Identifikohet 42-vjeçari shqiptar që u vra në Gjermani, pronar biznesi në Shijak

130
Sigal

Mari Muka është 42-vjeçari shqiptar i ekzekutuar me armë zjarri mbrëmjen e së hënës në Gjermani. Mësohet se viktima rezulton të jetë pronar i një biznesi në Shijak, ndërkohë që në vitin 2018 kishte emigruar drejt Gjermanisë.
Policia po merret me pistën e hetimit mbi rrethanat e krimit, ndërsa sipas detajeve të bëra me dije nga mediat gjermane, ekzekutimi i shqiptarit nuk ka qenë rastësor, pasi autorët e kishin ndjekur për disa momente derisa në fund e kishin qëlluar me plumb në pjesën e pasme të kokës duke e lënë të pajetë në vendngjarje.

Ndaj tij u qëllua 4 herë ndërsa një prej plumbave e ka kapur në kokë dhe i ka shkaktuar vdekjen. Ai ishte një emër i njohur për autoritetet gjermane, pasi dyshohej për trafik droge dhe vjedhje. Viktima sipas kryeprokurorit ishte i varur nga droga dhe nuk kishte një vend banim të përhershëm.

Kryeprokurori publik Axel Stahl tha dje se mund të përjashtohet se ai ka qenë një viktimë e rastësishme. “Motivi i veprës së përgjakshme është ende i paqartë. Ne po hetojmë në të gjitha drejtimet”.-u shpreh kryeprokurori.

Sipas gazetës gjermane BILD, dy autorët erdhën në Krefeld, vendin ku u vra 42-vjeçari, me një Peugeot blu të vjedhur (targa WES), parkuan dhe pritën derisa ai erdhi me biçikletë. Kur arriti, autorët e dyshuar dolën jashtë. Njëri ishte me trup mesatar, kishte veshur një xhaketë të errët, pantallona ngjyrë të çelur dhe kapelë ngjyrë të çelur. I dyti ishte gjithashtu me gjatësi normale, kishte veshur një xhaketë të errët me logo në shpinë, pantallona të errëta dhe një kapele të errët. Të dy shkuan rreth 30 metra drejt shqiptarit, për ta qëlluar katër herë, ndërsa dy plumba ishin fatalë.

Hetuesit po ndjekin një qasje në tregtinë e drogës. Një gjyq për një tregtar droge që po vazhdon aktualisht në Krefeld, ndoshta nuk ka asnjë lidhje me rastin e së hënës në mbrëmje, edhe pse viktima ishte dëshmitar në hetim, shqiptari nuk duhej të paraqitej më në gjykatë për shkak se dëshmia e tij nuk ishte më e nevojshme.