I kërkuari nga policia, zyrtar tek shëndetësia

941
Një skandal i rëndë, madje shumë i turpshëm, ka ndodhur dhe është regjistruar dje në Korçë, në qëndrimin dhe punën e Policisë së Shtetit të këtij qarku e të drejtësisë shqiptare të këtij rajoni, lidhur me një rast tipik të bashkëpunimit kriminalizues, të bërë prej dhe mes institucioneve të shtetit me krimin, konkretisht me mos veprimin me vetëdije ndaj personave zyrtarë, të dënuar për krimin e abuzimit me detyrën. Rasti konkret, ka ndodhur gjatë dy viteve të fundit në Korçë nën “syrin” e policisë së shtetit, të drejtësisë dhe institucioneve shtetërore lokale e qendrore në Korçë dhe është “zbuluar” vetëm dje, ditë kur prej policisë së shtetit të qarkut Korçë është njoftuar, se në Korçë është arrestuar një person në kërkim, ish-zyrtar i lartë shtetëror i administratës rajonale të Qarkut Korçë, i dënuar me vendim të formës së prerë prej drejtësisë shqiptare në Korçë, me 3 vite burg dhe 900 mijë lekë gjobë, për këto dy vepra penale: “Shpërdorim i detyrës” dhe “Korrupsion pasiv, nga persona që ushtrojnë funksione publike”. Ja çfarë thotë njoftimi zyrtar-publik, i bërë prej drejtorisë së Policisë të Qarkut Korçë, dje në datën 11 dhjetor 2015:
Njoftim për shtyp
Kapet dhe ndalohet ish-përgjegjësi i Drejtorisë së Shëndetit Publik në Korçë, i cili ishte shpallur në kërkim. Pasi ishte dënuar nga Gjykata e Korçës, me 3 vite burg e 900. 000 lekë gjobë, për veprat penale: “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Korrupsion pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike”. Nga Specialistët e Seksionit kundër Krimit Ekonomiko-Financiar, u bë kapja dhe ndalimi, i shtetasit të shpallur në kërkim: Luan Bejko, 61 vjeç, banues në Korçë. Ndalimi i tij u bë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, me vendimin e datës 16. 07. 2012, e ka dënuar këtë shtetas, me 3 vite burg, e 900 000 lekë gjobë për veprat penale “Korrupsion pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike” si dhe “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga nenet 259 dhe 248 të Kodit Penal. (Sqarojmë se ky shtetas, kur ka qenë me detyrë përgjegjës në Drejtorinë e Shëndetit Publik në Korçë në vitin 2012, rezulton se gjatë ushtrimit të detyrës së tij, e ka shpërdoruar atë, pasi vendoste gjoba tek subjekte të ndryshme e më pas i anulonte ato, në këmbim të ryshfetit).
Kaq njofton dhe sqaron Policia e Shtetit e Qarkut të Korçës. Ka arrestuar një ish-zyrtar, drejtues shtetëror i Shëndetit Publik në Korçë, i cili ka abuzuar me detyrën, duke kryer akte korruptive nëpërmjet shpërdorimit të detyrës zyrtare. Deri këtu, policia është në rregull me zbatimin e detyrës, për ekzekutimin e një vendimi të drejtësisë, për kapjen dhe çuarjen në burg të një personi të dënuar, por që prej mbi 3 vitesh e gjysmë, ose më saktë prej 41 muajsh ishte në “arrati e në kërkim”. Por një telefonatë e ardhur dje në redaksinë e Gazetës “Telegraf” nga Korça, zbulon skandalin që është bërë prej Policisë së Qarkut Korçë, prej drejtësisë dhe pushtetit lokal e qendror rajonal, me “kërkim-arrestimin” e këtij personi të dënuar, të quajtur Luan Bejko, 61 vjeç, banues në Korçë, me detyrë ish-drejtues rajonal në Korçë. Çfarë ka ndodhur me këtë rast kërkim-arrestimi? Ish-Përgjegjësi i Drejtorisë së Shëndetit Publik në Korçë, ishte shpallur në kërkim si i dënuar me 3 vite burg e 900 mijë lekë gjobë, që prej datës 16 korrik 2012.
Sipas telefonatës së bërë dje në redaksinë e Gazetës “Telegraf”, ky persona që ka qenë në kërkim nga policia dhe drejtësia, ndërsa ishte shpallur në kërkim si i dënuar me 3 vjet burg, vazhdonte punën në institucionin ku ka qenë. Përditë paraqitej në zyrë, paçka se sot njoftohet se paska qenë në kërkim nga policia dhe nga drejtësia si i dënuar me 3 vite burg e 900 mijë lekë gjobë! Ka qenë drejtor në pushtetin e PD, pushteti i PS e mbajti nëndrejtor pas pazareve të bëra me deputetët e Korçës, duke u konvertuar në “socialist” dhe duke u graduar drejtues si “rilindës”. Është skandal i rëndë që ky person që figuronte në kërkim në listat e policisë të Qarkut të Korçës, të Ministrisë së Brendshme e të Interpolit, ka vazhduar punën i qetë dhe i pa prekur në zyrat e shtetit, në qendër të Korçës, madje si drejtues shteti! prej 41 muajsh ka qenë i dënuar e në kërkim nga policia, ndërkohë që ka punuar e lëvizur lirshëm nën “hundën” e policisë, madje ka bërë edhe fushata elektorale në favor të PD në qershor 2013 në favor të PS në zgjedhjet lokale në qershor 2015! Por drejtuesi i dënuar e i shpallur në kërkim, u “zbulua” dhe u arrestua pas 41 muajve nga dita e shpalljes në kërkim, ndërkohë që nuk ishte fshehur por vazhdonte punën në zyrat e shtetit, madje në ato zyra ku u abuzoi me detyrën dhe në atë shtëpi ku policia i dinte edhe “ngjyrën” e derës, mbasi sipas raportit të shpalljes në kërkim është shënuar “Nuk gjendet në banesë”! Çfarë pisllëku fshihet, pas “arrestimit” të ish-drejtuesit të Shëndetit Publik të Korçës, dënuar me 3 vjet burg e 900 mijë lekë gjobë, i cili rezultonte prej 41 muajsh në “arrati”, por që “u zbulua dhe u arrestua”? ky skenar ka lidhje me amnistinë e shpallur këto ditë për lirimin 1000 të burgosurve, ku sipas aministisë përfitojnë edhe ata që janë dënuar deri në 3 vjet, ku përfitues është edhe ish-drejtuesi i Shëndetit Publik, i dënuari Luan Bejko, i arrestuar dje!
Drejtoria e Policisë së Shtetit
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë
Korçë, më 11.12.2015
Njoftim për shtyp
KORÇË.
Kapet dhe ndalohet ish-përgjegjësi i Drejtorisë së Shëndetit Publik në Korçë,
i cili ishte shpallur në kërkim.
Pasi ishte dënuar nga Gjykata e Korçës, me 3 vite burg e 900 000 lekë gjobë, për veprat penale: “Shpërdorimi i detyrës” dhe
“Korrupsion pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike”
Nga Specialistët e Seksionit kundër Krimit Ekonomiko-Financiar, u bë kapja dhe ndalimi, i shtetasit të shpallur në kërkim :
Luan Bejko, 61 vjeç, banues në Korçë.
Ndalimi i tij u bë pasi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë me vendimin e datës 16.07.2012, e ka dënuar këtë shtetas, me 3 vite burg, e 900 000 lekë gjobë për veprat penale “Korrupsion pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike” si dhe “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga nenet 259 dhe 248 të Kodit Penal.
(Sqarojmë se ky shtetas, kur ka qënë me detyrë përgjegjës në Drejtorinë e Shëndetit Publik Korçë, në vitin 2012 rezulton se, gjatë ushtrimit të detyrës së tij, e ka shpërdoruar atë , pasi vendoste gjoba tek subjekte të ndryshme, e më pas i anulonte ato, në këmbim të rryshfetit)
Sigal