniformën e UÇK dhe të ndajë Maqedoninë të krijojë Parlament në Tetovë e qeveri të vetën, por nëse kjo ndodh Maqedonia do të ishte vetëm një kujtim historik ose më saktë, incident historik. 

– Mendoni se diplomacia shqiptare ka bërë maksimumin për të ndihmuar shqiptarët në Maqedoni?
– Qeveritë e Prishtinës dhe Tiranës janë treguar të matura dhe mirë kanë bërë. Kjo nuk do të thotë se nuk punohet nën tryezë dhe tryeza të tjera. Do t’ja lëmë kohës këtë.

– Nëse qeveria maqedonase, do të respektojë e zbatojë (këtej e tutje) marrëveshjen e Ohrit, siç kanë kërkuar edhe partitë politike shqiptare atje, mendoni se do të jetë zgjidhje (qoftë e pjesshme) e problemit?
– Ose rimodelohet dhe respektohet Marrëveshja e Ohrit, ose nuk do ketë më Maqedoni. Shqiptarët me mjete politike apo me UÇK do dinë sesi të sillen. Kështu që qeveria e Shkupit do të dijë të zgjedhë.
Sigal