I vetmi shqiptar që Serbia e kishte mik për zemër?

355

Edhe më parë, por sidomos prej vitit 2014, kur filluan bisedimet e fshehta për ndarjen e Kosovës, rastësisht apo jo, funksionarët serbë ngritnin në piedestal Esat Pashë Toptanin si model të prijësit shqiptar me të cilin Serbia do të mund t’i zgjidhte problemet me Kosovën e me shqiptarët.

Sigal

Shkruan Xhafer Shatri

 

Më 14 tetor 2014, Marko Gjuriq, drejtori i Zyrës për Kosovën, pas një debati me temën “Shqiptarët dhe serbët më 2025, si të bëhen miq e aleatë ? “ , deklaroi :

“Ne kemi shumë respekt për popullin shqiptar, dhe, përkundër përballjeve, të cilat janë prapa nesh, është përgjegjësi e jona që të punojmë në atë mënyrë që, në të ardhmen, njerëzve tanë t’ua sigurojmë një jetë të sigurtë në Kosovë e Metohi… Këtë do ta bëjmë në atë mënyrë që do të shohim se si mund ta zgjidhim konfliktin me shqiptarët, i cili ka shpërthyer me dekada duke shkaktuar tragjedi dhe shumë viktima në të dyja anët. Ne jemi të orientuar në këtë drejtim. “

Dhe vazhdoi : “Serbia e kujton Esat Pashë Toptanin, komandantin e famshëm aleat, ministrin e brendshëm e të mbrojtjes dhe më vonë kryeministrin e Shqipërisë… Esat Pashë Toptani ishte mik dhe aleat i madh, i cili me xhandarët e tij e mbrojti nga bandat kaçake ushtrinë serbe që tërhiqej nëpër Shqipëri. Ai e përcolli kralin dhe qeverinë e Serbisë dhe vazhdoi të luftojë në anën e serbëve në frontin e Selanikut…“

“Desha ta theksoj këtë shëmbull me qëllim që të vë në spikamë se në historinë mes shqiptarëve e serbëve nuk ishte çdo gjë e zezë, dhe se në të ardhmen tonë, për dallim nga e sotmja dhe nga e kaluara, nuk duhet të jetë çdo gjë e zezë…“ *

Një muaj më vonë, Aleksandar Vulin, në cilësinë e ministrit, i vizitoi varrezat e ushtarëve serbë në periferi të Parisit, në Thiais. Dhe vuri një kurorë në të vetmin varr jo serb aty, pra mbi varrin e Esat Pashë Toptanit.

Me atë rast Vulini i famshëm, përndryshe mik i ngushtë e presidentit Vuçiq, deklaroi :

“Serbia nuk i harron heronjtë e saj. Prandaj jemi sot këtu. Por Serbia i kujton edhe miqtë e saj. Serbia nuk do ta harrojë kurrë Esat Pashën, i cili në momentet më të vështira ishte me ne… Esat Pashë Toptani dashurinë e tij për Serbinë dhe popullin e saj e pagoi me kokë, sepse e vranë ata që më shumë e urrenin Serbinë se sa që e donin popullin dhe vendin e tyre. Esat Pasha është shëmbull se si Shqipëria dhe Serbia duhet të bashkëpunojnë. Rruga e Esat Pashës është marrëveshja, fqinjësia e mirë. Ai ishte shqiptar që i donte serbët…. Serbia i kujton miqtë e saj dhe, siç thoshte Esat Pasha, serbët janë i vetmi popull që i fal armiqtë e vet. “

“Serbia fal, por Serbia sigurisht, nuk e harron as të mirën e as të keqen.”**

Nëse lexohen me vëmendje elozhet që funksionarët më të lartë serbë dhe mediet e tyre i bënin asokohe Esat Pashës, sërish, rastësisht apo jo, mund të lidhet me ndryshimin e politikës së Tiranës ndaj Serbisë, por edhe me formimin e qeverisë së Kosovës, më 8 dhjetor 2014. Dhe si paralajmërim për Marrëveshjen e 25 gushtit 2015, që me asgjë nuk ia lëshon udhën Marrëveshjes së fshehtë të Esat Pashë Toptanit me Nikola Pashiqin, nënshkruar në Nish, më 17 shtator 1914.

Ja se çka thotë për këto elozhe të papërmbajtshme ekspansioniste koloneli serb, Laziq Gjoroviq :

“Ajo që Serbia e Mali i Zi gjatë Luftërave Ballkanike e në bashkëpunim me Esat Pashën ia kanë bërë Shqipërisë, është një turp historik i popujve serb e malazez. Në vend që të turpërohet, ose të paktën të heshtë, nëse nuk ka fytyrë dhe forcë për të kërkuar falje e ndjesë, ministri Vulin mburret me Esat Pashën, tradhtarin e popullit shqiptar, shërbëtorin kukull të regjimit të Serbisë dhe e ngrit në piedestal si shëmbull bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Serbisë.“***

Por t’i kthehemi dhe njëherë mikut të përjetshëm të Serbisë, Esat Pashës.

Gjatë Luftërave Ballkanike ushtritë serbomalazeze kryen krime të llahtarshme mbi shqiptarët. Qendresën më të madhe kundër pushtuesve asokohe e bënë Shkodra dhe Luma.

Mbrojtjen e Shkodrës e udhëhoqi gjenerali turk me origjinë kurde, Hasan Riza Pasha. Ky u shkaktoi forcave serbo-malazeze humbje katastrofike. Sipas kronikës, vetëm në Berdicë e Bardhaj, forcat mbrojtëse (ushtarët turq dhe vullnetarët shqiptarë), brenda dy javësh i vranë rreth 7000 ushtarë serbo-malazez.

Në momentin më vendimtar të mbrojtjes së qytetit, Hasan Riza kërkoi edhe ngritjen e Flamurit Shqiptar, krahas atij turk, në Kështjellë dhe në front. Me këtë i bëri për vete edhe malësorët që i kishte manipuluar kral Nikolla.

Në këtë mënyrë Shkodra u bë e papushtueshme. Prandaj serbët dhe malazezët e futën në lojë Esat Pashë Toptanin.

Sipas Eqrem Bej Vlorës, më 18 janar 1913, Esat Pasha e ftoi për darkë gjeneralin e famshëm. Pas darkës e përcolli deri te dera… Por, paraprakisht, ia kishte qitë në pritë mercenarin Osman Bali dhe dy të tjerë. Ata e vranë Hasan Rizen prapa shpine.

Akoma pa e lëshu shpirti Hasan Rizën, mbërrin aty Esat Pasha. Gjenerali, me frymën e fundit ia la amanet vrasësit të vetë gruan dhe vajzën e vetme.

Shtatë vjetë më vonë, më 13 qërshor 1920, Esat Pashë Toptani, përmes dorës së Avni Rrustemit, e mori dënimin që ia shqiptuan Shqipëria dhe shqiptarët.