Igli Totozani: Avokati i Popullit vlerëson mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve, si një prej prioriteteve kryesore

572
Sigal

Avokati i Popullit, Igli Totozani, në konferencën vjetore që organizoi institucioni që drejton, së bashku me Shoqërinë Civile, për situatën, gjendjen dhe të drejtat e minoriteteve në Shqipëri, ndër të tjera theksoi se “Ekzistenca e minoriteteve në Shqipëri është një realitet sa historik aq edhe aktual, i shfaqur në kujdesin e kultivuar në mentalitetin e shoqërisë shqiptare, me elemente diversiteti si pjesë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore. Ku realitet ka reflektuar një bashkëjetesë harmonike dhe tolerante, pa prezencën e konflikteve etnike, racore, apo fetare. Kjo ekzistencë, që përtej çështjes juridike është një çështje fakti, është konkretizuar sot me njohjen nga shteti të dy lloje minoritetesh, minoriteteve etnike kombëtare ku përfshihet minoriteti Grek, minoriteti maqedonas dhe minoriteti serbo-malazez, si dhe minoriteteve etno gjuhësore, ku përfshihen minoriteti vllah dhe minoriteti rom. Pavarësisht kësaj realiteti i shoqërisë sonë njeh “de facto” edhe disa komunitete të tjera të ndryshme nga popullsia etnike shqiptare, siç janë komuniteti boshnjak, komuniteti egjiptian, apo edhe komuniteti goran. Njohja e minoriteteve nxjerr nevojën edhe të mbrojtjes së tyre, përmes afirmimit të një sërë të drejtave që u njihen posaçërisht atyre. Në këtë kuptim, trajtimi i minoriteteve referuar angazhimeve të shtetit shqiptar, pas viteve 90’ ka marrë dimensione të reja, me afirmimin e të drejtave të minoriteteve në Kushtetutë dhe në një sërë aktesh ndërkombëtare të fushës, të nënshkruara, apo ratifikuara nga vendi ynë, ku padyshim vend kryesor zë ratifikimi pa asnjë rezervë i Konventës Kuadër të Këshillit të Europës “Për Mbrojtjen e Minoriteteve Kombëtare”. Por pavarësisht parashikimeve ligjore kombëtare dhe ndërkombëtare që janë në fuqi, të gjithë jemi të vetëdijshëm, që ka shumë për të bërë, për të garantuar në praktikë, respektimin e të drejtave, integrimin dhe përfshirjen sociale, të pakicave që jetojnë në vendin tonë. Zbatimi i parimeve të qeverisjes së mirë, luan një rol jetik në përfshirjen e minoriteteve në shoqërinë tonë, por edhe në mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të tyre. Në këtë drejtim roli i Avokatit të Popullit merr një rëndësi të veçantë, pasi vështirë të gjesh një institucion tjetër që mund të merret më shumë se sa ai, mbi idenë se, të dobëtit kanë nevojë për t’u mbrojtur nga të fuqishmit dhe të pushtetshmit. Avokati i Popullit ka vlerësuar dhe vlerëson mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve, si një prej prioriteteve kryesore në punën e tij. Vizioni i tij bazohet në frymën shumë të mirë ekzistuese të bashkëjetesës ndërmjet, popullsisë maxhoritare me atë minoritare dhe konsideron se minoritetet në Shqipëri janë një pasuri kombëtare e çmueshme për të shkuarën dhe të ardhmen e vendit. Duke qenë se, procesi i anëtarësimit dhe integrimit në Bashkimin Europian, ka paraparë si një nga prioritetet kryesore të Shqipërisë, respektimin e të drejtave civile dhe politike, të cilat kërkojnë ndërmarrjen e masave dhe reformave për garantimin në nivele gjithnjë e më të larta të të drejtave dhe lirive themelore të individit, e në veçanti të të drejtave të minoriteteve, institucioni i Avokatit të Popullit vlerëson se mbetet parësore një qasje më reale ndaj të drejtave të minoriteteve dhe një konsiderim i tyre, i cili garanton barazinë formale dhe barazinë thelbësore.