Këtë mëngjes në hyrje të Elbasanit ndodhi një përplasje masive makinash, ku për pasojë mbetën të plagosur 5 persona, përfshi dhe një punonjës i policisë.

Por ajo që fillimisht u duk si thjesht një aksident automobilistik, rezultoi të ishte përmbyllja e një përndjekje policore që kishte nisur që në Korçë, disa dhjetëra kilometra larg Elbasanit.

Policia po ndiqte makinën e drejtuar nga 27 vjeçari Aldrion Shehu, i cili nuk i kishte ndaluar policisë së Korçës. Shehu drejtonte një makinë ‘passat’ dhe i shpëtoi dy postoblloqeve të policisë, derisa në të tretin në Elbasan, autoritetet kanë vendosur një zinxhir me gozhdë për ta ndaluar makinën. Shehu ka parë zinxhirin në tokë dhe ka devijuar rrugën, duke goditur disa makina, e për pasojë duke lënë të plagosur 5 persona.

Por para hetuesve, 27 vjeçari është shprehur se një fuoristradë i ishte vënë pas që në Devoll dhe ai për t’i humbur ndjekjes nuk i kishte ndaluar thirrjes e më pas postoblloqeve të policisë. Ndërkohë policia po e verifikon versionin e të riut, që e ktheu hyrjen e Elbasanit në ‘zonë lufte’.

Të plagosurit në spitalin e Elbasanit:
Diana Fadil Plaka 56 vjec nga Cerriku
Durin Aqif Plaka 56 vjec nga Cerriku
Adriana Agim Latifi 34 vjec Elbasan
Albert Agim Cani 48 vjec nga Elbasani
Dorina Valter Hazizi 34 vjec nga Elbasani
Në spitalin e Traumës, polici Eugen Abdurrazaku 27 vjeç.



















